Home Aktualitet Ecovolis edhe në Durrës

Ecovolis edhe në Durrës

713
0

Durrësi është qyteti i radhës që mirëpret transportin ekologjik me hapjen e stacionit publik të biçikletave Ecovolis. Nismë është mbështetur nga Bashkia e Durrësit, e cila ka si prioritet të saj mjedisin e qytetit dhe mbështet çdo nismë që ndihmon pozitivisht në mbajtjen pastër të këtij mjedisi. Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ecovolis është një program që synon të promovojë transportin ekologjik me biçikleta duke i dhënë qytetit më shumë ajër të pastër, duke shtuar një praktikë qytetare dhe europiane që ndihmon në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komunitetit.

Në stacionin e parë të Ecovolis në Durrës i vendosur në shëtitoren “Taulantia” ndodhen gjithsesj 30 biçikleta që mund të merren me qira nga qytetarët për t’i ndërgjegjësuar më shumë ata drejt një transporti të pastër, por në të njëjtën kohë për të lehtësuar edhe trafikun në qytet. Pas këtij stacioni do të çelen edhe dy stacione të tjera Ecovolis në Durrës që do të vendosen në sheshin “Iliria” dhe pranë rrugës së Mauzoleut të Dëshmorëve.

Në hapjen e këtij stacioni, kryebashkaku Vangjush Dako dhe pjesëtarë të administratës së Bashkisë si dhe shumë qytetarë kanë zhvilluar një shëtitje me biçikletat Ecovolis. Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi se nisma të tilla që ndihmojnë ekologjinë dhe mjedisin do të mbështeten fuqimisht nga Bashkia e Durrësit: “Kjo është një nismë që mbështetet fuqimisht nga Bashkia e Durrësit pasi ne kemi prioritet të punës tonë mbajtjen pastër të mjedisit dhe nisur nga kjo mbështesim çdo nismë në këtë drejtim. Të lëvizësh me biçikleta në një qytet turistik si Durrësi jo vetëm ndikon në mbajtjen pastër të mjedisit, por njëkohësisht lehtëson edhe trafikun në qytet sidomos gjatë sezonit turistik. Ne kemi gati edhe një sërë projektesh për krijimin në masë të pistave dhe korsive të biçikletave që fillojnë që nga plazhi dhe vazhdojnë në qytetin e Durrësit dhe mendoj se që nga fundi i këtij viti mund të fillojmë të konkretizojmë këto projekte, gjë që do të stimulonte lëvizjet në qytet me biçikleta”.

Karta e anëtarësimit mund të merret në çdo stacion Ecovolis. Personat e regjistruar për të përdorur biçikletat kanë 30 minutat e para të pedalimit falas, dhe pas kësaj, çdo orë me biçikletën “Ecovolis” kushton vetëm 60 lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here