Home Ekonomi INSTAT, rritet inflacioni

INSTAT, rritet inflacioni

613
0

inflacion-663x376Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit për të tretin muaj me radhë duke iu larguar niveleve minimale të shënuara në gjysmën e parë të vitit. Instituti i Statistikave raportoi se në qershor inflacioni vjetor u rrit në 1.2 për qind, nga 0.6 për qind që ishte në maj.

Sipas INSTAT, ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e ka dhënë grupi i ushqimeve dhe kostot që qytetarët paguajnë për shërbimin arsimor.

Krahasuar me muajin qershor të një viti më parë, çmimet e shërbimit arsimor janë rritur me 4.8 për qind, ndërsa ato të ushqimeve dhe pijev e joalkolike janë shtrenjtuar me 2.7 për qind. Ndërsa kostot e transportit dhe ato të veshjeve kanë rënë krahasuar me një vit më parë, respektivisht me 3.6 dhe 1.5 për qind.

Në dy muajt e parë të këtij viti, inflacioni zbriti në nivelin më të ulët shumëvjeçar rreth 0.3% me bazë vjetore, duke rritur shqetësimet se ekonomia mund të binte në reçesion, çka do të kishte pasoja të mëdha negative për punësimin dhe rritjen ekonomike.

Banka e Shqipërisë reagoi duke ulur tre herë normën bazë të interesit në minimumin historik prej 1.25 për qind, për të inkurajuar konsumin dhe investimet.

Këto masa, bashkë me rritjen e çmimit të naftës gjatë dy muajve të fundit, e kanë larguar shifrën e inflacionit nga nivelet minimale të fillimvitit edhe pse sërish, shifra qëndron poshtë nivelit 2 për qind, që është objektivi minimal ligjor i Bankës së Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here