400 kg tritol dhe mijëra kapsolla elektrodetonatore dhe detonatorë janë sekuestruar nga ana e policisë gjatë operacionit të koduar “Dinamiti” i cili është shtrirë në të disa qytete të vendit , por kryesisht në Fushë Krujë ku janë edhe arrestuar 4 persona deri në këto momente, tre prej të cilëve anëtarë të një familjeje.
Burime nga policia e Shteteit bëjnë të ditur se deri në këto momente janë arrestuar Lulzim Mesi, Fatos Mesi, Nezir Mesi, të cilët janë anëtarë të një familjeje dhe Marjan Karaj, të katërt nga Fushë Kruja. Në deklaratën për mediat, Policia e Shtetit bën të ditur se Operacioni “Dinamiti” është duke vijuar edhe në qytetet të tjera të vendit.
Deri tani, nga operacioni janë sekuestruar 5960 kapsolla elektrodetonatore, 1800 detonatore, fitil dhe pajisje të tjera që do të shërbenin për shpërthim.
Gjithashtu gjatë kontrollit në banesat e të arrestuarve janë gjetur edhe 3 armë zjarri, të tipi kallashnikovë.
Materialet në ngarkim të të dyshuarve do t’i referohen Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, pasi me ndryshimet në Kodin Penal, mbajtja e municioneve luftarake dhe plasëse si tritol konsiderohet krim i rëndë.
Tre anëtarët e familjes Mesi dhe Marjan Karaj do të dalin të enjten para gjykatës, ku do të vendoset edhe masën e sigurisë ndaj tyre, për të vijuar më pas me procesin gjyqësor
Deklarata e Policisë për operacionin “Dinamiti”
Më datën 23.12.2014, Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas një pune dy mujore, të mirorganizuar me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, kanë finalizuar me sukses operacionin e Koduar “Dinamiti”, ku si rezultat u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Lulzim Mesi, vjeç 26, lindur dhe banues Krujë.
Fatos Mesi, vjeç23, lindur dhe banues në Krujë.
Nezir Mesi, vjeç 28, lindur dhe banues në Krujë.
Marjan Karaj, vjeç 34 lindur ne Kruje dhe banues në Vlorë.
Gjate arrestimit te tyre ju gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale
Tre armë zjarri kallashnikov.
20 arka me lëndë plasëse dinamit, gjithësej 2.000 kallëp , me peshë totale 400 kilogramë.
298 kuti me kapsolla elektro detonatore , gjithësej 5960 copë kapsolla.
18 kuti me kapsolla detonatore , gjithësej 1800 copë kapsolla.
100 metra fitil zjarr përcjellës.
Hetimet janë zhvilluar në vijim te procedimit penal Nr.311 viti 2014 , për veprën penale “Trafikim i armëve e municionit” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioactive”
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë per veprën penale “Trafikim i armeve e municionit” dhe “Trafikim i lendeve plasese, djegese, helmuese dhe radioaktive parashikuar nga neni 278/a e 282/a i Kodit Penal.