Home Politike Edi Rama tërhiqet nga kushtet, pranë marrëveshja PS-PD

Edi Rama tërhiqet nga kushtet, pranë marrëveshja PS-PD

557
0

Ndryshe nga një ditë më parë, mbledhja e së mërkurës e tryezës së partive, ndonëse me dyer të mbyllura dhe me kohëzgjatje më të shkurtër, ka qenë më frytdhënëse. Socialistët të përfaqësuar këtë herë vetëm nga Damian Gjiknuri, një nga hartuesit e kodit zgjedhor, u paraqitën në mbledhje me një draft të ri, në të cilin hiqnin dorë nga ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve.
Tërheqja e socialistëve
“Përveç pjesës që i takon transparencës post zgjedhore dhe që nuk ka efekte të menjëhershme në procese të filluara, asgjë tjetër nuk ka të bëjë me kodin. Të gjitha të tjerat kanë të bëjnë me elementë që kanë të bëjnë me vendimmarrjen në KQZ, listat e zgjedhësve, procese të tjera që mund të zgjidhen me vullnet të mirë nga KQZ dhe angazhimin që do të marr qeveria”,tha Gjiknuri. Nga mazhoranca kjo është parë si një tërheqje e opozitës, e cila ka pranuar të 16 propozimet e demokratëve. Por nga ana tjetër ka sjellë kërkesa racionale.
Qëndrimi i demokrateve
“PS mesa duket i ka pranuar të gjitha propozimet që bëmë ne në marrëveshjen e djeshme, për shkak se nuk kanë bërë asnjë ndryshim nga teksti që ne kishim propozuar. Këto kërkesa që ata kanë nuk janë të tilla që janë të pazbatueshme ose që mund të cenojnë procesin. Një kusht i padiskutueshëm nga ana jonë, është që çdo lloj elementi që do të përbënte ndryshim në kuadrin ligjor të zgjedhjeve të përfshihet në kodin zgjedhor vetëm pas një vlerësimi paraprak nga OSBE ODIHR dhe Komisioni i Venecias”, tha Oerd Bylykbashi, ekspert zgjedhor. “U la që ditën e premte në orën 11:00 të mblidhemi për ta nënshkruar draftin”, u shpreh Luan Rama, LSI. Deri të premten ekspertët e dy partive do të synojnë të arrijnë një draft të përbashkët i cili përmbledh propozimet e dy partive kryesore dhe do të nënshkruhet nga të gjithë të tjerat.

Haxhinasto: Bashkëpunim mes palëve, në të mirë të integrimit
Zv.Kryeministri dhe njëkohësisht Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto ka deklaruar se maxhoranca dhe opozita duhet të jenë të interesuara për të bashkëpunuar në këto çështje të rëndësishme. “Vetë prezenca dëshmon për ndihmën reale të komunikimit intensiv që kemi me BE-ne dhe në axhendën tonë, integrimi Europian është prioriteti numër një”. “Procesi i integrimit dhe zbatimi i 12 pikave nuk janë çështje teknike, por çështje europiane dhe ne besojmë se maxhoranca dhe opozita do të jenë të interesuara për të bashkëpunuar, për të miratuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesa dhe me çështjen e integrimit të vendit. Procesi i integrimit duhet të jetë ne përqasje të përgjithshme”. Haxhinasto më tej ne këtë takim tha se duhet vullnet që palët të bashkëpunojnë, kjo lidhur me zgjedhjet e 8 Majit.

Jep dorëheqje ministri Xhaferraj
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj deklaroi sot dorëheqjen si ministër dhe dorëzimin e mandatit të deputetit. “Që dje unë i kam kërkuar kryeministrit, dorëheqjen nga pozicioni i Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, – tha dje Xhaferraj në një komunikim me gazetarë nga selia e ministrisë që drejtoi për afro dy vjet. Xhaferraj tha se kjo dorëheqje vjen si akt moral duke kujtuar faktin se vetëm mandati i deputetit është i papajtueshëm dhe shtoi: “Bazuar në principet për një garë të ndershme, unë e pashë të arsyeshme të jap dorëheqjen edhe si ministër”. Më tej z.Xhaferraj ka përmendur punën e bërë gjatë periudhës që drejtoi dikasterin duke vlerësuar se u shënuan disa arritje në sektorët e kulturës dhe turizmit në vend.

Ministri Imami: Mirënjohës për integrimin e Shqipërisë në NATO
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, dekoron me medalje “Për shërbime të shquara”, Atasheun Ushtarak grek, gjeneral brigade Panagiotis Farantos, me motivacion: “Për kontributin e dhënë nëpërmjet punës së tij, si atashe ushtarak, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë”. Në mbështetje të legjislacionit në fuqi, i cili bazohet në “Rregulloren për përshkrimin, procedurat e propozimit, shqyrtimit dhe dhënies së medaljeve personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ministri Imami, i ka dhënë atasheut grek, medaljen e shërbimit për të gjithë mbështetjen, suportin dhe kontributin që gjeneral brigade Farantos, ka dhënë për vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, të mbajtur enkas për këtë qëllim ministri i Mbrojtjes, z. Imami tha: “Është një kënaqësi e veçantë sot që i japim medaljen “Për shërbime të shquara”, gjeneral Panagiotis Farantos. Ky nuk është thjesht një akt kortezie, por është një vlerësim nga ana jonë, për të gjithë mbështetjen dhe punën e përbashkët gjatë gjithë kohës së qëndrimit tuaj në vendin tonë. Unë dua të falënderoj në mënyrë të posaçme gjeneral Farantos, për të gjithë kontributin që ai ka dhënë si atashe ushtarak i Republikës Greke në Shqipëri. Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme për të gjithë mbështetjen që Republika e Greqisë, Ministria e Mbrojtjes dhe atasheu grek Farantos ka dhënë për procesin e integrimit të vendit tonë në NATO. Ju jam shumë mirënjohës në emër të qeverisë Shqiptare, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare, por edhe në emrin tim personal, për të gjithë suportin dhe mbështetjen tuaj jo vetëm në fushën ushtarake, për krijimin e kësaj marrëdhënie të shkëlqyer që ka ekzistuar midis dy vendeve tona. Unë jam i bindur se fryma e bashkëpunimit dypalësh midis vendit tonë dhe shtetit helen në fushën ushtarake, do të vazhdojë edhe pas largimit tuaj nga vendi ynë. Jam i sigurt se të gjithëve do të na mungoj prezenca juaj këtu, gjithsesi ju duhet të dini se në vendin tonë keni bërë shumë miq, të cilët do të jenë krenar t’ju kenë pranë. Ju uroj shumë suksese në karrierën tuaj ushtarake, në detyrat që do të merrni në vendin tuaj dhe urimet më të mira për familjen tuaj”, nënvizoi ministri Imami.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here