Ekspertiza e dytë mjeko-ligjore për vdekjen e 11-vjeçarit Denis Almadhi, 7 muaj më parë, është bërë publike sot. Sipas kësaj ekspertize shkak për vdekjen e 11-vjeçarit Denis Almadhi, ka qenë mungesa e mjekimit me dantrolen, i cili shërben për trajtimin e hipertermisë malinje.
Ekspertiza e dytë mjeko-ligjore, mbështet përfundimet e ekspertizës së parë se dantroleni është i vetmi antidot për krizën e hipertermisë malinje dhe mjekët shqiptarë nuk e përdorën për të kuruar Denis Almadhin, 11-vjeçari i cili ndërroi jetë në muajin nëntor të vitit 2012 nga hipertermia malinje.
Fëmija humbi jetën pas një operacioni plastik në sy në një nga spitalet e Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës ku asistuan edhe mjekë të huaj nga Irlanda, vetëm për shkak të mungesës së këtij ilaçi.
Familjarët e tij denoncuan mjekët në prokurori dhe kërkuan që mjekët të vihen para përgjegjësisë.
Dantroleni nuk është i disponueshëm në shumë institucione në vendet e Europës Lindore dhe në shumë rajone në botë për shkak të çmimit të tij, duke bërë që në këto zona të rritet rreziku i vdekjeve nga hipertermia malinje.
Lidokaina përdoret si element për të rregulluar aritmitë e shkaktuara nga hipertermia malinje dhe jo si zëvendësues i Dantrolenit. Përdorimi i Lidokainës si alternativë e Dantrolenit ishte një prej argumenteve më të fortë që institucionet shqiptare përgjegjëse përdorën si justifikim për trajtimin e Denisit.