Home Sport Kuqezinjtë synojnë që të vazhdojnë me rezultatet pozitive

Kuqezinjtë synojnë që të vazhdojnë me rezultatet pozitive

609
0

Përfaqësuesja jonë, të dielën pasdite ka udhëtuar drejt Bjellorusisë, ku të martën e pret ndeshja e radhës në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.

Në këtë takim, ekipi kuqezi do të jetë me mungesa të shumta për shkak dëmtimesh. Përveç Debatik Currit që ka këputur ligamentet javë më parë, kuqezinjve do t’u mungojë Erion Bogdani për shkak të kartonëve dhe Lorik Cana, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit kundër Bosnjës.

Pavarësisht këtyre mungesave, kuqezinjtë, të cilët nuk kanë humbur për 8 ndeshje radhazi synojnë që të vazhdojnë me rezultatet pozitive.

“Kemi mungesa të mëdha për ndeshjen me Bjellorusinë, por unë jam i bindur se shtabi teknik do t’i gjejë zëvendësimet e duhura”, shprehet Armend Dallku.

Mbrojtësi theksoi se për Shqipërinë do të ishte i favorshëm edhe një barazim në përballje me bjellorusët. Por, ai paralajmëroi se kuqezinjtë do të tentojnë që të shënojnë edhe fitore.

Kuqezinjtë pas tri ndeshjeve të zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, zënë vendin e dytë në Grupin D, me pesë pikë të grumbulluara, një më pak se lideri i grupit, Franca

***

Kanë dhënë më të mirën ndaj një kundërshtari cilësisht më të mirë se Shqipëria, por edhe janë shpërblyer. Madje, kanë pasur me vete edhe fatin, të paktën në dy goditjet e transversës së Beqajt, teksa boshnjakët i janë afruar ndjeshëm golit të fitores. Kanë gëzuar mjaft në fund të 90-minutave të ndeshjes së të premtes, edhe për faktin se kanë marrë vesh se mbeten të parët në grupin D. Ngaqë Bjellorusia kishte barazuar 0-0 në Luksemburg, gëzimi ka qenë edhe më i ligjshëm. Lojtarët e kombëtares mundohen të shikojnë përpara, duke e kthyer “fletën” nga Bjellorusia, me të cilën do të ndeshen më 12 tetor në Minsk, në një ballafaqim rivalësh direktë, që pozicionohen në krye, me pikë të barabarta (nga 4 pikë), por nuk hezitojnë ta konsiderojnë të suksesshëm barazimin me Bosnjën. Pas pikës së marrë të premten, e cila i lë të pamposhtur kuqezinjtë, këta të fundit shprehen me nota optimizmi:
Klodian Duro: “E meritonte një rezultat pozitiv i gjithë populli shqiptar, por në veçanti ai trajner që po vuan dhe e ka përjetuar në një gjendje jo të lehtë, atje në dhomën e spitalit. Arritëm që të gjithë së bashku t’i dhurojmë Kuzhes një shpresë, duke i treguar që e gjithë Shqipëria është me të. Kjo u pa qartë me atë që ndodhi në shkallët e stadiumit, por edhe në fushën e lojës, ku të gjithë bënë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Meritë pa dyshim ka trajneri ynë, që ka ditur ta ndërtojë këtë ekip që nga dita e parë që ka ardhur. Hapat i kemi bërë të vegjël, i kemi vlerësuar të gjitha ndeshjet njëra pas tjetrës. Ndaj Bosnjës nuk bëmë as më shumë e as më pak thjesht treguam forcën e ekipit kombëtar. Jam i bindur që mund të bëjmë më tepër në vijim. Nuk ishte e lehtë pas asaj që i ndodhi trajnerit, megjithatë ne të gjithë si grup ditëm që të bëjmë më të mirën. Për sa i përket golit, në ato momente unë po qetësohesha dhe po vëreja pozicionin e portierit. Sepse unë shpresoj shumë te gabimet e portierit në të tilla momente. Sa herë ekzekutoj goditje dënimi, kërkoj atë këndin ku portieri e ka më të lehtë. Goli më ka lumtuar pa masë, sikurse ka gëzuar gjithë skuadrën dhe tifozët. Bosnja kishte një ekip të fortë, kjo u pa edhe në të vetmin rast që krijoi para portës na shënoi. Me Bjellorusinë nuk do të luajmë në “Qemal Stafa”, megjithatë shqiptarët kanë gjetur kohë dhe e kanë ndjekur ekipin kudo ku ne kemi luajtur në vendet e botës. Nuk ndihemi më jetimë kudo që luajmë. Mendoj që i gjithë populli shqiptar duhet të gëzojë pas pikës me Bosnjën. Që nga sot do të mbledhim forcat dhe do të mendojmë për ndeshjen e radhës me Bjellorusinë. Të premten ka qenë një ditë e vështirë për të gjithë familjen time, por edhe fisin, sepse kemi humbur një nga njerëzit tanë më të afërt, xhaxhanë në Përmet. Zoti lart është i madh, ndaj edhe atë gol ia dedikova atij, sepse vetëm 4 orë para se të fillonte takimi ai prehej i qetë.”
Erion Bogdani: “Ekipi ynë luajti shumë mirë, pasi kishim përballë një kundërshtar të fortë si Bosnje Hercegovina. Jemi të lumtur me këtë rezultat dhe mendoj se do të kemi vazhdimësi. Mund ta vazhdoja sfidën në pjesën e dytë, sepse vendosa lente. Ishte hera e parë që më ndodhte dicka e tillë, edhe pse në futboll ndodh gjithcka, kur kundërshtari më fut duart në sy, duke më dëmtuar. Shpresoj të kemi sukses në ndeshjet e ardhshme.”
Arian Beqaj: “Patjetër që na kënaq barazimi. Fitorja është objektivi ynë kryesor në të gjitha takimet, por duke parë se si rrodhën ngjarjet, mendoj se jemi mirë edhe me 1 pikë. Për golin e Ibisevicit nuk mund të them asgjë, sepse ishte i shpejtë dhe shumë i bukur. I lë të tjerët ta gjykojnë atë. Di të them që edhe goli i Duros ishte në të njejtën shkallë kundërpërgjigjeje. Jemi sërish me moral të lartë. Kemi një ndeshje të vështirë në Bjellorusi, kemi edhe mungesa, por nëse dalim me pikë edhe nga ai stadium, jemi në rrugën e duhur. Barazimi i tyre në Luksemburg sigurisht që është në favorin tonë. Nuk kisha aspak frikë nga Dzeko, Ibisevic e të tjerë, sepse jam profesionistë. Ata kanë kualitete dhe mund të të shënojnë në të gjitha momentet, por fati e deshi që të dalim barazim, 1-1.”
Ansi Agolli: “Mendoj se barazimi ishte rezultati i drejtë, nisur nga ajo që u pa në fushën e blertë. Më vjen keq për momentin e golit të barazimit, sepse kisha pësuar një dëmtim në gjurin e djathtë, një carje më saktë. Duhet të isha në fushë në atë moment, por janë gjëra që ndodhin. Kemi një lajm shumë të mire, që ka barazuar Bjellorusia. Tani jemi me moral të lartë, sepse barazimi nuk është rezultat negavit.”
Ervin Skela: “Për sa i përket aktivizimit tim, ishte një zgjedhje e trajnerit, që të luaja në pjesën e dytë. Do të shikonim se si do të reagonte Bosnja, pastaj të aktivizohesha ose jo. Për aq sa luajta, u mundova që të jepja maksimumin. Në momentin që Lila bëri një kalim shumë të bukur, unë isha bosh. Shpërdoruam shumë, megjithatë fragmente të tilla janë pjesë e lojës. Jam i gëzuar që Klodi shënoi një gol fantastik. Fillimisht mendova se ishte penallti, kur u prek topi me dorë nga mbrojtësi mik. Kjo pikë ishte shumë e vlefshme, më vjen shumë mirë që ka barazuar edhe Bjellorusia në ndeshjen me Luksemburgun. Ne do të shkojmë në Bjellorusi me një besim shumë të madh dhe optimistë për të marrë më të mirën nga ajo sfidë.”

Kampionati Europian 212, Grupi D kualifikues
08.10.2010, ora 20:30; stadiumi “Qemal Stafa”, Tiranë

SHQIPERI-BOSNJE HERCEGOVINE 1-1
Shënues: K.Duro 45′ / Ibisevi? 21?
SHQIPERIA: Beqaj, Lila, Vangeli, Dallku, Cana, Agolli, Bulku, Duro, Salihi (Hyka 85?), Muzaka (G:Lika 65?), Bogdani (Skela 46?). Trajner: Džemal Mustedanagi?.
BOSNJA: Hasagi? (Begovi? 46?), Mujdža, Spahi?, Mravac (Pandža 46?), Luli?, Rahimi?, Medunjanin, Pjani?, Misimovi?, Ibiševi?, Džeko (Ibri?i? 90?). Trajner: Safet Suši?.
Gjyqtar: Kristinn Jakobsson (Islandë).
Kartonë të verdhë: Dallku, Bogdani / Luli?, Mravac, Spahi?
Ka përfunduar me një barazim të merituar dhe të kënaqshëm dje, ashtu sikurse ka nisur me një ndryshim të paparashikuar, ndeshja me Bosnjë Hercegovinën. Ballafaqim që ka thirrur në stadium mijërat e tifozëve kuqezinj, por edhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe dy kryeministrat respektivë. Madje, kryeministri ynë, Sali Berisha, e ka bërë këtë gjë pas 15 vitesh, nga hera e fundit kur kishte shkelur në një stadium futbolli, cka tregon se Kuzhe dhe të besuarit e tij kanë elektrizuar një komb të tërë.

Ndryshimi i formacionit titullar kuqezi lidhet me nisjen nga stoli të Ervin Skelës, ndërkohë që në fushë hidhet nga fillimi Ervin Bulku. Që këtu duket se frymëmarrja e lojës sonë do të jetë e vështirë, fantazia e manovrës ndërtuese të tanëve do të mungojë. Duket qartë se kemi hyrë në fushën e blertë për të shkatërruar, më shumë se për të krijuar dhe ndërtuar. Edhe pse reparti ynë ofensiv përbëhet nga dy lojtarë, Bogdani dhe Salihi. Mbrojtja, në vijë të drejtë, ka dyshen e qendrës, Cana-Dallku, ndërsa nga krahët luajnë respektivisht; Vangjeli në të majtë dhe Andi Lila në të djathtë. Përpara tyre, në mesfushë, në të majtë është Agolli, ndërsa në kahun tjetër vendoset Muzaka. Para mbrojtjes, me funksione mesfushori shkatërrues, është Ervin Bulku, që asiston Klodian Duron, me detyra të ndërtimit të aksioneve.
Dyshja sulmuese, sikurse e tregoi edhe loja, mbetej aq e distancuar nga pjesa tjetër e skuadrës, sa e kishte thuajse të pamundur ta vinte në provë portierin mik. I cili ka qenë spektator deri në minutën e 30-të të ndeshjes, kur Hamdi Salihi ka nxjerrë nga repertori i vet një goditje predhë, prej një largësie 16-metrash, duke trondditur traun e portës boshnjake. Një veprim sporadik deri në ato momente, që ishte shumë pak për të kompensuar atë dominim total të miqve në zotërimin dhe qarkullimin e topit, që kishin gjetur edhe golin e parë të ndeshjes në minutën e 21-të, me anë të Ibishevicit. Gjatë gjysmëorës së parë të ndeshjes janë evidentuar dukshëm dy pika mjaft të dobëta të skuadrës sonë. Krahu i majtë, mesfushë-mbrojtje, duke mos rakorduar dot veprimet e lojtarëve që patrullonin aty, bën gabime të shumta, duke u dhënë mundësinë boshnjakëve të rrezikojnë lehtësisht. Duke ua dhuruar topat, që mbahen me tepri të pakuptueshme nga Vangjeli dhe Agolli, sulmuesit miq gjenden me thjeshtësi para portierit Beqaj. I cili, bashkë me Canën dhe Dallkun, detyrohet t’i përveshë mirë mëngët. Trajneri boshnjak, Sushic, duket se e ka studiuar me detaje skuadrën tonë, ndaj ngulmon të sulmojë në të majtë të prapavijës sonë, aty ku pikon catia kuqezi. Dhe që këtej vjen goli i miqve.
Pika tjetër e dobët është mesfusha jonë, në aspektin ndërtues, ku mungesa e Skelës ndihet në maksimum. Duro, që ka marrë përsipër këtë detyrë, nuk ngrihet në nivelin e duhur, edhe për shkak se duelet fitohen në shumicën e rasteve nga kundërshtari direct i tij, Pjanic. Mungesa e fantazisë së mesfushës kuqezi derivon në pasime të gjata, që nisen nga portieri Beqaj dhe Agolli drejt dyshes së sulmit, Bogdani dhe Salihi. Por këta të fundit bien në darën e mbrojtjes kundërshtare, e përbërë nga 4 lojtarë, që mbetet e tillë edhe në fazën ofensive të Bosnjës. Krahu i djathtë i mesfushës sonë nuk tërheq përpara. Muzaka nuk ka performancën e dy ndeshjeve të para kualifikuese, nisur edhe nga fakti se mbahet në pozita difensive nga kundërshtari boshnjak, që ka përballë. Tanët e dorëzojnë topin që në pasimin e parë, cka u jep mundësinë boshnjakëve të jenë pjesën më të madhe të kohës në posedim të sferës, të cilin e qarkullojnë saktë, me një takim, duke nxjerrë thuajse jashtë loje edhe digën shkatërruese të kuqezinjve, të nisur nga Duro dhe pasuar nga Bulku. Me një lojë të tillë, ku Shqipëria i lejon më tepër terren se duhet kundërshtarit, kalojnë të gjitha minutat e pjesës së parë. Por, kur të gjithë po prisnin që skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes me fitoren e miqve, vjen edhe gabimi i parë i boshnjakëve. Një mbrojtës i tyre e kap topin me dorë, mbi vijën e 16-metrave, paksa në të majtë të sulmit tonë. Gjyqtari i ndeshjes akordon goditje të lirë, që merret përsipër të ekzekutohet nga Duro, deri në atë moment në hije. Dhe shpagimi vjen, teksa elbasanasi kuqezi “pikturon” me mjeshtëri golin e barazimit. Topi i goditur prej tij përfundon në këndin e majtë të portës mike, aty ku Hasagic nuk ka cfarë të bëjë, përvecse ta nxjerrë sferën nga rrjeta. Mbyllje më të mirë të një pjese të parë, të përvuajtur për tanët, nuk mund të kishte.

Pjesa e dytë nis me një zëvendësim për Shqipërinë. Erion Bogdani, disi i dëmtuar, ia lë vendin Skelës, duke e lënë sulmin tonë në duart e Salihit, ndërsa në “kullën e regjisë” kuqezi ngjitet ustai i duhur, por që fatkeqësisht vuan mungesën e freskisë fizike, si rezultat i mosingradimit me ndonjë ekip qysh në qershorin e këtij viti. Duket qartë se stafi ynë teknik kërkon të rregullojë dicka në frymëmarrjen e mesfushës kuqezi, aty ku calon orkestra shqiptare. Tashmë kombëtarja shqiptare nuk është aq pritëse sa më parë. Presioni ndaj boshnjakëve fillon që në mesfushë, duke tentuar t’i mbajmë sa më larg yjet e sulmit kundërshtar, Ibisevic-Dzeko. Entuziasmi i fituar falë golit të Duros në fundin e pjesës së parë ka bërë të vetën te tanët, që guxojnë dhe besojnë më shumë, nuk stacionohen në prapavijën e tyre, por shohin përpara. Me daljen e Bogdanit, në ndihmë të Salihit vihen Skela dhe Muzaka, që janë mjaft të lëvizshëm dhe shqetësues për boshnjakët. Tek të cilët duket njëfarë trullosjeje, duke parë kuqezinjtë që kanë ndryshuar fytyrë, si me magji. Tashmë është mesfusha jonë, që merr në dorë frenat e lojës. Boshnjakët detyrohen të adresojnë topa të gjatë të Dzeko dhe Ibisevic, që angazhojnë në një punë të vështirë, por të kryer gati në perfeksion, trion kuqezi, Dalku-Cana-Beqaj. Tashmë kemi njëfarë zhbilancimi në prapavijë, cka mundohet të shfrytëzohet nga miqtë, që të bëjnë me zemër në disa raste, sidomos në goditjet me kokë të Dzekos. Por fati e do që në radhët e Shqipërisë të luajë një lojtar si Cana, që në ndeshjen e mbrëmshme jo vetëm ka eklipsuar totalisht një superlojtar si Dzeko, por ka qenë “gardiani” kryesor i pikës së marrë. Minuta e 60-të shënon një moment kritik të tanët, teksa goditja e dënimit, e ekzekutuar nga Pjanic, grushtohet me vështirësi nga Beqaj, por duhej edhe ndihma e traut të portës kuqezi, për ta mbajtur të pandryshuar barazimin 1-1. Muzaka shfaq shenja lodhjeje në këtë fraksion të lojës, ndaj ia lë vendin Gilman Likës. Tashmë formacioni ynë ka më shumë kreativitet dhe lojë ofensive, cka vendos ekuilibrat në fushën e blertë.
Ekuilibra të cilët nuk u prishën as në rezultatin e ndeshjes, falë edhe fatit për tanët, që janë drithëruar në një tjetër rast, në fundin e lojës, nga një goditje dënimi e Pjanic, që është ndalur vetëm nga trau i kuadratit të mbrojtur nga Beqaj. Si për të shkuar në të njëjtën linjë edhe me barazimin e ndeshjes tjetër, Luksemburg-Bjellorusi 0-0, për të mos ndryshuar asgjë, sa i takon kreut në grupit tonë kualifikues. I cili ka sërish në krye Shqipërinë e pamposhtur të Josip Kuzhes prej 8 ndeshjesh, në të njëjtën kuotë pikësh me bjellorusët. Si për ta intriguar maksimalisht ballafaqimin direkt të tyre, pas katër ditësh, në Minsk. Ku do të ndryshojë, ndoshta, edhe kryesimi në duet i grupit D. I cili, sa i përket raundit të tretë të kualifikueseve, do të përcjellë të shtunën edhe sfidën Francë-Rumani. Për të strukturuar edhe renditjen momentale të grupit D, ku kuqezinjtë janë “violinë e parë”.
**********
Kuzhe këmbëngul të jetë pranë kombëtares: Më mirë të vdes pranë ekipit!
Josip Kuzhe i ka detyruar mjekët dhe drejtuesit e FSHF-së, që të shkojë e t’i takojë lojtarët kuqezinj para ndeshjes me Bosnjën. Trajneri i kombëtares nuk e pranon dot faktin, që të mund qëndrojë larg skuadrës. Ndaj, këmbëngulja e tij i ka bindur drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit që t’i organizojnë një takim në mesditë me skuadrën përfaqësuese, ndërsa edhe mjekët i kanë dhënë leje për të dalë vetëm për pak orë nga spitali. Edhe pse është takuar me thuajse të gjithë futbollistët gjatë këtyre tri ditëve të fundit në spital, edhe pse ka qenë në kontakte të vazhdueshme me stafin teknik të kombëtares, duke u dorëzuar atyre edhe skemat dhe formacionin për përballjen me boshnjakët, trajneri nuk është pajtuar me idenë se nuk mund të bisedonte me skuadrën përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Madje, dëshira e tij i ka kaluar të gjitha caqet, në momentin kur drejtuesi i stolit u shfaq i gatshëm që të përkeqësonte gjendjen shëndetësore, duke rrezikuar edhe jetën, vetëm për t’u dhënë kurajo kuqezinjve. “Nëse kam për të vdekur, më mirë preferoj të vdes pranë skuadrës sime,” – kanë qenë fjalët prekëse të kroatit, përpara të cilave janë stepur dhe dorëzuar të gjithë, madje edhe mjekët e spitalit, që po e ndjekin situatën shëndetësore në përmirësim të Kuzhes. “Jeta ime lidhet me futbollin dhe skuadrën time e pret një ndeshje e rëndësishme. Nuk kam si të mos i takoj futbollistët. Dua të shkoj në Durrës dhe të flas me të gjithë përpara sfidës me Bosnjën”.
***
Cana: Tifozët, forca e madhe e Shqipërisë
Hoteli ku është grumbulluar përfaqësuesja shqiptare vizitohet shpesh nga tifozët, që dëshirojnë të marrin autografe nga futbollistët më me emër, pse jo të bëjnë foto me idhujt e tyre. Dje, gjatë konferencës për shtyp të Bogdanit, Salihit dhe Agollit, nga dritarja e sallës së mbledhjeve rreth 20 të rinj tifozë kishin rrethuar Lorik Canën, duke bërë foto e marrë autografe.

Si gjithmonë, i gatshëm për t’ua plotësuar të gjitha dëshirat, Cana ka kaluar disa minuta mes të rinjve, që kishin ardhur për ekskursion nga Kosova. Sapo shkëputet prej tyre, Cana jep këtë koment: “Pa mbështetjen e tifozëve loja nuk ka bukuri. Ata gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten lojtari i 12 të i kombëtares shqiptare. Janë një forcë e madhe për ne dhe na shtyjnë më shumë për të kërkuar fitoren në çdo ndeshje.

” Paraditen e djeshme ka folur kokë më kokë me Kuzhen, duke marrë udhëzimet përkatëse si lider i padiskutueshëm i mbrojtjes. “Duam të fitojmë edhe për Kuzhen, që nuk do të jetë në pankinë. Ai po vuan shpirtërisht ngaqë nuk mund të jetë pranë nesh. Ai është i pazëvendësueshëm, megjithatë ne do të mundohemi që t’i zbatojmë detyrat që na ka dhënë.
Do të japim maksimumin dyfish edhe për Kuzhen, – deklaron Cana, tek i cili pritet shumë, për të mos e lejuar Dezkon&Co të shënojë. – Është e vërtetë që pritet shumë nga ne, lojtarët me përvojë. Detyra ime është ta pozicionoj sa më mirë skuadrën në fushë dhe t’i përcjell mentalitetin e duhur.” Dy fjalë edhe për deklaratën e trajnerit boshnjak, Safet Sushiç, që e konsideron Canën një “yll” në perëndim: “Ndoshta ka të drejtë!” Përgjigjen më të drejtpërdrejtë kreu i pankinës boshnjake do ta marrë të premten, në orën 20:30, në “Qemal Stafa.”

BOSNJA
I pyetur për startin e kualifikueseve në grup, në kuadrin e Kampionatit Evropian 2012, ku Bosnjë-Hercegovina e tij fitoi ndeshjen e parë në Luksemburg, ndërsa humbi sfidën e dytë në shtëpi me Francën, Dzeko preferon të shikojë përpara, duke iu referuar së shkuarës, vetëm për të nxjerrë mësimet e duhura. “Është një pyetje e vështirë, kur më pyesni për këtë temë. Unë mund të them se shpresoj dhe besoj se nuk do të dështojmë për t’u kualifikuar në grup. Natyrisht, është ende herët për të folur në lidhje me objektivin final të këtyre kualifikueseve, nëse do të shkojmë apo jo në finalet e Evropianit të radhës. Fakti është se kemi shumë gjëra të duhura, që të shkojmë dhe të luajnë në këto finale, por duke i marrë ndeshjet një e nga një, me vlerësimin maksimal për secilin kundërshtar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here