Lojtarët e Kombëtares janë pritur si heronj në aeroportin e Rinasit. Rreth 5 mijë tifozë kuqezi pritën Kombëtaren, që mbërriti në aeroport rreth orës 03:22. Tifozët nga qytete të ndryshme të Shqipërisë por edhe nga Kosova me flamuj kuqezi kanë pritur për orë të tëra në aeroport deri në mbërritjen e kombëtares. Policia bllokoi të gjitha rrugët që të dërgonin në aeroport si pasojë e trafikut të rënduar, ndërsa në rrugën Rinas-Qafë Kashar mijëra tifozë krijuan autokolonë.
Të pranishëm në aeroportin ‘Nënë Tereza’ ishin dhe zv/kryeministri Niko Peleshi dhe ministrja Lindita Nikolla, të cilët së bashku me kapitenin Lorik Cana mbajtën një konferencë në sallën VIP. Peleshi falenderoi lojtarët duke u shprehur se ndihemi krenarë për atë që treguan në Beograd. Ministrja Nikolla falënderoi lojtarët për vlerat që treguan në sytë e botës, ndërsa nuk kurseu falënderimet edhe për trajnerin për ekipin e qytetarisë që ka formuar. Trajneri De Biasi nga Rinasi u shpreh: ‘Patëm një eksperiencë dramatike por jam i lumtur për Kombëtaren Shqiptare’.
Kapiteni Lorik Cana gjatë konferencës në sallën VIP tha se disa lojtarë u dëmtuan si pasojë e dhunës. ‘ Disa lojtarë janë dëmtuar, ndërsa Xhaka nuk shikonte dot pasi u lëndua në fytyrë. Ne nuk dalim të lumtur nga kjo ndeshje pasi jemi mbrojtur gjatë gjithë kohës. Shpresojmë që kjo situata të mos përsëritet dhe mardhëniet mes dy vendeve të normalizohen. U dhunuam nga tifozët dhe sigurimi, por për 40 minuta luajtëm me kokën lart.’ u shpreh Cana.