Home Aktualitet Ish-badigardët e Ina Ramës,“internohen” në rrethe si roje

Ish-badigardët e Ina Ramës,“internohen” në rrethe si roje

1473
0

Pas shkarkimit të beftë nga detyra, truprojat e Kryeprokurores Ina Rama, janë emëruar si roje të rezidencave qeveritare në Vlorë, Pogradec dhe Dajt. Shkarkimi i tre truprojave të shefes së Organit të Akuzës u bë pak ditë më parë, pa asnjë shpjegim, në shenjë hakmarrje për gjashtë urdhër arrestet e gardistëve të nxjerrë nga Prokuroria. Shkarkimin e badigardëve e firmosi vetë kreu i Gardës, Ndrea Prendi, për të cilin Rama kishte prerë urdhrin e ndalimit.
Internimi
Tre truprojat e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, që për mëse tre vjet me radhë janë shfaqur përkrah saj, si një ndër personat e besuar që ruanin sigurinë dhe jetën e saj, së bashku me ish shoferin e Prokurores së Përgjithshme, jo vetëm që nuk janë pjesë e eskortës, por me të njëjtin urdhër ata janë internuar me shërbim jashtë Tirane. Edhe pse janë pjesë e sektorit të ruajtjes së sigurisë së personaliteteve të larta, në mënyrë të pashpjegueshme truprojat janë emëruar në një sektor tjetër që s’ka lidhje me aftësitë e tyre. Tre truprojat e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama janë emëruar në sektorin e sigurisë së banesave dhe rezidencave qeveritare në rrethe.
Detyrat e reja
Konkretisht njeri nga badigardët e Kryeprokurores Ina Rama, është caktuar dhe po shërben me urdhër të pashpjegueshëm, roje në sigurimin e një rezidence qeveritare në Vlorë, tjetri roje e rezidencës qeveritare në Pogradec dhe i treti roje e rezidencës qeveritare në Dajt. E vetmja që i ka shpëtuar këtij zëvendësimi të beftë është truproja femër e Prokurores së Përgjithshme, kjo mund të thuhet të paktën deri më tani, pasi nuk dihet se çfarë do të ndodhë më vonë. Zëvendësimi i eskortës dhe truprojave të prokurores së Përgjithshme shkaktoi jo pak habi dhe pikëpyetje në opinion, kjo pasi ndërrimi i tyre me të tjerë ndodhi pikërisht në kohën kur Organi i Akuzës po kërkon ndalimin e gjashtë efektivëve të Gardës mes të cilëve edhe të komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi, i cili ka firmosur urdhrin e zëvendësimit dhe transferimit të ish truprojave. Të gjashtë oficerët e gardës kërkohen për llogari të hetimeve të çelura për ngjarjet e dhunshme të 21 Janarit, ku tre demonstrues mbetën të vrarë përpara Kryeministrisë. Dhe urdhri për transferimin e tyre është firmosur pikërisht nga kreu i Gardës.

Përplasja për 21 Janarin, Gjata: Institucionet t’u drejtohen Kushtetueses

Zgjidhja për përplasjen e fundit institucionale mes Presidencës, Prokurorisë dhe Kuvendit, sipas konstitucionalistit Rustem Gjata, është Gjykata Kushtetuese. Krerët e këtyre institucioneve, mund t’i drejtohen gjykatës kryesore të vendit, nëse shohin tejkalim të kompetencave nga Komisioni Hetimor parlamentar, por duke qëndruar larg polemikave dhe replikave mediatike. “Kushdo, qoftë në mënyrë private, personale, qoftë si organizatë shoqërore, qoftë si institucion mund ta kundërshtojë këtë. Presidenti ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe kushdo për të drejtat themelore që mendon dhe patjetër institucione të ndryshme. Njëri për t’ju drejtuar, zgjidhet problemi edhe për të tjerët se ka karakterin e precedentit” tha Gjata.
Ndonëse vlerëson se Komisioni Hetimor parlamentar nuk dublon kompetencat e Ina Ramës, sërish zgjidhja për Kryeprokuroren sipas Gjatës është Kushtetuesja. “Dublim nga ana e komisionit? Joo! Nuk ka kufizime. Ai që ka pretendime le të kundërshtojë. Edhe prokuroria mund t’i drejtohet gjykatës kushtetuese” tha Gjata. Presidenti refuzoi të shkojë në seancën dëgjimore të strukturës hetimore parlamentare, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e quajti atë dublim të kompetencave të saj, akuzë kjo që u hodh poshtë nga komisioni.

“Amnesty International”: Hetimi i gazetarëve, shkelje e të drejtave

“Amnesty International” ka reaguar dje në lidhje me hetimin e tabulateve telefonike të disa gazetarëve nga Komisioni Hetimor parlamentar i ngjarjeve të 21 Janarit. Sipas “AI”, kërkesa është një “thyerje e lirisë dhe të drejtës së gazetarëve”. “Mbrojtja e burimeve është esenciale për lirinë dhe pavarësinë e medias. Të tërhiqet kërkesa e marrjes së tabulateve telefonike. Gazetarët duhet të vazhdojnë detyrën e informimit të publikut, pa asnjë ndërhyrje”, theksohet në reagim. Ky reagim ka ardhur pak ditë pas kërkesës së bërë nga Komisioni Hetimor Parlament6ar për hetimin e tabulateve të katër gazetarëve shqiptarë, Sokol Ballës, Andi Bushatit, Mero Bazes dhe Filip Çakulit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here