Krimi brenda familjes i ka marrë jetën një 15-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në hyrje të fshatit Torovicë të Komunës Balldre të Lezhës. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit në banesën e shtetasit Ndue Nik Stomiçi, 43 vjeç, lindur ne Dukagjin të rrethit Shkodër e banues në Torovicë të Lezhës, i cili ka vrarë me armë zjarri djalin e tij, shtetasin Nikolin Stomiçi, 15 vjeç.
Policia ka arrestuar autorin e ngjarjes si dhe ka sekuestruar 1 automatik model. 63 kalibër 7.62 mm, 13 copë gëzhoja mod.56, kalibër 7.62 mm dhe 27 copë fishekë mod. 56, kalibër 7.62 m
Ndërkohë, burime në vendngjarje kanë bërë të ditur se adoleshenti ka qenë në gjumë në momentin që është ekzekutuar me armë nga babai i tij. Mësohet se 15-vjeçari jetonte prej vitesh me babain dhe njerkën, pasi e ëma i kishte vdekur aksidentalisht vite më parë.
Sipas banorëve, adoleshenti kishte sjellë probleme të vazhdueshme në familje, pasi është akuzuar shpesh prej tyre për vjedhje të ndryshme. Ndërkaq, ditët e fundit referuar pohimëve të banorëve të zonës, edhe babai 43-vjeçar kishte shfaqur shenja depresioni, çka hedh dyshime se ai nuk ka duruar më ankesat e banorëve dhe ka arritur në vendimmarrje ekstreme, duke ekzekutuar të birin në gjumë.