Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi dje se vrasja e 4 personave në një lokal nate në Rrugën e Elbasanit ka ndodhur pas një sherri për drogë. Duke folur për emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, prokurori i Përgjithshëm u shpreh se është provuar se vrasësi është Kostandin Xhuvani. “Kemi një ministër aktual të qeverisë “Rama” nën hetim. Jemi në fazën fillestare të hetimit. Nëse do gjendet fajtor, patjetër që do ta arrestojmë”, tha Llalla në intervistë.
Le të flasim për ngjarjen e ditës së martë, ku humbën jetën 4 vetë dhe i dyshuari kryesor është Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes Xhuvani, si dhe i përfshirë djali i një kolegut tuaj.
Çfarë mund të na thoni për dinamikën e ngjarjes?
Ishte një ngjarje e rëndë, ku humbën jetën katër persona. Që në momentet e para të ngjarjes janë shoqëruar tre të dyshuar. Në aspektin personal ndaj dhimbjen më të thellë me familjarët e viktimave, ndërsa në atë profesional siguroj familjarët dhe gjithë shtetasit se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po kryen të gjitha veprimet hetimore, me intensitet, për të vënë para drejtësisë përgjegjësit.
Në aktpadinë që do të dorëzoni nesër në gjykatë, masa që do të kërkoni do të jetë “burg pa afat”?
Pa diskutim.
Prokuroria dukej se nuk kishte asnjë dyshim se kush ishte autori i ngjarjes…
Lidhur me këtë ngjarje ka pasur hetime intensive në vendin e ngjarjes, që vërtetojnë përgjegjësinë e shtetasit Kostandin Xhuvani. Kjo tregohet nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer pas arrestimit.
I akuzuari ka kërcënuar për të vrarë edhe policët që e kanë ndaluar?
Po.
Zoti Llalla, thoni se nuk keni asnjë dyshim për dinamikën e ngjarjes. Është provuar se i dyshuari ka qëlluar për të vrarë të 4 personat?
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani është kthyer në lokal për të qëlluar dy personat, ndërsa nga të dhënat e hetimit ka dyshime se dy të tjerët kanë vdekur në mënyrë aksidentale.
Thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë tjetër… Arma ka qenë e një prej viktimave?
Dyshimet janë të tilla që ka qenë e njërit prej viktimave.
Po lajtmotivi i ngjarjes?
Debatet mes palëve kanë lindur pasi i akuzuari i ka kërkuar drogë palës tjetër, që ishte duke konsumuar lëndë narkotike. Kjo ka shërbyer në fillimin e konfliktit, që më pas është përshkallëzuar.
Pra, vetëm për një dozë drogë?
Po.
Po viktimat kishin precedentë penalë?
Viktimat nuk kishin pasur. Nuk kemi një informacion që të tregojë se kishin.
Ky person dy vite më parë kreu një tjetër vrasje dhe u dënua lehtë. Ai u dënua 2 vjet dhe kreu 9 muaj burg. Mendoni se Prokuroria ka pjesën e saj të përgjegjësisë për mënyrën se si një individ i tillë u la i lirë kaq shpejt?
Është një ngjarje që ka ndodhur 3 vjet më parë, para se unë të merrja detyrën. Është një çështje që ka kaluar të gjitha fazat e hetimit dhe të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe është marrë ai vendim. Për të gjykuar nëse vendimi i gjykatës është i drejtë ose jo, mendoj se nuk është momenti i duhur, pasi është një vendim i ekzekutuar.
Opozita ka akuzuar qeverinë se e ka lënë të lirë Xhuvanin pas një ngjarjeje të ndodhur në prill 2014 në Gjirokastër. Pse prokuroria cilësoi më të vlefshëm një dokument spitali sesa dëshmitë e 2 apo 3 personave?
Prokuroria verifikoi kartelën klinike në spitalin e Elbasanit. Është pyetur personeli mjekësor, sipas të cilit rezulton se ky shtetas ndodhej atje natën e ngjarjes. Më pas prokuroria ka bërë paraqitjen për njohje. Ky shtetas është shoqëruar në Gjirokastër, ku është bërë njohja me të dëmtuarit, të cilët kur e kanë parë fizikisht, kanë thënë se nuk ka qenë ai agresori i asaj nate. Në këto kushte është bërë pushimi i pjesshëm i hetimeve.