Home Aktualitet Linda Rama: Ja pse e quajtem djalin Zaho

Linda Rama: Ja pse e quajtem djalin Zaho

1052
0

edi-linda

Është gruaja e Edit dhe jo e Kryeministrit. Kështu e quan veten Linda Rama, teksa pas 4 vitesh nga dalja e fundit në ekran si e intervistuar, u rikthye dje në emisionin “E diell”, në Top Channel. Përballë moderatorit Alban Dudushi, ajo ka treguar jetën e saj në krah të Edi Ramës, ndryshimet e këndshme në familje pas ardhjes në jetë të Zahos, marrëdhëniet me miqtë etj.

Ndërrimi i viteve pritet që ta gjejë çiftin kryeministror edhe me shtëpi të re, ku do të jenë të mbledhur të tre fëmijët: Gregu, Rea dhe Zaho. Para se të fillonte intervista, “E Diell” transmetoi një video me gratë e kryeministrave të shteteve të ndryshme, të modeleve që ato kanë ofruar në krah të të shoqit. Po Linda Rama, si është në krah të Kryeministrit? Ndiqni çfarë tregoi vetë ajo në emision, në mënyrë të përmbledhur…

Në fakt pyetja e parë që vjen është: Si është Zaho?

Shumë emocionues, paraprakisht më vjen të them, klipi që sapo ndoqa, pasi vërtet ato, kanë qenë momente shumë të veçanta, të miat dhe të tonat. Por sigurisht moment më i veçantë do të thoja unë kulmor është…është Zaho! Duhet ta pranojmë këtë! Dhe Zaho është mirë…rritet është mirë.

Është i grindur si Edi, është i qetë si ty?

Por, Edi nuk është i grindur gjithmonë, nuk e di çfarë keni parasysh me Edin e grindur…

Impulsi…natyrë që shpërthen…

Sigurisht, ndryshe s’do ishte Edi aq i mirë. Është një fëmijë që na mirëkupton. Në këtë drejtim, është i qetë. Sigurisht ka ato grindjet e bebeve, por është i mirë… është shumë i mirë.

Je e lumtur, je një mama e lumtur?

Unë jam shumë e lumtur dhe të gjithë ne jemi shumë të lumtur.

Dhe në fakt në fakt, ardhja në jetë e Zahos ishte një mesazh shumë i mirë dhe për shumë familje të tjera, për rëndësinë e familjes dhe për vazhdimësinë e jetës në çdo kohë dhe në çdo rrethanë… po një kuriozitet është, pse e quajtët Zaho?

Së pari, Zaho është një emër shumë i vjetër shqiptar, kam përshtypjen që atë ditë, ose në ditët në vijim pasi lindi Zaho, kjo u tha në media, që bëhet fjalë për një emër të vjetër shqiptar. Së dyti, është një emër me të cilin janë quajtur dhe myslimanë dhe të krishterë. Është një emër që e gjen në të dyja fetë. Por në Shqipëri ky emër është i lidhur edhe me një legjendë, për një personazh historik të njohur ndër shqiptarë, Zaho Kokën, nga fshati nga bregu, nga Vuno, ku në fakt koinçidon të jetë dhe prejardhja e nënës së Edit… Legjenda e Zaho Kokës ka qenë gjithmonë shumë e pranishme tek ne. Eshtë një personazh që e kemi pëlqyer shumë bashkë me Edin, na intrigonte shumë. Dhe, si e përshkruan Edi shumë bukur: “Zaho Koka luftoi për Liri dhe dha jetën për Dashuri”.

Shumë e bukur, por ndërkohë ishin dhe Krishtlindjet, në përgjithësi është atmosferë dashurie dhe atmosferë gëzimi, njerëzit bëjnë dhurata. Nuk e di, Zaho ç’dhurata mori këto Krishtlindje? Si ishte Krishtlindja në familjen tuaj?

Së pari, do thoja që Zaho na kishte bërë ne një dhuratë shumë të madhe, që ishte me ne këtë vit. Një dhuratë më të madhe se kaq, ai nuk mori. Por ndërkohë, e veçanta e këtyre Krishtlindjeve ishte fakti që ishte e gjithë familja bashkë. Edi qëndroi me ne më gjatë për këto Krishtlindje. Rea i bëri Zahos një gushore, ku i shkruante “Krishtlindjet e para, Zaho”. Me Gregun bëri një selfie. Gregu i mësoi si të bënte selfie dhe Zaho i vogël është shumë komod para kamerave.

Çfarë ka ndryshuar tek ty tek kjo mundësi e dytë?

Unë do të thoja këtë, që gjithmonë ardhja e një fëmije në jetë, për një grua është moment kulmor. Sa herë një grua sjell në jetë një fëmijë është në një moment kulmor të saj. Besoj që këtë ma kupton çdo grua që e ka provuar këtë moment. Ajo që më bën përshtypje është fakti që Zaho bëri të mundur të më kthente mbrapa në kohë, kur unë linda Rean 24 vite më parë. Më kujtohen shumë gjëra tani, kujtime shumë të vyera, që ai mi solli të tëra bllok…(qesh,) që m’i rivendosi… Ndërkohë, që mbase dhe për shkak të moshës dhe eksperiencës të gjatë, jam e fokusuar në çdo detaj tek ai. E përjetojmë të gjithë, dhe unë dhe Edi veçanërisht e përjetojmë shumë thellë, çdo detaj të rritjes së Zahos.

Jeni alarmant si prindër, jeni thjesht të vëmendshëm, janë ato frikërat e prindërve kur kanë fëmijën e pare… përsëriten?

Shiko janë disa frikëra që nuk ikin asnjëherë, veçanërisht për nënat dhe unë u përkas nënave pak meraklie. Ngjaj mbase me nënën time në këtë pike, e cila ka qenë po kështu. Ndërkohë që nuk jemi alarmantë, sepse edhe Zaho na mirëkupton. Ndërkohë që nuk jemi alarmant, se dhe Zaho nuk na e ka dhënë këtë lloj ndjesie. Është fëmijë i mirë, do thoja unë, dhe ne ndjehemi shumë komod në atë që bëjmë çdo ditë. Sigurisht që dashuria dhe vëmendja janë maksimale si për çdo bebe. Çdo prind me bebet është i dobët në këtë pikë.

Në momentin kur u martuat me zotin Rama, natyrisht atëherë ai ishte kryetar i opozitës dhe kryetar i Bashkisë, ju e prisnit që në krahë të tij, do të ishit në krahë të kryeministrit të vendit? Në këtë kuptim, kanë ndryshuar shumë gjëra te ju si bashkëshorte e kryeministrit, nga bashkëshorte e Edi Ramës, kryetar bashkie, kryetar opozite?

Nuk ka ndryshuar asnjë gjë. Unë jam martuar me Edin, nuk jam martuar me Edin kryeministër. Në përditshmerinë time nuk ka ndryshuar asgjë. Unë e jetoj jetën time njëlloj si e kam jetuar më parë, sigurisht me përgjegjësinë e madhe që Edi është Kryeministër dhe me atë nevojën që unë të jem shumë pranë me të, në të gjitha momentet. Sigurisht që ka nevojë për prezencën time, qoftë për të bërë një diskutim, qoftë për të shkëmbyer një mendim. Por në thelb jeta ime është si ka qenë.

Në fakt po të kthehemi mbrapa në kohë, në vitet 80’, ju u diplomuat në fakultetin ekonomik, apo jo?

Po.

Dhe natyrisht një profesioniste që nuk u mjaftua me këtë fakultet në vitin 93’, ju keni bërë në Bratislavë, në Sllovaki, në mos gaboj…

Në Çeki, në Pragë…

Keni bërë kualifikimin “doktore shkencash” në një moshë shumë të re. Është një përvojë e gjatë profesionale që vazhdon të jetë dhe sot e kësaj dite… Më kujtohet, në kujtimet e veta, Cherie Blair, ka shkruar: “Unë nuk kam pse ndryshoj drejtimet e mia në jetë, vetëm se im shoq ndryshoi punë”. E keni dhe ju parasysh këtë si varg?

Absolutisht, unë vijoj të bëj të njëjtën jetë dhe të njëjtën punë, jam shumë e dedikuar tek pjesa studimore e punës që bëj. Sigurisht, do thoja këtë mbase, që unë nuk e kam menduar në momentin që Edi ishte në opozitë kohën që jam sot. Vëmendja me e madhe ishte që Edi të arrinte të fitonte. Të plotësonte atë ambicie të vetën të të qënit kryeministër. Unë asnjëherë nuk e kisha menduar, që Edi të ishte Kryeministër. I binte që unë do të isha gruaja e kryeministrit. Në momentin që kjo ndodhi, pata një moment hutimi. Mendova:-Po tani? Çfarë ndodh? Isha e papërgatitur për këtë gjë. Mund të ketë zgjatur 3-4 ditë. I dhashë vetes mundësi për të reflektuar brenda vetes, pa zë të lartë. Për të kuptuar ç’po ndodhte, çfarë mund të ndodhte, në të gjitha raportet tona dhe njëkohësisht dhe këtë që ju thoni, në të gjitha impenjimet e mia. Dhe përgjatë 2-3 muajve të parë nuk ishte shumë ajo që ti mendon të bësh. Ishte më shumë një proces transmetimi tek njerëzit, që ata të mos shihnin ndryshe nga çfarë ti je. Sepse përgjithësisht janë njerëzit ata që vendosin padashur barrierën e parë. Ata mendojnë që kanë të bëjnë me gruan e kryeministrit apo me bashkëshorten e një personi me pozitë të lartë publike. Dhe kjo do hapësirën që t’i dedikohesh në mënyrë të posaçme dhe t’u tregosh që je i njëjti person që ke qenë më parë. Këto barriera nuk i bëjnë mirë asnjë lloj marrëdhënie.

Po, por…

Dhe mua më ka zgjatur të paktën 3-4 muaj kjo periudhë. Dhe tani kam përshtypjen se të gjithë e kanë shumë të qartë që Linda Rama, është ajo që ka qenë më parë. Nuk është gruaja e kryeministrit, por sigurisht, është Linda, gruaja e Edit.

Kjo nuk është një histori që ndodh specifikisht, ndodh rëndomtë, bashkëshortes së kryeministrit mund t’i afrohen edhe miqtë apo mikeshat, dhe jo se e duan më shumë se ç’e kanë dashur, por se është një prag për të kaluar në dhomën e kryeministrit?

Mund të jetë e vërtetë edhe kjo, por jo në rastin tim, në eksperiencën time. Është shumë e rëndësishme ajo që ti kërkon të jesh dhe ajo që ti kërkon t’u tregosh njerëzve. Dhe mua nuk më ka ndodhur… Më ka ndodhur kjo, që shumë njerëz më kanë takuar dhe më kanë transmetuar komplimente për punën e Edit. E marr gjithë kënaqësinë e kësaj gjëje, jo thjesht për Edin, por për të gjithë vendin! Dhe më bëhet qejfi që ai është në një pozitë të tillë, që suksesi i tij transmetohet në një jetë të qetë dhe në një standard jetese për të gjithë popullsinë dhe vendin. Edhe kur ka pasur ndonjë rast, artificial për të m’u afruar në këtë mënyrë, në mënyrë shumë dashamirëse dhe elegante kam treguar, që nuk jam unë personi i duhur për të kaluar tek kryeministri.

Dhe këtë pyetje dhe nuk do të flasim më për kryeministrin, pasi sot ju kemi thirrur juve. Në fakt sa herë që në diskutime pyesim, kë ka kryeministri Rama këshilltar ekonomik. Mos jeni juve?

(Qesh)- Unë do isha shumë e shqetësuar, nëse Edi nuk do kishte rreth vetes këshilltar me famë botërore, siç janë emra të njohur botërorë, si Rikardo Haussman, nga grupi i Tony Blair. Ju mund të keni dëgjuar që ish-kryeministri britanik Toni Blair i ka bërë bashkë këshilltarët e asistojnë qeveri në vendet që kanë nevojë. Në këtë kontekst, unë nuk do të ndjehesha mirë të quhesha e tillë. Nuk më pëlqen kjo fjalë, të jem unë këshilltarja e Edit. Por, për të qenë e sinqertë, unë jam herë pas here pjesë e diskutimeve dhe sigurisht, kam mendimin tim dhe e shpreh qoftë tek Edi, apo në diskutim.

Në këto ambiente apo në këto debate…

Unë besoj që shqiptarët në momente të caktuara diskutojnë për jetën, profesionin, apo kontributin në vendin e vet. Ndodh e njëjta gjë absolutisht edhe me mua. Thjesht, në të gjitha diskutimet, ku jam gjendur, kam pasur mundësi të them mendimet e mia.

Jeni duke përfunduar ndërkohë një libër studimor mbi ekonominë?

Jam në momentet e fundit të mbylljes së një studimi, që nuk e bëj vetëm unë. Jemi një grup ekspertës,h mes të cilëve dhe të huaj. Është një studim shumë interesant. Është një punë në vite, që në fokus ka vlerësimin e aftësive të tregut të punës, por nga këndvështrimi i bizneseve. Është një studim interesant, mendoj me vlera, por nuk dua ta dekonspiroj, sepse nuk ka përfunduar ende. E kemi tepër të rëndësishme pjesën e etikën, në raport me ekipin që po merret me këtë studim.

Viti 2014 ka qenë një vit i ngarkuar politikisht, mund të them dy kulme, vizita e Papës dhe vizita e Kryeministrit në Beograd. Nga perspektiva juaj, si i keni parë këto ngjarje të vitit 2014?

Sigurisht, vizita e Papës ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri, por për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Një moment jashtëzakonisht i veçantë dhe për mesazhin që donte të transmetonte. Ne jemi një komb me shumë vlera, por për shkak të tranzicionit jemi fokusuar këto vite te problemet dhe nuk i kemi evidentuar vlerat që kemi. Dhe motivi i vizitës së Papa Françeskut është vëllazërimi ndërfetar në Shqipëri. Një vend shumë i vuajtur nga diktatura komuniste, i cili arriti të mbijetonte dhe të sakrifikonte në emër të fesë. Kjo vizitë ishte dhurata më e bukur që Papa Françesku mundi t’u bënte shqiptarëve dhe një mundësi unike për të prezantuar shqiptarët në botë. Ju e dini, që kamerat kur Papa Francesku shkon në një vend janë të fokusuara tek ai. Prandaj kjo vizitë ishte një mundësi e mirë dhe për ta bërë Shqipërinë më të njohur në botë. Ishte një mundësi e mirë për imazhin tonë si komb. Ndërsa përsa i përket vizitës së Edit në Beograd, mund të them që edhe unë e kam përjetuar njësoj si shumë të tjerë. Pati shumë diskutime pas ndeshjes së futbollit. Ishte një lloj kërshërie se si do të zhvillohej kjo vizitë. Dhe unë vetë personalisht e kam parë si një moment të veçantë rivendosjeje marrëdhëniesh.

Marrëdhëniesh?

Marrëdhëniet ne i kemi pasur, por një vizitë ndërshtetërore e këtij niveli. Një vizitë që i kaloi përmasat e një vizite formale, përtej nënshkrimit të marrëveshjeve të dy qeverive. Ishte një gur i mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Ishte një vlerë e shtuar për atë që kërkon vetë Ballkani të bëjë, duke i bërë vendet bashkë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. E besoj tezën e Edit, që çdo vend i rajonit e ka shumë të vështirë të përparojë pa marrëdhënie të mira në rajon.

Nëse do t’ju kishte pyetur, do t’ia këshillonit kryeministrit, pikërisht atë deklaratë, që u bë dhe “bomba” le të themi “droni” i konferencës së shtypit?

Tani…(qesh), mediat e kanë në detyrën e tyre ta etiketojë ashtu si është më atraktive për publikun, por unë do thoja që Edi aty tha një të vërtetë, dhe unë besoj se kështu u kuptua nga të gjithë.

Në fakt bashkëshortet e kryeministrave, aktivizohen në çështje sociale, aktivizohen në çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe ju keni pasur një rrugëtim në çështjet e të drejtave të njeriut, herët. Më kujtohet një deklaratë e fortë e juaja në lidhje me çështjen e grave, madje mund ta quaj dhe të rreptë si deklaratë. Ju thoni që: “Në Shqipëri, 60% e grave janë dhunuar të paktën njëherë në jetën e tyre”. Si e shikoni këtë fenomen?

Në këtë deklaratë unë kam cituar një studim që është bërë nga një institucion ndërkombëtar para një viti. Ndërkohë, unë besoj, se në Shqipëri ka shumë aspekte, ku është bërë një progres i dukshëm, por kur vjen puna për dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave, nuk është bërë aq sa duhet. Në atë konferencë unë u shpreha që është bërë regres. Kjo për shkak të gjithë kontekstit social, problematikës së shtuar të gjithë këtyre viteve tranzicion, i cili është transmetuar në Shqipëri, në formën e një stresi mbi individët dhe familjet shqiptare. Në Shqipëri ndodhin paradokse të tilla. Dhuna ndaj gruas apo dhuna në familje është parë gjithmonë si një aspekt, ku flamurin e ka shoqëria civile dhe ajo duhet të merret me këtë, dhe shteti duhet të bëjë vetëm rolin e lehtësuesit. Nuk mendoj se duhet të ndodhë kështu. Shteti duhet të marrë përgjegjësitë e veta, kur vjen fjala për aspekte të tilla për jetën, shumë të rëndësishme të familjeve e komuniteteve. Së dyti, ka një paradoks tjetër që ndodh prej vitesh. Sa herë trajtohet ky problem, përpiqen të ndërgjegjësohen gratë e dhunuara, ndërkohë që dhunuesit janë komplet jashtë fokusit. Duhet bërë më shumë punë me dhunuesit. Dua t’i referohem një rasti shumë interesant që bëri xhiron e botës. Një reporter i sportit në SHBA, përpara një ndeshjeje shumë të rëndësishme futbolli, arriti të predikonte për 4-5 minuta raste dhune të ndodhura në shtetin e tij, duke i ftuar burrat të marrin rolet e tyre kundër këtij fenomeni. Duhet punuar me ndërgjegjësimin, dhe unë e besoj këtë.

Është çështje ndëshkimi edukimi i burrave apo është çështje “edukimi”?

Unë mendoj që është çështje edukimi. Por edukimi është një proces që kërkon shumë kohë dhe sigurisht ndëshkimi është një penalitet i cili duhet të jetë prezent, për sa kohë dhuna, përbën një akt, i cili dënohet nga Kodi Civil…apo dhe nga Kodi Penal.

Kur kritikoni shtetin që nuk e bën punën e tij, që kjo është thjesht një çështje e shoqërisë civile… kë keni parasysh?

Unë kam parasysh të gjitha institucionet. Janë shumë institucione që ndërlidhen në këtë çështje. Fjala vjen, ne i referohemi gjithmonë shtetit, kur bëhen referimet në strukturat e policisë. Sa herë ndodh një dhunë, personi gjithmonë duhet të shkojë në polici. Në Shqipëri nuk ndodh kjo. Në Shqipëri rastet e referuara janë shumë të pakta, se ne e dimë cila është tradita, ose se cili është mentaliteti i grave, i burrave dhe i vajzave, dhe i familjeve shqiptare. Shumica e njerëzve, kur prodhojnë dhunën, shkojnë tek familjarët. Duhet bërë më shumë punë nga ana e institucioneve, që lidhen me arsimin me Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe me njësitë vendore. Nuk dua të jap një pamje totalisht të errët, sepse ka përpjekje të përditshme që bëhen për të luftuar këtë fenomen, duke filluar nga organizata të caktuara, shoqëria civile. 5-6 prej këtyre organizatave mund të jenë pjesë e rrjetit kundër dhunës në familje. Ata bëjnë një punë kolosale, shoqata të krijuara që në fillim të viteve 90-të dhe për më shumë se dy dekada bëjnë një punë të jashtëzakonshme në dobi të komuniteteve.

Për t’i ndërgjegjësuar?

Jo vetëm ndërgjegjësim, por edhe për t’i asistuar rastet.

A mendoni që e gjitha kjo në vetvete është dhe çështje ekonomike, në kuptimin që stresi i një ekonomie të varfër shpërthen dhe në formën e dhunës?

Natyrisht është, në një masë goxha të madhe. Por janë dhe faktorë të trashëgimisë dhe historisë që ne kemi pasur. Sigurisht janë ndërthurur fuqishëm të gjitha problemet e një rrugëtimi të gjatë të Shqipërisë në tranzicion.

Viti 2014, si ishte eknomomikisht? Jo për ju personalisht, flas në konstanten shqiptare, ekonomia shqiptare, si është ekonomia shqiptare në analizën tuaj?

Por tani të gjithë biem dakort që vitet e fundit ekonomia shqiptare ka pasur një problematikë të shtuar, pjesërisht edhe për faktin që ishte një krizë e përgjithshme financiare dhe ekonomike që kalonte kufijtë e Shqipërisë. Shqipëria u bë pjesë e saj dhe për shkak të të gjitha problemeve të akumuluara gjatë tranzicionit. Ne vazhdojmë të jemi nën efektin e gropave të tranzicionit. Të gjitha këto që shohim, problemet e energjisë, informaliteti, problemet me pensionet, kontrolli mbi territorin të ndërtimeve të paligjshme, janë gropa të mëdha të krijuara nga periudha e tranzicionit. Shteti ende nuk ka dalë nga pelenat e tranzicionit. Do t’i duhet pak kohë. Vetë personalisht kam një ngushëllim modest. Kemi humbur shumë kohë dhe duhet shumë punë për të fituar kohën e humbur. Ndërkohë përpara gjithë kësaj problematike nuk besoj se ka nevojë të mendohet shumë, për të gjetur zgjidhje. Duhet vepruar shpejt, që ajo kohë e humbur të fitohet.

Veprimi i shpejtë dhe i vendosur ndonjëherë është dhe me kosto ?

Është shumë e rëndësishme mendoj unë, që Shqipëria dhe shqiptarët të jenë në një të ardhme të afërt, në një skenar të sigurtë për ekonominë e tyre dhe për ekonominë e vendit.

Në këtë kuptim e shikoni 2015-n me optimizëm?

Unë dhe vitin 2014 e kam parë me optimizëm, një vit më parë…

Dhe nuk je zhgënjyer?

Jo nuk jam zhgënjyer, si në planin qytetar, por edhe në planin profesional. Kam bindje të thellë që Shqipëria e 2015-s, si dhe në vitet që do vijnë, do rikuperojë shumë, shumë vite të humbura, mbase jo për faj të saj, por për shkak të një një tranziconi të zgjatur përtej disa limiteve të nevojshme…

Po flasim dhe natyrisht prespektiva është tek 2015, sepse kjo është e diela e fundit e 2014 dhe jemi në kapërcimin e viteve. Familja Rama, ku do e bëjë Vitin e Ri?

Në shtëpi.

Kam dëgjuar që do hyni në shtëpi të re..?

Po. Këto ditë unë jam marrë me transferimin. Më në fund do kemi në një shtëpi tonën. Gjithë qëllimi im ishte që bashkë me Zahon dhe dy femijët e tjerë të bënim Vitin e Ri në një shtëpi të re, pasi shtëpia e re është një ogur i mirë. Unë jam marrë shumë me shtëpinë, pasi Edi është i impenjuar me detyrimet e tij. Kontributi im ka përshkruar fillin e kreativitetit të Edit ndaj vështirësia ime ka qenë e disa-fishtë. Por, ndjehem mirë… sepse banesa është një banese e ngrohtë e realizuar me materiale të thjeshta, të zgjedhura nga dora e një artisti.

Shija e Edit dhe ekzekutimi i joti?

Po (qesh), kështu ndahen në shtëpinë tonë. Me materiale të varfëra do t’i quanin ndërtuarit. Psh, materialet që kanë bërë shtëpinë, janë betoni, çimento, llamarina, hekuri… Ai e sheh vlerën tek të jetuarit, tek mënyra e jetesës, jo tek materialet, dhe unë e besoj këtë.

Mezi prisni? Mezi po e prisni të jeni në këtë strehë, në strehën e re…?

Po, për të qënë e sinqertë…

Deri tani familja kryeministrore ka qenë e pa strehë?

Jo, ne kemi qenë në një shtëpi. Kur jam shprehur në intervistën time të parë që ne do të jetojmë në një shtëpi me qera, shumë veta më kanë kritikuar. Më thanë: “Si e the ti këtë?. “Kush ta beson që ju do të jetoni në një shtëpi me qera?”. Unë u ndjeva shumë keq, mbase dhe nga moseksperienca me mediat. M’u duk sikur kisha bërë një gabim të madh. Por i binte që po të shprehesha ndryshe, të mos thoja një të vërtetë. Dhe ja kaluam 4 vite në atë shtëpinë e vogël me qera, që jam e bindur që bashkë me Edin do na mungojë shumë. Por tani do të kemi një strehëz më të madhe, pasi dhe jemi bërë më shumë në shtëpi.

Dhe unë ju uroj jetë të lumtur natyrisht në atë strehëz. Me këtë që më thatë në lidhje me shqetësimin, se si do e presin njerëzit. Më kujtohet një këshillë, që Hilary Clinton ia jepte Cherie Blair, kur burri i Cherie u bë kryeministër. Ajo i thoshte pikërisht këtë: “Duhet ta kuptosh, – tha ajo, – që nuk mund t’u bësh qejfin të gjithëve gjatë gjithë kohës dhe sigurisht që nuk mund t’i bësh qejfin shtypit, ndaj duhet të bësh atë që ti e mendon të drejtë për ty dhe për sa kohë diçka është e drejtë për ty, mos e vrit shumë mendjen se çfarë thonë të tjerët”. Ti ke pasur tendencën t’i kënaqësh të gjithë?

Duhet të sqarojmë pak pozitat e mia dhe ato të Cherie Blair. Unë nuk jam vendosur në ato pozita. Ajo ka qenë protagoniste në partinë laburiste. Njëkohësisht dhe figurë e spikatur e Partisë Laburiste e një grua shumë aktive në krah të Toni Bler. Unë nuk jam vendosur në ato pozicione asnjëherë. Kam dashur, dua dhe do të dua gjithmonë të bëj atë, kam shumë dëshirë të them, atë që bën çdo grua shqiptare, në fakt e bën çdo grua, kudo, po kam dëshirë ta them shqiptare, sepse ndjehem shumë rehat në këtë guacën e traditës të grave shqiptare dhe të vlerës së grave shqiptare, të dedikuara, që të jem shumë afër dhe e dobishme pranë Edit, duk e çmuar maksimalisht dobinë që ai ka, për të ushtruar sa më mirë detyrën e tij. Në fakt e thashë dhe më parë, suksesi i Edit transmetohet në një jetë më të mirë për shqiptarët dhe për vendin.

Duke iu referuar një interviste të Ramës, vendin në histori ia keni lënë Ramës, për vete keni preferuar vendin pranë tij?

Ky është vendi im.

Një urim për shqiptarët për 2015-n?

Viti 2015 uroj të jetë vit më i mirë. Do doja që çdo shqiptar në familjen e tij të ishte i gëzuar dhe me shëndet të plotë. Kushdo që e ka mundësinë, ta kthejë kokën tek një njeri në nevoje, do isha shumë e lumtur, nëse çdo shqiptar që ka mundësi ta bëjë, do e bëjë.

 

Panorama

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here