Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në rrethin e Kurbinit ku pas një shkëmbimi zjarri mes 3 vëllezërve ka mbetur e vrarë mbesa 8-vjeçare dhe është plagosur babai i saj.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në fshatin Gjorm të Kurbinit kur 3 vëllezërit Cara kanë patur një sherr në njërën prej banesave të tyre. Sipas policisë dy vëllezërit Aleksandër dhe Llesh Cara kanë rrëmbyer armët dhe kanë qëlluar në drejtim të vëllait tjetër, Mark Cara.
Si pasojë e ngjarjes ka mbetur e vrarë 8-vjeçarja Lule Cara, ndërsa është plagosur babai i saj Mark Cara.
Menjëherë i plagosuri është dërguar drejt Spitalit Ushtarak për një ndihmë më të specializuar mjekësore ndërsa policia ka shoqëruar në polici edhe dy vëllezërit Aleksandër dhe Llesh Cara.
Dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë një konflikt pronësie mes vëllezërve Cara ndërkohë që policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.