Pa ndonjë eskortë specifike, i shoqëruar nga dy makina të thjeshta të delegacionit të BE në Tiranë, prokurori i Përgjithshëm i Kroacisë Dinko Zvitan, i cili arrestoi Kryeministrin e vendit të tij pak kohë më parë, mbërriti dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Zvitan ndodhet në Shqipëri në rolin e ekspertit, i ftuar nga delegacioni i BE për seancën e djeshme trajnuese me prokurorë, të cilët ndjekin hetimet kundër korrupsionit. Kryeprokurori kroat ndau eksperiencën e tij në një trajnim 2-orësh me prokurorët e Krimeve të Rënda.
Trajnimi u zhvillua në godinën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila në nivelin e zyrtarëve të lartë ka dënuar deri tani vetëm një ish-gjyqtar të akuzuar për marrjen e një ryshfeti prej 45 mijë lekësh të rinj. Gjatë trajnimit me kolegët shqiptarë, kryeprokurori kroat theksoi se kur ekziston vullneti, hetimet e mëdha mund të fillojnë edhe nga një raportim apo një foto e publikuar në media.
“Për të mbërritur te zyrtarë të nivelit të lartë të dyshuar për veprime kriminale, së pari duhet të ekzistojë vullneti dhe dëshira, si dhe integriteti i anëtarëve të prokurorisë dhe gjykatave”, mësohet të ketë thënë kryeprokurori kroat. “Ata që bëjnë një hetim të tillë duhet të jenë njerëzit e duhur, pasi në këtë proces duhet të mbizotërojë këmbëngulja dhe vetëmohimi”, ka thënë më tej Zvitan.
Ai ka nënvizuar se që të luftohet korrupsioni duhet të bëhen bashkë disa yje, duke lënë të kuptohet nevojën për bashkëpunimin e plotë mes institucioneve ligjzbatuese. Duke folur për mënyrën si u hetua ishkryeministri kroat Ivo Sanader, Dinko Zvitan u ka thënë prokurorëve shqiptarë se çështja penale filloi nga informacionet e dala në media.
“Gazetarët raportonin se Sanader mbante orë të shtrenjta, ku vetëm njëra prej tyre kushtonte 100 mijë euro. Për këtë arsye, ne vendosëm të nisim hetimet kryesisht kur Sanader sapo kishte lënë detyrën dhe ishte deputet e anëtar nderi i Kryesisë së partisë së tij, e sapodalë në opozitë”, ka thënë kryeprokurori kroat.
Sipas tij, vështirësia ishte vetëm në fillim, pasi synohej që të mblidheshin sa më shumë prova dhe për këtë ka pasur një bashkëpunim të mirë me Policinë dhe zyrën e taksave.
“Vetëm pas veprimeve hetimore, kërkuam imunitetin e Sanader, të cilin e akuzuam për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv dhe abuzim me fondet publike duke iu drejtuar gjykatës për arrestim”, ka treguar më tej Zvitan.