Kompania amerikane Lockheed Martin ka filluar punën për një pasardhës të avionit spiun supersonik Blackbird SR-71. Varianti SR-72 do të jetë në gjendje të fluturojë deri në 6.759 kilometra në orë. Njësoj si paraardhësi, ai do të fluturojë në lartësi të mëdha për vrojtime, por pritet gjithashtu të pajiset me armë për të goditur objektivat. Kompania parashikon që ky avion të jetë në punë rreth viteve 2030.
SR-72 po zhvillohet nga Lockheed Martin në laboratorin e kompanisë në Kaliforni, ku është ndërtuar avioni fillestar Blackbird.
Avioni fluturoi fillimisht më 1964-n dhe ka qenë mjeti kryesor i spiunazhit dhe mbikëqyrjes deri në vitin 1998. Ai zakonisht fluturonte në 24 mijë metra lartësi dhe arrinte shpejtësinë Mak 3. Kompania bën të ditur se avioni i ri do të fluturojë në lartësi të ngjashme, por shumë më shpejt, deri në Mak 6 ose 6.759 kilometra në orë.
Ai do të jetë në gjendje të përshkojë distancën nga Nju Jorku në Londër në më pak se një orë. Ndërsa satelitët spiunë mund të fotografojnë territorin e armikut, ato nuk janë në gjendje të lëvizin shpejt në një orbitë të re. Avioni e mbulon këtë problem.