Home Politike Lulzim Basha bashkëbisedim me fansat në “Facebook”

Lulzim Basha bashkëbisedim me fansat në “Facebook”

1677
0

Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, ka zhvilluar dje një bisedë me fansat e tij në ‘Facebook”. Nga ora 18.00 deri në orën 19.00 të pasdites së djeshme, Basha u ka kthyer përgjigje fansave të tij rreth problemeve të Tiranës, se se çfarë synon të bëjë ai nëse fiton. Komunikimi në “Facebook” është huazuar nga presidenti amerikan Baraka Obama. Ky i fundit dihet tashmë se rrjetin social e ka primar në fushatën e tij. Madje para disa ditësh ai iu përgjigj fansave të tij për programin e qeverisë së tij në vitet në vazhdim. Nga kjo bisedë e Obamës, duket se e ka marrë spunton edhe Basha për bashkëbisedimin e djeshëm.
Tek njësia 4
Ndërkohë që gjatë paradites, kandidati i mazhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me qytetarët e njësisë numër 4. Ai i garantoi dje qytetarët e minibashkisë Nr. 4 në kryeqytet se, “transparenca e administrimit të çdo takse të mbledhur dhe lufta kundër korrupsionit, do të jenë parësore në punën e tij si kryebashkiaku i ardhshëm i banorëve të kryeqytetit”. Në vijim të turit elektoral, në takimin që kandidati demokrat zhvilloi me banorët e kësaj njësie, Basha i siguroi ata se platforma e tij për zhvillimin e Tiranës parashikon bërjen publike të çdo takse të mbledhur nga Bashkia dhe mënyrën se si ato shpenzohen, ndërsa premtoi vendosjen e një linje telefonike falas për denoncimin e korrupsionit, forcimin e kontrollit të brendshëm antikorrupsion, dhënies së më shumë kompetencave për njësitë vendore, krahas përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Basha u takua edhe me banorët e njësisë bashkiake Nr.2 dhe premtoi para tyre se platforma e tij parashikon ndërtimin e Tiranës europiane, duke nisur nga lagjet, ndërsa u garantoi atyre se çdo vendim që Bashkia nën drejtimin e tij do të marrë për zhvillimin e lagjeve dhe qytetit, do të merret në bashkëpunim me njësitë vendore dhe me ta dhe se për çdo projekt strategjik, qytetarët do të mund të vendosin edhe me referendum.

Berisha: “E vetmja rrugë” e opozitës, është vota kundër interesit të qytetarëve

“Aleanca për qytetarin” ka prezantuar dje kandidatin Beqir Arifi për kreun e Bashkisë së Pukës. Kryeministri Berisha pasi iu ka uruar gëzuar Pashkët, i ka falënderuar banorët e Pukës për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike. “Puka do jetë suksesshme me Beqir Arifin dhe ne do vijmë me investime të tjera. Mbi 20 milionë dollarë janë investuar në Pukë”, tha Berisha. Ndërsa shtoi se gjatë katër viteve që vijnë do të gjashtëfishojmë investimet në Pukë dhe do të ndërtohen rrugët që lidhin çdo komunë. Kryeministri Sali Berisha tha se Puka do të kthehet një ndër destinacionet e turizmit. “Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, ka qenë një rrugë më mundime e sakrifica. Por ne e shohim njëri-tjetrin në sy dhe kuptojmë se jemi njerëz të suksesit. Sepse në rrethana të vështira ja arritëm ta vendosim Shqipërinë në Aleancën e Atlantikut. Ne jemi njerëz të suksesshëm, sepse deri dje të shkëputur nga bota, sot lëvizin pa viza në gjithë Europën. Këtë vit Shqipëria u shpall e bukura e dheut, destinacion kryesor i turizmit. Së bashku ja dolëm që ekonominë shqiptare që ekonominë shqiptare ta vendosim në krye të rritjes ekonomike. Ja dolëm të luftojmë varfërinë”, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Kryeministri nënvizoi se alternativa jonë në krye ka individin dhe shtoi se reformat e qeverisë janë realizuar nga mbështetja juaj. Më pas ai iu referua sloganit të opozitës “E vetmja rrugë. “Të dashur miq, kjo rruga e vetme, është marrë nga e etërit e tyre. Por ka një domethënie, që të votojë kundër interesave tuaja, kundër rrogave tuaja, kundër vizave, kundër rrugës së kombit, për të futur vizat tuaja në kuti, të votojë kundër faljes së detyrimeve të energjisë dhe ujit, për shtresat në nevojë. Ai ka një synim duke iu bllokuar ju, të realizojë ëndrrën e tij, për karrigen e kryeministrit. Ai ka bindjen se duke ju bllokuar ju, të mbajë çelësin e artë të Bashkisë së Tiranës dhe të mbajë peshkun e artë të kreut të PS-së. Kjo është njëra anë e kësaj rruge, tjera është ajo e shpifjeve”, tha Kryeministri Berisha.

Luan Rama: Ditën e fitores kundër fashizmit do të festojmë fitoren e Pezës

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të Komunës Pezë, Artur Pezën. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim elektoral, Luan Rama tha se Peza është një vend i shenjtë dhe një referencë e çmuar e historisë sonë kombëtare dhe për këtë arsye LSI ka propozuar Artur Pezën, që përfaqëson më së miri emrin e kësaj komune. Ai shpjegoi se ku u zgjodh Arturi për ta kandiduar në Komunën e Pezës, aleanca nuk u nis nga interesat partiake, madje po të gjykohej nga interesat partiake kishte shumë emra të tjerë, të cilët mund t’i kandidonim në Pezë, qoftë LSI, qoftë edhe vetë PD. Luana Rama i ftoi të gjithë banorët e Pezës që më datën 8 të votojnë Artur Pezën, “Aleancën për Qytetarin” dhe të votojnë LSI-në që më datën 9 maj të festohet në Pezë fitorja e Artur Pezës para monumentit të Babë Myslymit. “Le të jetë Peza emblema e një bashkimi të madh në luftën antifashiste nacionalçlirimtare, emblema e këtij bashkim qytetar që ka realizuar PD-LSI dhe aleatët e tjerë, bashkim i frymëzuar nga interesat e mëdha të vendit, nga interesat e qytetarëve, nga interesat e shqiptarëve, dhe jo te interesat politike partiake dhe aq më keq akoma, të një klike uzurpatore, siç ndodh me të ashtuquajturën sot PS dhe lidershipin që e keqpërdor atë”, tha ai. Duke folur për rivalët e PS-së, Luan Rama, theksoi se PS-ja ka ikur nga ndjenjat e solidaritetit dhe humanizmit që formësojnë një të majtë moderne evropiane. “Prandaj, në zgjedhjet e 8 majit në Pezë kandidojnë kandidatë të majtë, që përfaqësojnë të majtën e vjetër, të majtën e rrugës dhe të dhunës që përfaqëson Edi Rama dhe nga ana tjetër janë të majtët e vlerave qytetare, që përfaqëson LSI-ja”, tha Luan Rama.

Xhixho: Sa më shumë të investojmë në sport, aq më pak na duhet të investojmë në shëndetësi

Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr.5 në Tiranë, Erisa Xhixho është angazhuar për më shumë ambiente sportive dhe shplodhëse për këtë komunitet. Ketë premtim Erisa Xhixho e ka bërë për qytetarët e njësisë bashkiake nr.5 në pas përfundimit të një aktiviteti ndërkombëtar të Hipizmi. E ftuar nga Federata e Hipizmit, Erisa Xhixho ka ndjekur me kureshtje këtë aktivitet dhe në fund duke i dhuruar kupën fituesit të garës, Xhixho ka folur me të pranishmit që pas 8 majit në drejtimin e saj të kësaj minibashkie dhe me kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha do të ketë më shumë hapësira sportive dhe aktivitete të tilla. Duke shpalosur programin e saj për njësinë bashkiake nr. 5 ,Xhixho u shpreh se “sporti është një fushë të rëndësishme të aktivitetit shoqëror që nuk ka vetëm vlera të mirëfillta sportive e argëtuese, por që ka një ndikim të madh edhe në planin edukativ, shëndetësor, e ekonomik të vetë shoqërisë sonë. Për këtë arsye zhvillimi i sportit u shpreh ajo, është në vëmendjen tonë të vazhdueshme duke forcuar jo vetëm institucionet e veçanta sportive por duke përkrahur dhe zhvillimin e sportit në veçanti sikurse është ky aktivitet i sotëm sepse sipas saj, ne jo vetëm kontribuojmë për një shoqëri më të shëndetshme por gjithashtu ne investojmë dhe për një shoqëri më sociale. Sipas Xhixhos, sa më shumë të investojmë në sport, aq më pak na duhet të investojmë në shëndetësi sepse shoqëria jonë bëhet më e shëndetshme.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here