Home Ekonomi Haxhinasto: Riparimet e makinave vetem ne servise te autorizuara

Haxhinasto: Riparimet e makinave vetem ne servise te autorizuara

129
0

haxinastoDrejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka filluar certifikimin e autoserviseve në vend si një masë e re e paketës së sigurisë rrugore. Në detaj ky certifikim synon vendosjen e standardit për ata që ushtrojnë aktualisht këtë aktivitet, duke bërë të mundur kështu kontrolle dhe riparime më efikase të mjeteve. Kjo bëhet në mënyrë që të ulet numri i aksidenteve, që vijnë si shkak i problemeve teknike të mjeteve.

CERTIFIKIMI
Kontrolli për certifikimin e autoserviseve po shtrihet në dy plane. I pari synon ofrimin e një shërbimi cilësor nga ana e subjekteve të regjistruara dhe i dyti vendosjen nën kontroll dhe formalizim të atyre subjekteve, që aktualisht mund të jenë informalë. Ekzistenca e serviseve të pacertifikuara bën që shpesh mjetet që kalojnë në duart e tyre, të bëhen objekt aksidentesh ose që qytetarët të mbeten të painformuar mbi risqet që mbart mjeti i tyre. Kontrolli i autoserviseve dhe certifikimi i tyre vjen pas masave të tjera të marra nga Ministria për të ulur numrin e makinave të pasiguruara, duke bërë të detyrueshëm paraqitjen e kontratës së sigurimit pranë kontrollit teknik. Kolaudimi i mjetit nuk mund të kryhet në rast se makina nuk ka të prerë siguracionin e brendshëm.

Detajet lidhur me procesin e certifikimit të autoserviseve i dha dje edhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Emdond Haxhinasto, gjatë një seminari mbi sigurinë rrugore. “E rëndësishme është gjithashtu të themi sot se do të vazhdojë procesi i certifikimit të shërbimeve ndaj automjeteve të transportit. Dhe këtu e kam fjalën për certifikimin e atyre që ofrojnë shërbimin në autoservis. Sepse në fakt ajo është një punë me shumë përgjegjësi e shpeshherë ka implikime të drejtpërdrejta në sigurinë e automjeteve e rrjedhimisht edhe në jetën e drejtuesve të mjeteve”, tha ministri.

Sipas tij, kjo masë vjen paralelisht me një sërë të tjerash në rritje të sigurisë rrugore. Në shifra, plani i masave synon që të ulë me 20 për qind numrin e aksidenteve brenda vitit të parë të qeverisjes. “Çështja e sigurisë në rrugë tashmë është bërë e ditur, është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie dhe tashmë kemi miratuar një plan masash me rreth 60 ndërhyrje të ndryshme: ndërhyrje ligjore e organizative, investime me qëllim që të arrijmë një objektiv, që ka të bëjë me uljen brenda vitit të parë të qeverisjes me 20% të numrit të aksidenteve rrugore”, tha Haxhinasto.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here