Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka përshëndetur nisjen e implementimit të planit për veriun. Në deklaratën e saj përmendet fillimi i zbatimit të marrëveshjeve të reja nga ana e EULEX dhe KFOR.
“Këto rregullime të reja synojnë rivendosjen e marrëdhënieve normale tregtare dhe heqjen e embargove të të dyja palëve të tregtisë mes Serbisë dhe Kosovës, në përputhje me rregullat e CEFTA`s dhe vlerave europiane. Jam e kënaqur që tregtia ka nisur në njërën anë, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë në të dyja drejtimet shumë shpejt”, thuhet në deklaratën e Ashton.
Por, ajo tregon se zbatimi i marrëveshjes për vulat doganore nuk paragjykon statusin. Ashton pret që dialogu të vazhdojë dhe që palët të përmbahen nga dhuna, sepse kjo do të ishte e papranueshme. Kryediplomatja evropiane ka thënë se ka folur me shefin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin që KFOR-i i ka dhënë EULEX-it.