Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të masakrës së një dite më parë, në një resort turistik në Vlorë. Mësohet se njëri prej të dyshuarve quhet Leo Osmani, 19-vjeç, i cili mendohet se ka patur një konflikt me 34-vjeçarin Sokol Isufaj në plazh.
Policia dyshon se vrasjet në resortin turistik janë kryer nga shoku i Osmanit, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Objektivi i sulmit ka qenë pikërisht 34-vjeçari nga Fieri, Sokol Isufaj. Policia duket se ka eliminuar pistën e hakmarrjes, dhe tashmë po përqëndron punën në drejtim të pistës tjetër, asaj të një grindjeje për motive të dobëta.
Policia ka gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes dhe armën e krimit, tip kallashnikov.
NGJARJA
Tre persona janë ekzekutuar dje në një resort turistik në bregdetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në plazhin e kalasë pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, në një zonë të mbipopulluar nga pushuesit. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës, pohojnë se kanë mbetur të vrarë Sokol Isufaj, 34 vjeç, nga Kurjani i Roskovecit, Diana Ademi, 53 vjeçe, nga Vlora, dhe Serdi Bajlozi, 17 vjeç, nga Prrenjasi. Gjithashtu, nga breshëria e automatikut ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Sipas policisë, 3 viktimat nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, madje pohohet se shënjestra ka qenë 34-vjeçari Isufaj, ndërsa gruaja dhe minoreni kanë qenë pushues. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se autori ka ardhur me një makine dhe që nga shkallët ka nxjerrë kallashnikovin duke shtënë disa herë e më pas është larguar me shpejtësi. Autori është përshkruar nga dëshmitarët si një i ri rreth 25 vjeç, ezmer e me flokë të shkurta. Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se 3 persona të dyshuar janë shpallur në kërkim, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur
Familjarë të 34-vjeçarit: Nuk ka lidhje me asnjë krim të mëparshëm
Familjarë dhe të afërm të Sokol Isufaj shprehen për “News24” se 34-vjeçari nuk ka lidhje me ndonjë krim të mëparshëm, aq më tepër me vrasjen vite më parë të deputetit Fatmir Xhindi. Sipas të afërmve, Sokoli ishte baba i dy vajzave 4 dhe 6 vjeç, punonte si elekriçist, ishte fjalë pak dhe gëzonte respekt te banorët e zonës ku jetonte. Trupi i viktimës do të përcillet në banesën e fundit, në orën 15:00 të ditës së sotme.
Babai i 17-vjeçarit: S’ngatërrohej me askënd
Agron Bajlozit, babait të 17-vjeçarit Serdi Bajlozi nuk i treguan se djali i kishte vdekur, por se ishte në gjendje të rëndë. Ka udhëtuar nga Prrenjasi me urgjencë, por kur mbërriti në spitalin e Vlorës, mjekët i dhanë lajmin e rëndë: djali i tij i vetëm kishte vdekur. Kishte mbetur i vrarë aksidentalisht nga një dorë makabre, ndërsa ishte me pushimet verore. Kuja e nënës dhe lotët e babait të Serdit 17-vjeçar drodhën muret e vjetra të spitalit, ndërsa kërkonin me ngulm të shihnin trupin e fëmijës së tyre. Minoreni ishte një prej 3 personave që mbetën të vrarë gjatë sulmit me kallash, nga një person ende i paidentifikuar nga policia. Me gjithë dhimbjen e madhe, Agron Bajlozi gjen forcë dhe tregon për “Gazetën Shqiptare”, fjalët e fundit të djalit të tij Serdit dhe dyshimet, pasi pa trupin e të birit, se atij mund t’i jetë marrë veshka.
Z. Agron, kur e morët vesh lajmin?
Dëgjova në televizor se në një plazh të Vlorës ishte vrarë dikush dhe pas disa minutash më telefonojnë nga Vlora dhe më thonë se Serdi ishte plagosur rëndë. Menjëherë jam nisur për në qytetin e Vlorës së bashku me gruan. Edhe pse njerëzit më thoshin që vetëm është plagosur, e parandieja se kishte ndodhur diçka e keqe. Më pas, kur mbërrita këtu mora vesh gjithçka.
Djali, çfarë bënte në Vlorë?
Kishte ardhur me pushime së bashku me motrën e tij dhe në momentin që ndodhi ngjarja kishte shkuar te Keli, kushëriri i tij që punonte atje.
Ju kishte thënë djali për ndonjë debat që mund të ketë pasur?
Jo, nuk më kishte thënë për asnjë debat dhe me sa më thanë nuk kishte pasur as atë ditë debate me njeri.
Çfarë ju ka thënë kur keni folur për herë të fundit?
Më kërkoi një telefon Iphone dhe i thashë që, “do të ta blejë babi”, por tashmë nuk ia plotësoj dot më këtë dëshirë (qan).
Djali, kishte mbërritur i pajetë në spital?
Me aq sa më thanë, goditja kishte qenë fatale. Plumbi e kishte kapur në kokë dhe i kishte marrë jetën. Pashë që kishte dhe një shenjë në pjesën e barkut dhe fillimisht dyshova se mund t’i ishte marrë veshka. Më pas kam folur me prokurorin dhe më sqaruan se aty ishte marrë vetëm gjak për analizat.
Mendoni se objektivi i këtij sulmi me armë ishte djali juaj?
Absolutisht jo! Djali im nuk ngatërrohej me askënd. Ishte një djalë që do të donin ta kishin të gjithë. Ishte i rregullt, i edukuar, i sjellshëm. Seldi ishte një djalë jo vetëm i komunikueshëm, por donte që t’i ndihmonte gjithmonë të tjerët.