Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika merret i pandehur për akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave njëra në lagjen Pavarësia dhe tjetran në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”.
Lajmi u bë publik nga Florinda Ballauri, drejtoreshë e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla në një deklaratë për shtyp në orën 10: 15 minuta të ditës së sotme (27 tetor 2013)
Bëhet fjalë për mbylljen e hetimeve nga Prokuroria e Vlorës dhe dërgimin në gjykatë të dosjes me 8 të pandehur për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe ndërtimit të paligjshëm.
Të pandehur përveç kryetarit të bashkisë Shpëtim Gjika, është dhe Eleni Dardhaj, punonjëse ne Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë bashkisë Vlorë, pronarë trualli ku janë kryer ndërtimet e paligjshme.
GJIKA FALSIFIKOI DOKUMENTET
“Pas një hetimi, të nisur në shkurt 2013, prokuroria e Vlorës arriti të provonte se i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, kanë falsifikuar përmbajtjen e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të datës 24.03.2010 dhe 15.07.2010.
Këto dokumenta, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumenta sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë.”- thuhet në deklaratën e prokurorisë.
Të pandehurit Shpëtim Gjika dhe Eleni Dardhaj janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “falsifikimi i dokumentave”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal.
KUSH JANE NDERTIMET E PALIGJSHME
Bëhet fjalë për ndërtimin e dy komplekseve banimi:
1-Kompleks banimi dhe shërbimi 13-kate me parkim nëntokë të ndërtuar në bulevardin qendror të Vlorës,në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vëndin e quajtur “Tre Rasat” në Skelë ku nuk lejohet ndërtimi. Pronarë të kompleksit janë që janë marrë si të pandehur janë Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati dhe Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj.
“Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm, ndodhet në bulevardin qëndror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vëndin e quajtur “Tre Rasat”, Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.”- tha Ballauri.
2- Godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papagingo, me një kat nëntokë, në lagjen Pavarësia, me pronar trualli të pandehurin Gëzim Feta e subjekt ndërtues EN-BJO sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj.
“Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në lagjen “Pavarësia”, brenda territorit të Portit Detar Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet.”
Shpetim Gjika kryetar i bashkise Vlorë- akuzohet për “falsifikim dokumentave” të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal.
Eleni Dardhaj punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, akuzohet për “Falsifikim të dokumentave” të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të K.Penal.
Mustafa Tartari, Artan Ferati Aleks Ahmataj, tre pronarët e 3 katëshit akuzohen për “ndërtim të paligjshëm”të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të K.Penal.
Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj “falsifikimi i dokumentave” dhe “ndërtimi i paligjshëm” të kryer në bashkëpunim të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të K.Penal.
Prokuroria e Vlorës po vijon hetimin edhe për disa raste ndërtimesh të tjera të paligjshme, ku dyshohet se janë të përfshirë subjekte të ndryshëm ndërtues dhe drejtues të zyrës së ALUIZNI-t të këtij qyteti.
NE CFARE GJENDJE JANE AKTUALISHT NDERTESAT
Ndërtesa 13 katëshe tek Skela është ende në ndërtim e sipër. Aktualisht kemi të bëjmë me një ndërtesë karabina që ka shkuar deri në 5 kate. Ndërkohë që ndërtesa tjetër 6 katëshe aktualisht është në fazën e ndërtimit me tulla. Kryebashkiaku mohon akuzat
GJIKA: ABSURDE
” Në një prononcim ekskluziv për ATSH-në, Gjika tha se “deklarata e sotme e Prokurorisë së Përgjithshme është absurde dhe absurditetin e saj, e shton edhe më tepër fakti që bëhet në një ditë pushimi por jo pushim për Bashkinë e angazhuar me projektet e saj zhvilluese”. Çdo kush është i lirë të dyshojë, por dyshimi nuk kthehet në provë me thashetheme para dhe pas zgjedhore’, deklaron Gjika. Gjithsesi, thotë Kryebashkiaku, qëndrimi ynë më i detejuar lidhur me këtë deklaratë do të bëhet në ditët në vazhdim.
Prokuroria: Kryetari i Bashkisë Vlorë merret i pandehur për fallsifikimin e lejeve të ndërtimit
CFARE PARASHIKON NENI PER TE CILIN U MOR I PANDEHUR GJIKA
Neni 186
Falsifikimi i dokumenteve
(Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 4)
Falsifikimi ose përdorimi i do kumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me gjobë nga dyqind mijë deri në gjashtëqind mijë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda,
dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, dënohet me burgim nga një vit deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milionë lekë