Misioni “Kampion Bote 2014″ nisi zyrtarisht dhe tejet pozitivisht për Gjermaninë. Trajneri Joakim Lëv e kishte bërë më së miri gati armatën e tij, e cila u treguar e pamëshirshme dhe e pangopur gjatë 90-minutave, duke pasur gjithcka nën kontroll ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos. “Pokeri” i “pancerave”, nga i cili tripleta e Tomas Mylerit, e kanë fundosur skuadrën e Paulo Bentos, edhe pse ka mundësi teorike që duke mundur SHBA dhe Ganën të kualifikohet në grupin e vet. Kujtojmë se Lëvi i ka fituar të katërta përballjet e tij me “luzitanët” (3-1, 3-2, 1-0 dhe 4-0). Gjermania ka luajtur ndeshjen e parë në këtë Botëror, ndërsa drejt Brazilit për këtë rast kishte udhëtuar edhe kancelarja Angela Merkel. Pritshmëritë karshi skuadrës së drejtuar nga Lëv janë të mëdha, ndërkohë që gjithcka duhej të kalonte që në start të turneut të kësaj vere përmes një testi të vërtetë e të vështirë. Portugalia e Kristiano Ronaldos ishte “pasqyra”, ku “pancerat” kanë parë vetveten dhe kanë shëmbëllyer ambiciet maksimaliste në “Brazil 2014”. “Dorashka” u është hedhur të gjithë rivalëve, përmes një rezultati të pastër dhe lojë tejet bindëse. E gjitha kjo, duke pasur përballë një grup lojtarësh me emër dhe që luajnë në klubet më të mira, por që nuk përbënin një skuadër të disiplinuar dhe të orientuar qartë taktikisht.
Stadiumi “Arena Fonte Nova”, Salvador
GJERMANI – PORTUGALI 4:0
Golat: T.Myler 11′ (pen), 45+1′, 78′, Humels 32′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, P.Mertesacker, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels (Sh.Mustafi 73′), M.Özil (A.Schürrle 63′), S.Khedira, T.Kroos, M.Götze, T.Müller (Podolski 82′). Trajner: J.Löw
PORTUGALIA: R.Patrício, Pepe, B.Alves, F.Coentrão (A.Almeida 65′), J.Pereira, R.Meireles, Nani, M.Veloso (R.Costa 46′), J.Moutinho, C.Ronaldo, H.Almeida (Eder 28′). Trajner: Paulo Bento
Gjyqtarë: M.Mažić, M.Ristić, D.Djurdjević (Serbi)
Kartone te verdhe: J.Pereira 10′
Karton i kuq: Pepe 37′
Gjermania e nis ndeshjen me presing, duke mos i lejuar terren luzitanëve. Dyluftimet për topin e parë ua ngushtojnë hapësirat Portugalisë, e cila gabon në pasimin e topit dhe detyrohet të shtrëngojë radhët në prapavijë. Sidoqoftë, mundësinë e parë të mirë për shënim e ka skuadra e Bentos. Almeida merr një pasim të zgjuar nga Ronaldo dhe pozicionohet përballë Nojerit, por godet lehtë, në duart e portierit gjerman. Lahm humbet një top në mesfushë dhe Ronaldo “fluturon” drejt portës gjermane, duke goditur fort, por Nojer pret me këmbë. Pa kaluar 20 sekonda, në minutën e 9-të, portieri portugez gabon në largimin e topit, duke ia dhuruar Khedirës. Porta luzitane është bosh, por mesfushori i Realit nuk është në gjendje ta shënjestrojë saktë. Ndeshja fiton emocione dhe luhet e hapur, me të dyja palët në kërkim të zhbllokimit të rezultatit. Vetëm dhjetë minuta konsumohen dhe Gëce fiton një penallti, pas ndërhyrjes së gabuar të Perreiras. Godet saktë nga pika e bardhë Myler, i cili i kalon të tijtë në avantazh. Më e vrullshme nuk kishte si të niste një sfidë e këtij Botërori, të paktën deri më tani.
Edhe pas kalimit në avantazh, Gjermania nuk e ul ritmin. Përkundrazi, ushtron presion dhe e mban kundërshtarin të “gozhduar” në prapavijë. Mundohet të bëjë dicka nga e djathta e mesfushës Nani, por sulmuesi Almeida nuk furnizohet me topa. Ronaldo pak bie në kontakt me “sferën”, i mbuluar rreptë nga gjermanët. Boateng nuk i ndahet në cdo pjesë të fushës, duke iu bërë “ferrë” yllit të Realit të Madridit. Paulo Bentos i duhet të bëjë një zëvendësim të detyruar në minutën e 28-të. Sulmuesi kryesor, Almeida, dëmtohet në një dyluftim me Humels dhe nuk vijon dot më tej. Vendin e tij e zë Eder. Goli i dytë për gjermanët vjen nga një qendërmbrojtës. Humels e godet bukur me kokë krosimin në këndi dhe sfidon tërë shtatlartët portugezë, duke shtangur portierin luzitan. Supremacia e “pancerave” materializohet edhe në aspektin rezultativ, ndërsa Portugalia shton më shumë konfuzionin e vet. Për këtë mendon edhe Pepe, që godet me dorë Mylerin në një dyluftim dhe kryesori serb e nxjerr jashtë loje me karton të kuq. Ndëshkimi është i rëndë për portugezët, që mbeten në disavantazh të dy golave, por edhe me një lojtar më pak në fushë. Tomas Myler e nxjerr dufin e goditjes së Pepes me golin e tij të dytë personal në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, duke vulosur rezultatin e pastër 3-0 në gjysmën e ndeshjes.
Pjesa e dytë është paksa më e qetë, sepse gjermanët kërkojnë t’I ruajnë energjitë për ndeshjet e ardshme në grup. Duke pasur një rezultat shumë komod, ata mundohen të administrojnë atë që kanë arritur në pjesën e parë dhe përmes kundërsulmit ta zënë në befasi skuadrën luzitane. Kjo e fundit nuk ka moralin, as mundësitë reale për t’iu kundërvënë një “makinerie” si ajo e Lëvit, teksa duhet t’i bëjnë llogaritë për sfidantin e radhës, SHBA, pasi Gjermania është “kafshatë e pakapërdishme” për ta. Sa për statistikë, vlen të theksohet aktivizimi i Shkodran Mustafit në minutën e 73-të. Nëse mbërriti në finalet e Botërorit të Brazilit pas dëmtimit të Rojsit, nga i njëjti “okazion” ka përfituar për të shënuar emrin e tij në ndeshjen ndaj Portugalisë. Humels del i dëmtuar nga loja dhe vendin e tij e zë shqiptari i Sampdorias, Mustafi. Minuta e 78-të do të sillte golin e tretë personal të Tomas Mylerit dhe kompletuar “pokerin” gjerman, si për të thënë se skuadra e Lëvit i përmbush pritshmëritë, duke u paraqitur si një pretendente vërtet potenciale për triumf në “Brazil 2014”.
Ndeshja e 100-të Gjermania luajti ndeshjen e 100-të, as Brazili nuk ka shkuar kaq larg. Pra, sfida kundër Portugalisë ishte jubilare për “pancerat”. Ata janë kombëtarja e parë që arrin këtë kuotë, edhe pse ka munguar në 2 turne (1930 dhe 1950). Brazili është e vetmja skuadër që ka marrë pjesë në të 20-ta edicionet e Kupës së Botës, por numëron vetëm 97 ndeshje në fazën finale. Skuadrat me të cilat “pancerat” janë përballur më shpesh në një Botëror janë Jugosllavia (përfshirë ndeshjet me Serbinë pas shpërbërjes). Pastaj vijnë duelet me Argjentinën (6) dhe Anglinë (5). Turqia, Argjentina dhe Jugosllavia janë skuadrat që janë ndëshkuar më shumë nga gjermanët në një Botëror (11 gola secilës). Bilanci? Gjermania ka 61 fitore, 19 barazime dhe 20 humbje me një golavarazh 210:117. Vetëm Brazili ka shënuar më shumë, por kanë pësuar më shumë se Gjermania. 8 ndeshje kanë shkuar në shtesë dhe vetëm 1 fitore e regjistruar pas 120 minutave (3-2 kundër Anglisë në 1970-n). 4 ndeshjet që kanë shkuar me penallti, i kanë fituar të gjitha gjermanët. 465 ndeshje i kanë luajtur në fazën e grupeve, 13 çerekfinale, 11 gjysmëfinale, 10 në 1/8-at, 8 ndeshje të raundeve të tjera, 7 finale dhe 5 ndeshje për vend të 3-të. 8-0, fitorja me Arabinë Saudite (2002 në fazën e grupeve), është më e thella në historinë e Gjermanisë. Deri atëherë, rekordin e mbante 6-0 në 1978 kundër Meksikës. Humbja më e rëndë është 3-8 me Hungarinë në raundin e parë të 1954-s.
Taktika gjermane Është përfolur shumë që Joakim Lëv ka një filozofi të mesme mes Bajernit dhe Dortmundit. Ai është i fiksuar pas “Tiki-taka”-s bavareze, kundërsulmeve dhe presingut të Dortmundit. Lëv i kishte sistemuar lojtarët nën modulin 4-1-4-1, e cila shndërrohej në 4-3-3 duke aktivizuar Lahmin si mesfushor të vetëm defensiv. Gjithashtu, Ozil ishte një “9 fals” duke u shkëmbyer herë pas here sipas zhvendosjeve me Tomas Mylerin. Ndërsa në katërkëndëshin e mesfushës ofensive surprizonte lënia e Shvajnshtaigerit dhe Podolskit në stol. Zgjedhjet ishin Kros, Khedira përkrah Lahmit; Gëce në të majtë, Myler në të djathtë si dhe Ozil në sulm. Trajneri Joakim Lëv e pati pranuar se në Brazil do njihet me stil të ri dhe se mesfusha bashkë me stolin do bëjnë diferencën. Por, defekti më i madh pritej të ishte mbrojtja, cka nuk rezultoi kështu. Për të evituar vapën e madhe dhe i besuar lojtarëve të fortë, Lëv aktivizoi në katërkëndëshin e difensivës 4 qendërmbrojtës: Në të majtë Hëvedes, në të djathtë Boateng dhe në qendër Humels- Mertesaker. Në portë, Manuel Nojer.