INTERVISTA
Për fat të keq e vërteta është se pavarësisht pranisë së opozitës në Parlament, ne nuk arritëm në një marrëveshje dhe mirëkuptim politik që do të mënjanonte ngërçin politik, e që do t’i hapte rrugën Kuvendit e partive parlamentare për të punuar në harmoni, veçanërisht për axhendën europiane
BRUKSEL– Komisioneri për Zgjerimin Evropian, Stefan Fyle deklaroi dje se opozita dhe qeveria shqiptare shpërdoruan iniciativën e dy krerëve të grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian, Daul dhe Schultz duke e lënë të pazgjidhur krizën politike.
Për sa i përket reflektimit të krizës politike në hartimin e opinionit nga Komisioni Evropian, Fyle vuri në dukje se ky opinion do të jetë tërësisht objektiv dhe do të pasqyrojë gjithçka që ka ndodhur deri më tani në jetën politike shqiptare.
Ai specifikoi gjithashtu se stabiliteti i institucioneve të vendit dhe funksionimi normal i Parlamentit janë elementët kryesorë të përmbushjes së kriterit politik që kërkohet edhe nga kriteret e Kopenhagenit.
Komisionerë, ngërçi politik ka lënë në hije gjithçka tjetër në Shqipëri. Ju ofruat ndihmesën përmes shërbimeve tuaja ndaj iniciativës së nisur nga Daul dhe Schultz, një iniciativë që dështoi me sukses.
Pse? Çfarë ndodhi?
Së pari, ju keni absolutisht të drejtë që ngërçi politik po qëndron aty prej një kohe goxha të gjatë, që prej zgjedhjeve të fundit. Daul dhe Schultz, liderët e dy familjeve më të mëdha politike ofruan me të vërtetë hapat e radhës që ishin shumë inkurajues nga Parlamenti Europian.
Ne luajtëm një rol të vogël duke i asistuar ata. Mendoj se ishin përpjekje të sinqerta për të ndihmuar partitë politike në Shqipëri për të gjetur një zgjidhje, një zgjidhje transparente në kuadër të Kushtetutës shqiptare.
Ne mund veç të ndihemi të keqardhur tashmë, dhe ne ndihemi të gjithë kështu sëbashku me kolegët në Parlamentin Europian, që partitë politike, nga njëra anë, qeveria e opozita në tjetrën, nuk e përdorën këtë mundësi.
Por çfarë ndodhi? Ata nuk ju dëgjuan juve? Nuk dëgjonin njëri-tjetrin? Apo thjesht nuk donin që ta zgjidhnin këtë çështje?
Më lejoni të them vetëm që ata nuk arritën marrëveshje, për të qenë në rregull. Ato ishin diskutime pas një dere të mbyllur, e unë nuk do të shpalos se çfarë realisht ndodhi përtej këtyre dyerve të mbyllura, që për më tepër ishin diskutime që u drejtuan vërtet nga zoti Schultz e zoti Daul.
Për fat të keq e vërteta është se pavarësisht pranisë së opozitës në Parlament, ne nuk arritëm në një marrëveshje dhe mirëkuptim politik që do të mënjanonte ngërçin politik, e që do t’i hapte rrugën Kuvendit e partive parlamentare për të punuar në harmoni, veçanërisht për axhendën europiane.
Kur unë isha në Tiranë, e kudo që kam takuar politikanë nga Shqipëria, kam theksuar një pikë shumë të rëndësishme që stabiliteti i institucioneve, të pasurit të një parlamenti që punon, është vërtet një nga kërkesat më kyçe, që prek kriterin politik të Kopenhagenit.
Ju hytë në këtë lojë 10 muaj pasi vijonte kriza politike. Pse zgjodhët këtë moment për të ndërhyrë dhe a do të ketë më takime të tjera që mund të vijojnë në nivel të lartë sikundër qarkullojnë zëra?
Nuk hyra në të vërtet unë si mediator, po ishte Parlamenti Europian që tentoi..
Me “Ju” nënkuptoj Bashkimin Europian…
Më duhet të them që në pozicionin tim kam respekt të plotë për partitë kryesore politike në Shqipëri. Ajo që dua të them është se Shqipëria ka bërë një progres të madh. Është vend anëtar në NATO, është një vend që kur e krahason me 30, apo 40 vjet më parë, vëren progres të stërmadh.
Jam një prej atyre që kanë besim të plotë se nëse të dy palët kanë vullnet të mjaftueshëm, ata gëzojnë instrumentet e duhur politike dhe një kuadër të qëndrueshëm politik, për të gjetur zgjidhje
Në Luksemburg ju u shprehët se synimi i Komisionit ishte të publikonte opinionin për aplikimin e Shqipërisë në nëntor.
Nëse ngërçi politik nuk do të zgjidhet në kohë, a do të publikoni një opinion negativ apo do të preferonit ta shtynit publikimin e mendimit tuaj për në një moment tjetër?
Do të jetë opinion objektiv. E përderisa ne po vazhdojmë të punojmë për të, është shumë herët për të thënë se si do të jetë rekomandimi.
Jam ende i vendosur për ta publikuar atë si pjesë të paketës së Zgjerimit, në nëntor të këtij viti dhe si një tablo e vërtetë, objektive e situatës dhe zhvillimeve në Shqipëri, opinioni me mjaft objektivitet do të reflektojë gjithçka ka ndodhur deri tani.
Në nisje të iniciativës së tyre, Daul dhe Schultz, u shprehën, në letrën dërguar kryeministrit e shefit të opozitës, se do të preferonin të ngrinin procesin integrues në mënyrë që vendi mos të rrezikonte një opinion negativ nga Komisioni.
A mendoni se ata janë seriozë? A ka vërtet shanse që kjo gjë të ndodhë për Shqipërinë?
Më lejoni të jem ndoshta edhe më shumë korrekt politikisht për këtë gjë, pasi nuk dua të komentoj mënyrën e të menduarit të Parlamentit Europian. Parlamenti Europian në njërën anë dhe Këshilli Europian në anën tjetrën, janë ata që marrin vendimet, bazuar në rekomandimin tonë, dhe rekomandimet tona bazohen në qasje shumë pragmatike dhe praktike, si kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave edhe kur është fjala për opinionin.
Siç e thashë opinioni do të jetë objektiv, shumë i drejtë, një vlerësim i hapur nëse Shqipëria i plotëson apo jo të gjitha kriteret, të gjitha pjesët e kriterit politik të Kopenhagenit. Do të ketë një rekomandim pasues dhe më pas u takon vendeve anëtare që të vendosin.
Ju keni insistuar gjithmonë për një proces teknik strikt të kushtëzuar për liberalizimin e vizave.
Por nga momenti që propozimi përfundimtar do të kalojë ndaj Parlamentit Europian dhe Këshillit, a mendoni se ky proces mund t’i shpëtojë vendimmarrjes politike, dhe të mos ndikohet nga ngërçi politik që vijon prej një kohe të gjatë tashmë?
Varet nga vendet anëtare dhe Parlamenti Europian, sepse të dy duhet të vendosin. Ju keni plotësisht të drejtë që Komisioni ishte shumë i vendosur ndaj udhërrëfyesit që ramë dakord me Shqipërinë. Ne ishim shumë të vendosur për të mos ndryshuar rregullat e lojës, në mes të lojës, dhe të kishim ca kritere shtesë.
Më duhet të them se udhërrëfyesi tregon mjaft qartë vendosmërinë e mirë dhe punën e shkëlqyer të autoriteteve shqiptare, sepse me përjashtim dy apo disa çështjeve, që mendoj se ka një mundësi që Shqipëria t’i përmbushë gjatë verës.
Të gjitha çështjet janë zbatuar sipas planit dhe kjo është arsyeja pse shpresoj se bazuar në rekomandimin pozitiv të Komisionit qytetarët e Shqipërisë do të mund të lëvizin së shpejti në zonën Shengen pa pasur nevojë për të kërkuar vizë.
Pra ju thoni se kjo situatë nuk do të ndikojë procesin teknik. As vendimin në Këshill?
Kjo situatë nuk ndikon vlerësimin teknik të Komisionit dhe misionet teknike që shkojnë në Shqipëri në mes të verës për të parë zbatimin e dy-tre çështjeve brenda kuadrit teknik dhe përkufizimit të udhërrëfyesit. Për sa i takon pjesës së Komisionit nuk ka kushte shtesë.
Komisioni ka nisur tashmë përpilimin e progres-raportit mbi Shqipërinë, përveç kriterit të Kopenhagenit, ngërçit politik, ku është Shqipëria në reformat e tjera kyçe, si në ekonomi, shtetin ligjor, gjyqësori, pavarësia e administratës?
Mendoj se në përgjithësi tabloja është pozitive. Fakti që vendet anëtare i kërkuan Komisionit që të përgatisë opinionin është një shenjë e njohjes së progresit që ka bërë Shqipëria.
Nga ana tjetër, natyrisht që shteti ligjor, të drejtat themelore, paanësia dhe pavarësia e gazetarisë, e gjyqësorit dhe liria e medias, këto janë sigurisht ku kërkohet ende që të bëhet shumë punë.
Sesi do t’i vlerësojmë konkretisht këto çështje dhe çfarë rekomandimesh do të japim bazuar në rezultatet që do të shohim, kjo është ende në proces e sipër sepse ende nuk e kemi përfunduar punën tonë.