Forcat e INUK dhe xheniot e ushtrisë, pritet të finalizojnë sot shpërthimin me eksploziv të kompleksit “Jon” në Vlorë, që ndodhet në pronësi të Xhuvi Sharxhit dhe Xhafer Isufit, vjehrrit të Lulzim Bashës.
Që prej ditës së djeshme puna për hapjen e 1500 vrimave në kollonat e betonit të pallatit ka përfunduar dhe se tre brigada të xhenios, prej disa ditësh kanë filluar mbushjen e vrimave me kallëpë tritoli C4,(rreth 400 kg) nga ku më pas do të kryhet dhe shpërthimi i komanduar për rrëzimin e objektit 8 katësh.
Mediat e shkruara denoncuan në një seri shkrimesh të publikura, ndërtimin e kompleksit “Jon”, ku nëpërmjet hartave dhe aktit të ekspertimit të bërë nga prokuroria e Vlorës, tregoi se pjesa më e madhe e kompleksit “Jon”, ishte ndërtuar në ujërat e detit. Veç kësaj shkelje, gazeta publikoi dhe fotot satelitore të vitit 2007 dhe 2012, duke treguar një panoramë më të saktë të relievit se si ishte në vitin 2007 dhe në çfarë gjëndje ishte kthyer, pas ndërtimit të kompleksit “Jon”. Lidhur me këtë ngjarje aktualisht është ngritur shtabi nga ku do të drejtohet i gjithë operacioni për rrëzimin e pallatit.
8 orë bllokim
Gjatë ditës së sotme e gjithë zona, do të bllokohet për rreth 8 orë, duke i lënë vendin punonjësve që janë aktivizuar për prishjen e objektit. Mësohet se ky afat kohor mund të zgjatet edhe më tepër, nëse gjatë punës për rrëzimin e kompleksit “Jon” do të dalin anomali që do të vonojnë procesin e shembjes. Me një deklaratë zyrtare, ministria e Brendshme ka njoftuar në mënyrë të veçantë banorët e qytetit të Vlorës se ditën e sotme do ketë bllokim të lëvizjes në rrugën “Aleksandër Moisiu” të këtij qyteti, për shkak të punimeve për shembjen e kompleksit “Jon” në afërsi të Ujit të ftohtë. “Bllokimi i lëvizjes për automjetet dhe qytetarët në rrugën “Aleksandër Moisiu” do kryhet prej orës 08:00 të mëngjesit deri në ora 16:00 të pasdites. Gjatë këtij intervali kohor automjetet dhe kalimtarët mund të shfrytëzojnë për lëvizje rrugën “Dhimitër Konomi”, që ndodhet në pjesën e sipërme të rrugës “Aleksandër Mosisiu”.
Zyrtarët në zonë
Kreu i INUK Zyhdi Dajti, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, dhe Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi, do të jenë të pranishëm në Vlorë, ku do monitorojnë nga afër të gjithë operacionin për shembjen e kompleksit “Jon”.
Shikoni live ketu shperthimin
Video Live