Mes trashëgimive të Napoleon Bonapartit ka mbetur dhe matja e suksesit me 100 ditët e para të një aksioni, bëme, veprimtarie a mandati. Domethënia e këtyre 100 ditëve është kthyer, në fakt, pak me kokëposhtë, pasi për Napoleonin ato 100 ditë të famshme (kthimi nga egzili, rimarrja e fronit të perandorit dhe rinisja e luftës kundër anglezëve, prusianëve, etj, deri sa erdhi beteja finale e Vaterlosë) ishin dhe të fundit. Për më tepër, nuk kanë qenë tamam 100. Kanë 111, por i kanë rrumbullakosur më pas në funksion të propagandës. Ishte Roosevelt-i i dytë që zuri të lozte për herë të parë me 100 ditët. I fundit është Lulzim Basha, i cili ndoshta nuk e di domethënien historike të 100 ditëve; e ndoshta s’ka pse ta dijë. Amá gjatë këtyre 100 ditëve nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka pritur 100 ditët. Për t’i festuar.
Po çfarë mbahet mend që është bërë këto njëqind ditë? Teksa bëj një lëvizje mbrapsht më kujtohen kurbani që iu bë Bashës, fakti që kryeministri ka folur disa herë për planet e sukseset e pritshme të bashkisë, fakti që kryeministri na ka bërë me dije se kryetari i bashkisë e ha drekën në zyrë, takimet me ambasadorë e me gra ambasadorësh, show i takimeve me qytetarë në një ditë të caktuar të javës, rrahja e atyre grave nëpunëse prej atij gangsterit të bashkisë, emri i të cilit s’më kujtohet, shkarkimi i të gjithë administratës dhe zëvendësimin e tyre me “ekspertë të stafit elektoral të kandidatit Basha”, premtimet e kryetarit të bashkisë se çfarë do bëjë në të ardhshmen, dhe shfaqjet e tij në TV.
E vetmja gjë programatike e medemek esenciale ka qenë heqja e 60 taksave e tarifave, por në terma praktikë e financiarë ky gjest ka qenë me efekt e rëndësi qesharake. E shoh këtë punë me syze të errëta? Më thoni ju ndonjë arritje!