Home Aktualitet Mblidhet Këshilli i Sigurisë:Shqipëria “gjunjëzohet” nga përmbytjet, bllokohen rrugët

Mblidhet Këshilli i Sigurisë:Shqipëria “gjunjëzohet” nga përmbytjet, bllokohen rrugët

1300
0

Përmasat biblike që kanë marrë përmbytjet në zonat veriore të vendit kanë detyruar Presidentin e Republikës Bamir Topi të kthehet me urgjencë nga Kazakistani ku ndodhej prej dy ditësh. Ai ndodhej atje në kuadrin e Samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të OSBE-së, dhe tashmë po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri-perëndim të vendit nga reshjet dhe përmbytjet e ditëve të fundit. Burimet presidenciale bëjnë me dijeni se gjatë qëndrimit në Astana, Kryetari i Shtetit ka qenë në mënyrë sistematike në dijeni të ecurisë së zhvillimeve e situatës konkrete. Ndërsa dje thuhet se ai ka vijuar kontaktet me të gjithë përfaqësuesit institucionalë mbi ecurinë dhe masat që po merren për ta përballuar sa më mirë atë.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
Në bazë të Kushtetutës së vendit ka dy raste ku shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare, bëhet fjalë për situata lufte dhe të fatkeqësish natyrore. Këshilli i Sigurisë Kombëtare drejtohet nga Kreu i Shtetit dhe rri i mbledhur për aq kohë sa kalohet situata. Nga Presidenca thanë dje se Presidenti Topi, pas marrjes së informacioneve të fundit dhe vlerësimit të situatës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët institucionalë, po përgatitet për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Vizita e Topit në Kazakistan
Në fjalën e mbajtur në samitin e OSBE-së në Astana të Kazakistanit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shprehur se Shqipëria mbështet rolin e organizatës për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon. “Në vizionin tonë, rigjallërimi i OSBE-së dhe rritja e efektivitetit të saj duhet bërë duke ruajtur tiparet themelore të Organizatës: rregullin e konsensusit, fleksibilitetin, qasjen bashkëpunuese në zbatimin e angazhimeve nga shtetet pjesëmarrëse dhe mandatin gjithëpërfshirës”, ka thënë Kreu i Shtetit. Sipas tij, Ballkani Perëndimor po përjeton një periudhë paqeje, stabiliteti e progresi të gjithanshëm.“Synimi i përbashkët i integrimit evropian ka shërbyer si mekanizëm stimulues për realizimin e shumë reformave të brendshme, në forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, dhe reformave në politikën e jashtme të vendeve tona, drejt konsolidimit të sigurisë dhe një stabiliteti afatgjatë, në rajon e më gjerë”, deklaroi Topi.

Kushtetuta
Neni 170
1. Masat e jashtëzakonshme mund të vendosen për shkak të gjendjes së luftës, gjendjes së jashtëzakonshme ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zgjatin për aq kohë sa vazhdojnë këto gjendje.
Neni 174
1. Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit.
2. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit.

Shalsi: Berisha të japë llogari për përmbytjet
Partia Socialiste, reagoi sërish gjatë orëve të pasdites së djeshme në lidhje me përmbytjen në Shkodër, duke kërkuar nga kryeministri që të japë shpjegime mbi këtë situatë. Deputeti Eduart Shalsi, u shpreh se Berisha duhet të japë shpjegime për përmbytjen për të pestën herë gjatë këtij viti. “Prej 15 muajsh opozita kërkon transparencën dhe hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, gjëja më normale për çdo vend demokratik, kurse Saliu fshihet pas burokracisë. A nuk e kupton Saliu se ka dështuar? Se gjithë kjo situatë e krijuar është kryekëput faji i një njeriu të vetëm, i Sali Berishës? A e sheh Saliu dështimin e tij, përmbytjen e Shkodrës, nën Shkodrës, dhjetëra komunave e së fundmi edhe vërshimin e ujërave deri në Fushë Krujë, Durrës e Vorë?”, tha Shalsi. Ai shtoi se Berisha duhet të largohet nga qeveria dhe të pranojë fajin e tij.

PD: Rama sulmon institucionet e shtetit
Partia Demokratike shprehu dje shqetësimin për qëndrimin e mbajtur nga kreu i opozitës, duke e akuzuar atë se nuk solidarizohet me banorët e zonave të përmbytura. Albana Mustafaraj e akuzoi Ramën se po sulmon institucionet e shtetit dhe punën e tyre. “Z. Rama po sulmon çdo ditë me një gjuhë vulgare jo vetëm institucionet e këtij shteti, por edhe mijëra punonjës të tyre, që prej ditësh, janë të angazhuar në një operacion të pandërprerë për shpëtimin dhe kthimin në normalitet të këtyre zonave”, tha zëdhënësja Albana Mustafaraj. Partia Demokratike-vijoi ajo- “ju thotë Z. Rama se gëzimi juaj mbi fatkeqësinë që po përjetojnë ata qytetarë, tregon vetëm një shpirt të zi të denjë për etërit shpirtërorë, tregon se jeni i zhveshur nga çdo vlerë morale dhe se duke qeshur mbi vështirësitë apo fatkeqësitë e banorëve të zonave të përmbytura nuk mund të besoni se po i afroheni pushteti”.

Edhe Kosova mbetet e rrezikuar nga përmbytjet
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron rrezikun nga përmbytjet edhe në këtë vend. Reshjet e shiut do të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës në Kosovë, ndërkohë që temperaturat do të bien ndjeshëm. Ndërsa në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë edhe reshje bore. Gjatë ditëve të ardhshme temperaturat pritet të zbresin nën zero, ndërsa zonat më të rrezikuara nga përmbytjet janë ato në rajonin e Dukagjinit. Drejtori i Institutit Hidro meteorologjik të Kosovës, Sylë Tahirsylaj thotë se në ditët e ardhshme vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore me një shkallë të lartë të lagështisë. Edhe në rajon reshjet e shiut kanë shkaktuar rritje të nivelit të ujit në lumenj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here