Home Aktualitet Lorik Cana firmos peticionin kunder regjistrimit mbi baza etnike

Lorik Cana firmos peticionin kunder regjistrimit mbi baza etnike

578
0

Lorik Cana futbollisti i njohur shqiptar ka firmosur dje peticionin kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare duke iu bashkuar edhe shumë qytetarëve të tjerë të cilët e kundërshtojnë fort këtë nismë. Pasi është takuar me nismëtarin e kësaj kauze, nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, mesfushori i kuqezinjve ka firmosur peticionin me mijëra emra duke u shprehur kështu hapur kundër regjistrimit mbi këto baza. Futbollisti Lorik Cana theksoi se do mbështesë kauzën e mbrojtjes së identitetit të shqiptarëve pasi siç u shpreh ai, kombësia është vlerë dhe trashëgimi për miliona shqiptarëve dhe kurrsesi nuk mund të shitet e falet. Peticioni i krijuar nga “Aleanca Kuq e Zi” po kërkon përkrahje në të gjitha qytetet e Shqipërisë, pasi të arrihen 20 mijë firma peticioni do t’u drejtohet institucioneve të larta të vendit, ndërkohë kundër regjistrimit mbi bazën e vetdeklarimit të fesë dhe kombësisë po shprehen edhe personalitete të fushave të ndryshme në vend, së fundi dhe futbollisti Cana është shprehur kundër kësaj nisme.

Zhvillohet simpoziumi “Diversiteti fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan

Studiuesit e huaj kundërshtojnë regjistrimin me bazë etnie dhe feje

Regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare mblodhi dje historianë, studiues dhe profesorë nga universitete europiane si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend në një simpozium me temë “Diversiteti fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan dhe perspektiva globale”. Regjistrimi i popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare është kundërshtuar nga studiuesit e huaj duke e cilësuar këtë çështje si shumë delikate.
Kundërshtimi
Çështja e regjistrimit të popullsisë mbi bazën etnike dhe fetare është kundërshtuar edhe nga studiues të huaj të cilët kanë shprehur argumentet e tyre kundër këtij regjistrimi. Anëtari i Këshillit të Lartë në Universitetin Faith Mustafa Oscan tha se besimi është një çështje mes individit dhe Zotit dhe duhet të mbetet i tillë. “Të gjithë duhet të respektojnë personin, mendimin dhe besimin e tij. Unë s’i di detajet e kësaj çështjeje se çfarë qëllimesh fshihen pas saj por siç e thash, besimi i intereson vetëm personit dhe askujt tjetër. Feja është e drejtuar nga besimi dhe është mes njeriut dhe Zotit. Nuk i di prapaskenat ndaj s’mund të them më shumë se kaq”- deklaroi Oscan. Ndërsa Paul Weller një tjetër studiues sqaroi se ky regjistrim do të mbartë edhe probleme të tjera pasi pakicat etnike do të kishin të tjera pretendime. “Nuk e di mirë çështjen këtu por mund të them që ky debat është bërë edhe tek ne para 10 vjetësh. Çfarëdo që të bëhet duhet të ketë shumë kujdes, që përgjigjet të mos keqkuptohen dhe të keqpërdoren. Ka një rrezik, që kur të merret përgjigja, mund të sjellë konkurrencë mes grupimeve fetare dhe kjo është arsyeja që shumë vende s’e bëjnë këtë pyetje. Nëse bëhet duhet të bëhet me kujdes që të mos keqpërdoret. Aq më tepër në Shqipëri që ka martesa të përziera mes feve të ndryshme. Por ndonjëherë jeta është më e ndërlikuar se të japësh një përgjigje dhe duhen bërë pyetje te detajuara” – nënvizoi Weller. Regjistrimi i popullsisë i cili identifikon besimin fetar është cilësuar i rrezikshëm nga studiuesit dhe profesorët e huaj.
Diskutimi
Debati për çështjen e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri nisi pas deklaratave të konsullit grek në Korçë i cili iu bëri thirrje qytetarëve që në regjistrimin e muajit Prill, të shënonin në formular kombësinë e tyre greke ndërkohë që këto deklarata sollën shumë debate dhe diskutime mbi këtë çështje në vend.
Janë të shumta vendet që regjistrimin e popullsisë nuk e kanë kryer në bazë të fesë dhe etnisë duke respektuar edhe besimin e qytetarëve dhe duke shmangur çdo formë për përdorimin e tij. Këto deklarata u bënë gjatë një simpoziumi ndërkombëtar mbi këndvështrimin e diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan të organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Universiteti i Tiranës. Ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferraj gjatë këtij takimi e vlerësoi harmoninë fetare si pasuri të çmuar të shqiptarëve. “Harmonia ndërfetare është jo vetëm një rast unik, por një vlerë shumë përfaqësuese e kombit tonë. Ne gjithmonë kemi luftuar për ruajtjen e këtij tipari identifikues për shqiptarët që na afron me familjen e madhe evropiane” – ka deklaruar Xhaferraj. Në këtë takim u diskutuan gjerësisht problemet e dialogut, bashkëjetesës por edhe harmonia fetare në shoqëritë e Ballkanit.

UG dhe OJF-të që punojnë për barazinë gjinore nënshkruajnë Kuadrin e Bashkëpunimit me mbështetjen e OKB-së

U nënshkrua dje në Tiranë Kuadri i Bashkëpunimit midis Unionit të Gazetarëve dhe 12 OJF-ve që punojnë për barazinë gjinorë në Shqipëri. Dokumenti u mbështet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fuqizimin e Grave, “Un Women”. “Ky është një nismë që vjen në kohën e duhur si një nevojë për të farkëtuar një partneritet më të mirë brenda shoqërisë civile për t’I dhënë grave më shumë zë dhe vizibilitet”, tha zj Heba El Kholy, e ngarkuar me punë e “UN Women” në Shqipëri. “Të dhënat në shkallë globale tregojnë se investimi për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë kthehet në përfitim për të gjithë shoqërinë, jo vetëm për gratë”. Në përshëndetjen e saj, zj Zineb Touimi-Benjelloun , përfaqësuese e përhershme e OKB-së në Shqipëri theksoi se ky është një “bashkëbisedim i rëndësishëm”, i cili ndihmon që shoqëria ta njohë më mirë veten. ”Një komb ose një shoqëri që nuk njeh veten nuk mund t’i përgjigjet aspiratave të qytetarëve.”- tha zj Benjelloun. “Takimi juaj sot është një nismë e parë që i hap rrugë zbatimit të një programi ambicioz të OKB-së për 5 vitet e ardhshme që parashikon një fokus të fortë të forcimit të mbikëqyrjes qytetare, shoqërisë civile dhe medias për të rritur përgjegjshmërinë e institucioneve dhe forcimin e angazhimeve të barazisë gjinore. Nga ana e tij, z. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve e konsideroi këtë nismë si një “akt reagues” të komunitetit të gazetarëve ndaj ngadalësisë me të cilën po ndodh zgjimi i ndërgjegjes shoqërore ndaj përfaqësimit të drejtë të gruas. “Unë jam i sigurt se debati pasues do të jetë pjesë e pastër reflektive e një ndërgjegjeje në lëvizje e një ndërgjegjeje realisht të shqetësuar për përmirësimin dhe lëvizjen e realitetit të ndenjur dhe cinikisht të premtuar,“ tha Çipa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here