Home Aktualitet KKT, Rama: Xhamia te ndertohet por jo pallati ne krah

KKT, Rama: Xhamia te ndertohet por jo pallati ne krah

615
0

Kryeministri Edi Rama njoftoi një sërë masash të aprovuara në mbledhjen e së martës të Këshillit Kombëtar të Territorit, për të frenuar atë që ai e quajti degradim të territorit të vendit.

Një prej vendimeve lidhej edhe me ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

“Këshilli Kombëtar i Territorit konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të saj. Pra, i japim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin, godinë polifunksionale 3-4-6-8 kate me 3 kate nëntokë”, u shpreh Rama.

Ndal rrënimit të trashëgimisë
Rama: Asnjë ndërtim në Krujë, Berat dhe Gjirokastër

Kryeministri Edi Rama deklaroi se jemi në kohë për të ndalur rrënimin në tre prej qyteteve me vlera të trashëgimisë kulturore, si Berati, Kruja dhe Gjirokastra, e cila ka vetëm 18 muaj kohë të qëndrojë apo të dalë nga lista e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Ne kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo zhvillim të ri, çdo lloj procesi për të dhënë leje të reja për objekte individuale, apo çfarëdo grupi objektesh, për sa i takon Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës”, vijoi më tej Rama.

Nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Këshillit Kombëtar të Territorit edhe problematika, që lidhet me akset kombëtare të rrugëve.

“Askush që ka pasur përgjegjësi për firma dhe vulën nuk ka dashur t’ia dijë fare, as për kodin rrugor, as për legjislacionin përkatës, dhe këtu sigurisht nuk mjaftojnë vetëm masat, që po merr apo do të ndërmarrë në vijim qeveria, por duhet të ndërhyjë një orë e më parë drejtësia. Ne sot kemi praktikisht çelur procesin dhe do të fillojmë nga hartimi i planit të përgjithshëm kombëtar. Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit është ngarkuar për të bërë ekzaktësisht këtë”, përfundoi Rama.

***

Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit, Rama bëri një ekspoze të të gjithë gjendjes së territorit.

“Territori është një ndër pikat kyçe të zhvillimit tonë strategjik afatgjatë, ndërsa problemet janë të shumëllojshme. Ka ndotje të konsiduerueshme të lumenjve, shkarkime kanalizimesh në lumenj dhe pastaj në det apo edhe direkt në det në segmente të rëndësishme turistike, shkurtime të ndjeshme të furnizimit me ujë për shkak humbjesh në rrjet, sipërfaqe tokash të përmbytura, shpyllëzime të jashtëzakonshme tejet përmasave të pranueshme nga zjarret dhe prerjet. Zhvillimi urban kaotik, ndërtimi e shembja e ndërtimeve të paligjshme ka sjellë pasoja pasi është bërë në mënyrë barbare, degradim i zonave të trashëgimisë kultutore, mungesa e plotë e pranisë së institucioneve… Kjo është vetëm një pjesë e panoramës me të cilën përballet sot vendi”, deklaroi Rama.

“Kemi një tërësi problemesh të tjera, kemi edhe zaptimin e vazhdueshëm të pronës si rrjedhojë e pronësisë së papërcaktuar me tokën, që kërcënon të ardhmen dhe kanë vendosur në kushte të vështira qëndrat ekzistuese urbane”, vazhdoi kryeministri.

I pyetur nga “Top Channel”, Rama u përgjigj edhe për vendimin e bllokimit të një pallati 16-katësh në qendër të Tiranës.

“Siç e dëgjuat, qeveria do të marrë vendimin përkatës për t’i hapur rrugë një procesi të pandalshëm, duke shtuar dikasteret në një “task-force”, që do të ketë në zemrën e vet këtë plan dhe energjinë e të gjithë institucioneve për zbatim ligji. Ministria e Brendshme ka marrë një rol thelbësor, sepse në Shqipëri ndërtimi pa leje përbën vepër penale, nga ana tjetër, me ligjin e ri, në aksionin që ne do të fillojmë, tashmë i strukturuar ligjërisht, do të ndërhyjmë me të gjithë forcën e ligjit dhe s’do të ketë asnjë kthim pas. Ndërsa procesi i legalizimeve do të vazhdojë paralelisht, nuk do të lejohet asnjë tolerim mes ndërtimeve pa leje”, tha kryeministri.

Rama shpalli edhe dy vendime të rëndësishme, që lidhen me kryeqytetin, atë të bllokimit të lejeve për qendrat funksionale, në plan për t’u ndërtuar së bashku me xhaminë e Namazgjasë në kryqëzimin e bulevardit të Dëshmorëve të Kombit me Rrugën e Elbasanit dhe rishikimin e planit të zgjatjes së Bulevardit të Tiranës në mbledhjet e ardhshme të KKT-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here