Home Politike Historia mes Nanos dhe Metes, 20 vite mes miqësisë dhe kundërshtive

Historia mes Nanos dhe Metes, 20 vite mes miqësisë dhe kundërshtive

1015
0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ka konfirmuar dje kontaktet me ish-kryetarin e Partisë Socialiste Fatos Nano. Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeministrin boshnjak, Meta ka theksuar se biseda telefonike e zhvilluar me Nanon ka qenë në kuadër të vendimit të PE-së për vizat. Lajmi i bisedës telefonike mes Nanos dhe Metës u botua dje në “Tirana Observer”, ku veç urimeve dy ish-kryeministrat socialist folën dhe për situatën politike. “Dje ishte një ditë historike kurrsesi nuk mund të mungonte një vlerësim për reformat që ka bërë Shqipëria”, ka thënë Meta në lidhje me bisedën e zhvilluar me Fatos Nanon. “Biseda ka qenë shumë shoqërore, shumë konfidenciale dhe ka filluar pikërisht me urimin reciprok për heqjen e vizave nga Parlamenti Europian, dhe natyrisht që të gjithë jemi të bindur se këtu nuk përfundon rruga e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për tu bërë qytetarë të barabartë europianë, me të gjithë qytetarët e tjerë të Europës së Bashkuar”, tha Meta në lidhje me bisedën telefonike që ka zhvilluar me Nanon.
20 vite mes miqësisë dhe kundërshtive
Ishte miqësia më e gjatë në politikën shqiptare. Që nga viti 1990 e deri në vitin 2001, Fatos Nano dhe Ilir Meta cilësoheshin si dyshja më e suksesshme në skenën politike. Kishin arritur të fiton zgjedhjet në 1997-n dhe përsëritën të njëjtën fitore në vitin 2000. Por interesat e dy liderëve të PS-së nuk ishin të njëjta. Nano i kish kthyer në rutinë largimet dhe kthimet e tij nga politika. Ndërkohë që ylli politik i Metës ishte në kuotën më të lartë gjatë viteve 1999-2000. Ishte kryeministri më i ri në Evropë dhe cilësohej si një nga më të suksesshmit në Shqipëri. Ndërsa Nano ishte tërhequr për një farë kohe, duke u mjaftuar me postin e kryetarit të parisë. Por skena idilike nuk zgjati shumë. Nano nuk mund të qëndronte shumë në hije. Në një miting të organizuar në Pezë, ish-kryeministri nisi sulmin frontal ndaj qeverisë “Meta”. Pas kësaj, në partinë më të madhe të vendit do të shpërthenin mëritë e grumbulluara mes Nanos dhe Metës. Nano e akuzon Metën për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit. “Kryeministri Meta është mësuar të blejë mbështetje dhe vota me para të pista dhe të pastra”, deklaronte Nano në takimet e tij me elektoratin socialist. Ndërkohë Meta nën kostumin e kryeministrit i përgjigjej në mënyrë më të moderuar. “Mendoj se ka ardhur koha të thuhet hapur, se ajo që kërkon kryetari i partisë me presionin e tij të papranueshëm, është përfshirja në qeveri, apo në struktura të tjera të qeverisjes, e personave të veçantë”, thotë Meta. Por replikat vazhdojnë. Për të gjithë përplasja mes Nanos dhe Metës është cilësuar si “dueli i dy elefantëve” në politikë. Nano në mbledhjet e famshme të KPD-së arriti derisa të cilësojë ish-mikun e tij si “fashist”. Ndërsa Meta pas vitesh tension nuk mund të mos reagonte, pak a shumë në të njëjtën mënyrë, duke i kujtuar ish-kryeministrit “afera korruptive dhe pazare të ndyra në kurriz të shqiptarëve”.
Historia e përplasjeve
Kjo luftë nervash mes Nanos dhe Metës bën që më 31 janar 2001, Ilir Meta të jepte dorëheqjen nga qeveria. Në deklaratën e shkurtër që do të bënte për mediat, Meta thotë se, “qeveria ka qenë nën një agresion sulmesh shpifjesh dhe qëndrimesh të papërgjegjshme dhe të pamoralshme të Fatos Nanos”. Por ky nuk ishte fundit. Nano merr drejtimin e qeverisë dhe e bën Ilir Metën zëvendëskryeministër. Por plaga e hapur mes tyre nuk u mbyll. Meta së bashku me mbështetësit e tij do ta vendoste shpesh herë në pozitë të vështirë qeverinë “Nano”. Ndërkohë që Nano nuk i la asnjë herë hapësirën e duhur zëvendëskryeministrit. Dhe, i gjithë debati mbyllet në kongresin e dhjetorit të vitit 2003. Fatos Nano rizgjidhet kryetar i Partisë Socialiste, Ilir Meta nuk hyn në Këshillin e Përgjithshëm Drejtues dhe bashkë me mbështetësit e tij largohet nga forumet drejtuese dhe mbështetësit e tij. Atëherë, Meta krijon partinë e re, e para që doli nga çarja e PS-së, Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo do të ishte dhe çarja më e madhe e PS-së gjatë gjithë historisë së saj. Por debati mes Nanos dhe Metës vazhdon dhe sot. Dy liderët duket se nuk i kanë harruar ende problemet që i kanë sjellë njërit-tjetrit. Meta deklaron se, “nuk do të votojë kurrë Nanon President”. Ndërsa Nano nuk ngurron të shtojë se, “Meta është lideri që ka projektuar për të drejtuar PS-në, por që e ka zhgënjyer më tepër”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here