TIRANE- Edhe si nëntëmujor, ka qenë pozitive, ashtu si gjatë gjithë vitit në vazhdim, performanca e administratës fiskale. Të dhënat e para statistikore të ministrisë së Financave, ende paraprake, flasin për 266.7 miliardë lekë të ardhura në total, me rritje 14.7 për qind nga 232.5 miliardë lekë, që u arkëtuan një vit më parë nga janri deri në fund të shtatorit.
Të ardhurat
Dy janë taksat që janë dalluar nga të tjerat për nivel shumë më të lartë të ardhurash nga viti 2013. Kështu, nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar janë arkëtuar në 9 muaj 91.9 miliardë lekë, nga 75.5 miliardë të mbledhur një vit më parë, me rritje në masën 21.7 për qind. Ndërsa tatimfitimi, taksa kryesore mbi aktivitetin e biznesit, ka siguruar në arkën e shtetit një shumë prej 16.1 miliardë lekësh, me rritje në masën 38.8 për qind ndaj rezultatit të vitit 2013, që ishte 11.6 miliardë lekë.
Me rritje të ndjeshme rezulton grumbullimi i kontributeve të sigurimeve shëndetore, prej 20 përqindësh, ndërkohë që kontributet e sigurimit shoqëror janë rritur afro 8 për qind.
Pushteti vendor ka marrë gjithashtu afro 20 për qind të ardhura më shumë, me gati 10 miliardë lekë, nga 8.1 miliardë në 2013-ën. Këtu vihet re një rritje në masën 45 për qind në arkëtimin e taksës mbi pasurinë, që ka qenë për një kohë të gjatë pika më e dobët e organeve tatimore të vendit. Por edhe tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël, që kalon tek fondet e vendorëve, shënoi rritje 6.7 për qind.
Tatimi mbi të ardhurat personale ka vijuar tendencën rënëse, të ndjekur gjatë gjithë vitit, duke shënuar një shifër 5 për qind më të ulët nga vjet, si rezultat i ndryshimit të sistemit të taksimit, nga taksa e sheshtë, në atë progresive.
Nga Banka e Shqipërisë kanë kaluar në fondin e qeverisë qendore më pak se gjysma e sasisë së lekëve, që kishin kaluar në 9-mujorin e vitit të kaluar.
Shpenzimet
Vijon të shënojnë shifra jo të kënaqshme investimet, ose shpenzimet kapitale me fonde të buxhetit të shtetit. Këto ishin 29.6 miliardë lekë në 9-mujor, nga 52.3 miliardë një vit më parë, ndikuar dukshëm nga nevoja për të paguar borxhet e shumta të vjetra të shtetit. Ndërkohë, shpenzimet në total ishin vetëm 0.1% më të vogla se në 2013-ën, me 16.7% më shumë ndihmë ekonomike, 6% më shumë papegë papunësie, 13% më shumë sigurime shëndetësore, 44.4% më shumë para për ish-pronarët, etj.
Si rezultat i një performance të tillë, deficiti buxhetor paraqitet 55.5% më i ulët se një vit më parë në të njejtën periudhë.