Kryeministri Berisha është shprehur i vendosur për të kaluar ligjin e ri për SHISH . I pyetur gjatë konferencës me presidentin kosovar Sejdiu, Berisha tha se në Shqipëri nuk do të ketë zyrtar pa mandat.
Pikërisht në ndryshimet e reja të ligjit, mandati i kreut të SHISH-it kufizohet me 5 vjet.
“Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandate. Ky është një qëndrim përfundimtar i imi. Vendet e NATO-s në tërësinë e tyre kanë të gjithë zyrtarët pa përjashtim me mandate të ndryshme, që janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”, deklaroi kryeministri Berisha duke folur për herë të parë për cështjen e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ndërkohë edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka shprehur të njëjtin mendim me Kryeministrin Berisha përsa i përket përcaktimit të mandatit të kreut të SHISH-it, por ndryshe nga kreu i qeverisë, Meta tha se cdo ndryshim në ligj duhet bërë në bashkëpunim me Aleancën e NATO-s.
“Është tepër parimore që cdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar. Kjo është mëse normale që të vendoset një afat ligjor, por njëkohësisht është e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmëtrinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Cdo ndryshim është e rëndëishme të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me aleancën.“ theksoi Meta.