Home Aktualitet KQZ: Digjen fletët e Beratit dhe Shkodrës, me te kontestuarat nga opozita

KQZ: Digjen fletët e Beratit dhe Shkodrës, me te kontestuarat nga opozita

760
0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dogji dje pjesën e dytë të fletëve të votimit, të cilat i përkasin qarqeve të Shkodrës dhe të Beratit. Në mesditë prej magazinave të Rezervave Materiale në Lundër u nis edhe kamioni i dytë i ushtrisë, i cili transportoi për në Farkë një pjesë të fletëve të zonës së Shkodrës dhe të Beratit për t’u djegur. Për shkak të problemeve që u hasën dje me vendin e mbyllur, këtë herë djegia u realizua në një shesh 20 metra larg vendit të parë. Ashtu si dje, procesi monitorohej me kujdes nga përgjegjësi që ndiqte zbatimin e rregullave dhe sigurohej për djegien e plotë të fletëve. Punonjësit e KQZ-së po ecin me ritme shumë të shpejta dhe sipas llogarive, brenda dy javësh nuk do të ketë mbetur më asnjë nga fletët e votimit të 28 qershorit 2009.

Teksa në Farkë digjeshin fletët e votimit, në Lundër punëtorët vazhdonin punën duke hapur kutitë e fletëve dhe të materialeve zgjedhore. Ata kanë marrë në duar të gjitha kutitë e qarqeve Berat dhe Shkodër, të cilët për koincidencë janë edhe dy nga qarqet më të kontestuara nga opozita. Në animimet e bëra një vit e gjysmë më parë, opozita pretendonte se rezultati i zgjedhjeve në këto dy qarqe ishte i manipuluar.
“Shekulli” ka tentuar të hyjë në mjediset e brendshme të Rezervës së Shtetit, por kjo ishte e pamundur pa një autorizim konkret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Burime të gazetës bëjnë të ditur se deri në orën 14:00 janë hapur rreth 1200 kuti votimi.
KQZ ndodhet në kushtet e fillimit të procedurave për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 maj 2011, proces që paraprakisht do të kërkojë sigurimin në gjendjen fillestare të kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore minimalisht 3 muaj para datës së zgjedhjeve. Aktualisht, KQZ ka filluar me procesin e evidentimit të sasisë dhe gjendjes së materialeve ekzistuese për të parashikuar llojet, sasinë dhe buxhetin që do të kërkohet për zgjedhjet e ardhshme.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka deklaruar se për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore nevojiten rreth 750 milionë lekë. Aktualisht, i vetmi material zgjedhor që KQZ mund të parashikojë si gjendje dhe të ripërdorshme është kutia e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore që janë përdorur në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Punonjësit që po merren me hapjen e kutive janë duke bërë një vlerësim të gjendjes së tyre fizike, për të përcaktuar nëse do jetë e nevojshme për të parashikuar sasi shtesë të tyre.
Është parashikuar që procesi i hapjes së kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe zbatimit të procedurave të përcaktuara në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, të realizohet brenda një afati 60-ditor, që nga moment i marrjes së vendimit nga KQZ.

Hi dhe tym në vendin ku u dogjën fletët

Një pirg i madh hiri dhe tym është prova e vetme se dy ditë më parë në Lundër ka nisur djegia e fletëve të votimit. Nga kontrolli në vendin ku u realizua procesi, nuk u gjet asnjë fletë apo material tjetër, i cili kishte mbetur pa u djegur. Edhe pse kishin kaluar 24 orë nga ndezja e zjarrit, në vendin e djegies vazhdonte të dilte tym. Sipas llogarive që ka bërë KQZ-ja, janë rreth 10 mijë kuti votimi dhe kuti materialesh zgjedhore që do të hapen.
Në relacionin e përgatitur nga administrata e KQZ-së, parashikohet që procesi të ecte me ritme më të ngadalta. Ishte llogaritur që mesatarisht një punonjësi për të pastruar kutitë e votimit, ku përfshihet hapja, seleksionimi, pastrimi dhe sistemimi, do t’i duheshin 45 minuta dhe në një ditë, një punonjës do të hapte 4 kuti votimi. Nëse do të ruhej ky ritëm, për dy ditë KQZ do të kishte hapur rreth 320 kuti. Procesi i hapjes së kutive zgjedhore dhe djegies së fletëve të votimit do të kushtojë rreth 4.13 milionë lekë.


Proceset e punës që kryejnë punëtorët përfshijnë:

Hapjen e kutive të votimit, seleksionimin e bazës materiale, pastrimin nga etiketat dhe fletë të ndryshme të ngjitura në të gjitha kutitë, si dhe larjen e tyre.

Seleksionimin dhe evidentimin e materialeve që mund të ripërdoren si tamponët e vulave, vizore, stilolapsa, makinë llogaritëse etj.

Seleksionimin e vulave dhe asgjësimin e pjesës plastike nga tamponi, i cili mund të përdoret për prodhimin e vulave të reja në procese të tjera zgjedhore.

Ngarkimin, shkarkimin dhe asgjësimin e fletëve të votimit, procesverbaleve të të gjitha llojeve, kuti kartoni, ambalazhi dhe dhoma të fshehtësisë të dëmtuara etj.

Përgatitja dhe rikthimi i kutive në gjendjen fillestare.

***

Partia Socialiste ka akuzuar kryetarin e KQZ-së Arben Ristani si ushtarin e Saliut, i cili po bën çmos për të groposur dhe djegur faktet e krimit elektoral që ata gatuan sëbashku. Tashmë është e qartë tha në reagimin e saj deputetja e PS Vasilika Hysi, se Berisha i vodhi zgjedhjet dhe se shqiptarët po sundohen nga kryeministri i votave të vjedhura. Sipas PS-së vendimi për të burgosur për plot 25 vjet listat e zgjedhësve, do të shënonte një përshkallëzim të mprehtë të krizës.

“Pasi kishte deklaruar për muaj e muaj me radhë se nuk do t’i digjte fletët e votimit, dje Saliu filloi t’i djegë fletët si një kusar duke u fshehur rrëzave. Pasi deklaroi se ishte gati të pranonte hetimin e materialeve zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor, dje në një shkelje flagrante të ligjit ushtari i Saliut Arben Ristani dhe anëtarët e mazhorancës në KQZ ndërmorën një tjetër tentativë kriminale për të varrosur listat në arkiv për 25 vjet me pretekstin se na qenkërkan dokumente sekrete”- tha Hysi

Vendimet e KQZ-së të diktuara nga Berisha dhe jo nga ligjet e kodi elektoral, mund të kenë pasoja të rënda, tha ajo.

Pas largimit të medias nga magazinat e Lundrës, një kamion i ushtrisë u ngarkua dje në mesditë me thasë të mbushur me fletë votimi.


“Shekulli” ndoqi kamionin deri në bregun e Erzenit ku fletët u shkarkuan në një gropë intertesh në Farkë dhe iu vu flaka.


Fotot ekskluzive dëshmojnë se të parat u dogjën fletët e kontestuara të KZAZ-së 41 të Shkodrës

TIRANË – Pas më shumë se një vit e gjysmë debat për fletët e votimit të paktë ishin ata që besonin se fletët e votimit do të digjeshin vërtet. Por, djegia e tyre ka nisur dje në mesditë në mënyrë thuajse të fshehtë, ndërkohë që në KQZ ende diskutohej për djegien, apo jo të tyre.
Atyre u janë hedhur shtatë litra benzinë dhe u është vënë flaka në një pronë private në periferi të kryeqytetit, pranë zonës së njohur si Ura e Farkës. Hiri i fletëve të qarkut të Shkodrës (për çudi ishin pikërisht fletët e KZAZ 41 të Shkodrës, ato që u dogjën të parat) shënoi edhe fillimin e funeralit të transparencës së kërkuar nga opozita shqiptare për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Personeli i rekrutuar për të realizuar procesin e pastrimit të kutive u mblodh në orën 08:00 pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në pritje të urdhrit për t’u nisur për në Lundër, aty ku ruhen për një vit e gjysmë fletët e votimit. Rreth një orë më vonë, Drejtorja e Drejtorisë së Shërbimeve dhe Logjistikës Zgjedhore, Erida Dobrushi dha miratimin për nisjen e autobusit me punonjësit për në destinacion. Vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ndonëse ishte i pranishëm që në orët e para të mëngjesit, nuk preferoi që ta ndiqte nga afër procesin duke ia besuar atë personelit të administratës.
Vargu i mjeteve që shkonin për në magazinat e Rezervave të Shtetit bëhej edhe më i madh nga prania e lartë e medieve, të cilat shprehën interesin për ta ndjekur nga afër procesin. Roja priste një nga një punonjësit e KQZ-së dhe pas kontrollit fizik shënonte edhe emrin e gjithsecilit.
Më pas, rreth orës 09:15, punonjësit iu drejtuan magazinave ku mbaheshin kutitë. Aty u bë edhe ndarja e personelit në grupe me nga gjashtë persona, të cilët merreshin për pastrimin e kutive.
Hyrja për mediat u lejua në 11:30. Nga porta për tek magazinat nuk ishte më shumë se 200 metra. Kutitë ishin të renditura sipas radhës së qendrave të votimit dhe KZAZ-ve. Ndoshta koincidencë, por kutitë më problematike, ato të qarkut të Beratit dhe të Shkodrës, ishin në fillim të magazinës, nëse hyje nga ana perëndimore. Kutitë e Fierit ishin vendosur në një tjetër magazinë aty ngjitur. Bashkë me Tiranën, këto janë zonat më të kontestuara për manipulim të rezultatit zgjedhor.

Mbi çdo kuti ishte ngjitur edhe një letër, në të cilën stafi lajmërohej të tregonte kujdes për të mos i dëmtuar. Ndonëse në materialin që është përgatitur nga administrata e KQZ-së duhen 45 minuta për zbrazjen e një kutie votimi, në realitet koha ishte shumë më e shkurtër. Pasi bëhej vlerësimi nga supervizori, punonjësit ndanin veçmas ato që ishin të vlefshme për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.
Një nga personat merrej me hapjen e kodeve të sigurisë që kishte çdo kuti. Kodet së bashku me tamponët që përdoren për prodhimin e kodeve të sigurisë futeshin në qesen e zezë që ishte e destinuar për t’u djegur. Kutitë që kishin materiale për në Arkivin e Shtetit futeshin me kujdes në qese të tjera, të cilat kishin ngjyrë të dallueshme nga ato të fletëve. Një prej fugonëve solli edhe materialet që do të shërbejnë për pastrimin e kutive që do të ripërdoren.
Ngarkimi i materialeve në një nga dy makinat e ushtrisë zgjati jo më shumë se 10 minuta, ndërsa ngarkimi i dy fugonëve që janë në përdorim të KQZ-së, të cilët dërgonin materialet në Arkivin Shtetëror bëhej më ngadalë, sepse edhe kujdesi ishte më i madh.
Në orën 12:50 mediat u larguan, sepse fillimisht është thënë që fletët do të digjen në Sharrë. Ndërkohë që një pjesë e punëtorëve kishin mbushur si rrallë ndonjëherë lokalin dykatësh të një banori vendas. Pikërisht në atë moment, përballë portës kryesore të Rezervës së Shtetit, dëgjohen zhurma.
Një makinë e ushtrisë e ngarkuar me materiale del nga porta. E ndoqëm kamionin, por ai nuk u drejtua në Sharrë, por në Farkë. U ndal shumë pranë rrjedhës së lumit Erzen në krah të djathtë të Urës së Farkës. Aty niste një rrugë e shkatërruar që të shpinte në një si tip kanali të hapur nga një biznes i shitjes së hekurit dhe inerteve. Itinerari i kamionit ka qenë me sa duket një vendim i minutave të fundit.
Kalimi i kamionit u kundërshtua, madje nga disa prej administratorëve të bizneseve që ishin prezent kur ai mbërriti. Pak minuta më pas, shkarkimi i materialeve prej punëtorëve që ishin marrë me vete në makinën e ushtrisë solli tërheqjen e tyre, pas një marrëveshje të shpejtë që djegia të nesërmen të bëhej pak më tej.
Më pas, një prej punonjësve hodhi mbi fletët dhe vulat e sigurisë rreth shtatë litra benzinë. Mjaftoi një letër e ndezur edhe djegia e fletëve të votimit të 28 qershorit 2009 nisi me një “shpërthim” të lehtë, nxehtësia e të cilit arriti një rreze prej katër metrash, ndërsa flaka shkoi deri në tre metra.
Ndezja e fletëve të votimit zgjoi kureshtjen edhe të banorëve aty afër, të cilët u afruan për të parë deri në fund djegien e atyre që janë shndërruar për më shumë se një vit në “mollën e sherrit” midis mazhorancës dhe opozitës.
Përgjegjësi sigurohej që çdo fletë të digjej mirë. Në një kohë kur djegia e fletëve vazhdonte, të tjera kuti hapeshin në magazinat e Rezervave Materiale të Shtetit në Lundër, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdonte bashkëbisedimin e tij me gazetarët ku thoshte se vendimi për djegien e fletëve të votimit ishte i pavlefshëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here