Home Sport Dyshja Berisha-Cana, me te miret ne ndeshjen Lacio-Juventus

Dyshja Berisha-Cana, me te miret ne ndeshjen Lacio-Juventus

680
0

berisha-canaHamdi Salihi mund ta vijojë karrierën e tij te Nanta në Ligën e Parë franceze. Lajmi bëhet i ditur nga mediat e këtij vendi, të cilat i kanë dhënë goxha hapësira, kjo nisur edhe nga fakti që bëhet fjalë për një lojtar të Kombëtares. Gjithsesi, duhet thënë se në ndryshim nga herët e tjera, Salihi do duhet që më parë të kalojë një provë te kjo skuadër dhe më pas të diskutohet me drejtuesit për një kontratë të mundshme. “Të martën do të shikojmë një afrim të ri në stërvitjen e Nantës. Sipas informacioneve, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të provojnë Hamdi Salihin, sulmues shqiptar, i cili sapo ka mbushur 30 vjeç. Në Shqipëri e thërrasin ‘bomberi’, kjo edhe për shkak të 11 golave të shënuar në 43 ndeshje me Kombëtaren. Salihi është golashënuesi më i mirë i këtij ekipi përfaqësues, nga ata që janë ende në aktivitet”, – shkruante dje media franceze (20minutes.fr).
Murati – Shkodrani do e startojë provën e tij te Nanta falë ndërhyrjes së Edvin Muratit. Ka qenë pikërisht ky, sipas mediave franceze, që ka ndikuar te drejtuesit e këtij klubi për t’i dhënë një shans sulmuesit kuqezi. “Është një sulmues tipik, i fortë në lojën në zonë dhe me kokë. Një nuhatës i vërtetë goli. Të gjithë e kemi ende në mendje golin fantastik që ai shënoi vjet kundër Norvegjisë në Oslo, në fitoren e Shqipërisë”, – thotë Edvin Murati, ish-lojtar i PSGsë dhe Lilës në Francë, aktualisht menaxher i Salihit. Po a mund të përshtatet Salihi në Ligën e Parë franceze? Sipas Muratit, ky është kampionati i duhur për një si Salihi. “Unë them se ai mund t’i bëjë shumë punë Nantës në repartin e sulmit. E ndjek me kujdes kampionatin francez dhe mendoj se Salihi është në gjendje që t’i imponohet me lojën e tij”, – thekson Murati.
Problemet – Kujtojmë që Salihi vjen nga një eksperiencë e përfunduar jo në mënyrën më të mirë të mundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës te DC Junajtid dhe në kampionatin kinez te Jiangsu Sianti, klub me të cilin ka mbyllur përfundimisht kontratën dhe është një lojtar i lirë. Në këtë këndvështrim, media franceze me të drejtë ngre pikëpyetje: Kur një si Salihi nuk ia paska dalë dot në kampionate më të dobët në SHBA dhe Kinë, si do arrijë të jetë i suksesshëm në Francë? “Është gjithnjë e vështirë në fakt, pasi pjesa më e madhe mendojnë se shqiptarët nuk dinë të luajnë futboll. Por unë mendoj se në karrierë, një lojtar duhet që përveç talentit të ketë edhe pak fat, çka Salihit kjo e dyta i ka munguar”, – përfundon Murati.
Ofertat – Në drejtim të Salihit gjatë kohëve të fundit kanë shkuar edhe oferta të tjera nga pesë klube të ndryshme në Europë. Oferta më e mirë është ajo e zviceranëve të Grasshopersit, ku luajnë edhe dy mesfushorët e Kombëtares, Shkëlzen Gashi dhe Amir Abrashi. Skuadra e dytë ka qenë AEL Limasoli në Qipro. Kjo e fundit renditet aktualisht në vend të parë në kampionat. Ndërsa ofertat e tjera kanë qenë nga tri skuadra të kampionatit azerbajxhanas. Bëhet fjalë për Karabakun, ku luajnë Ansi Agolli dhe Admir Teli, Kabalanë dhe Inter Bakunë.
Kë zëvendëson – Nanta, duke qenë se do të largojë sulmuesin e saj kryesor, Filip Xhorxheviç , i cili kërkohet nga shumë skuadra në Europë, përfshi këtu edhe Lacion e Interin në Itali, ka si synim që ta zëvendësojë me një lojtar me eksperiencë. Në këtë rast në plan të parë ka dalë Hamdi Salihi, por gjithsesi me sulmuesin shqiptar nuk është rënë dakord, pasi ky i fundit do duhet që më parë të kalojë një provë te kjo skuadër. Nanta renditet në vend të 6-të në elitën e futbollit francez me 33 pikë, po aq sa edhe Reims dhe 1 pikë më pak sesa Lioni. Synimi i klubit është Liga e Europës, çka për ta arritur do duhet që skuadra të pozicionohet në vend të pestë në fund të kampionatit, një objektiv ky që të paktën referuar renditjes aktuale është më se i arritshëm.

Italianët, elozhe për dyshen Berisha-Cana
Etrit Berisha dhe Lorik Cana kanë qenë ndër më të mirët në fushën e lojës, në ndeshjen e së shtunës Lacio-Juventus. Këtë fakt e vërtetojnë edhe mediat italiane, të cilat nuk i kanë kursyer fjalët më të mira për të dy lojtarët shqiptarë. Duke filluar nga të përditshmet më të madha sportive: “Gazzetta dello sport” e “Corriere dello sport” e deri tek mediat e tjera informative si “Corriere della sera”, “Il messaggero” etj., të gjitha kanë dhënë nota mbi mesataren për Berishën dhe Canën, duke mos lënë pas edhe ndonjë kritikë të vogël, kryesisht për kapitenin kuqezi. Në fakt, ky i fundit në dy-tri raste është vlerësuar një gjysmë note më pak sesa portieri, i cili sërish është bërë një “digë” e pakalueshme te Lacio. Duhet thënë se që nga momenti kur në fushën e lojës ka qenë Etrit Berisha, Lacio nuk ka humbuar qoftë edhe një ndeshje, duke marrë vetëm barazime ose fitore (kampionat, Kupë të Italisë dhe Ligë e Europës). Sakaq, me shumë gjasa, portieri do të jetë titullar edhe në ndeshjen e kësaj mesjave ndaj Napolit në Kupën e Italisë, kjo edhe për faktin se, sipas informacioneve, portieri Federiko Marketi nuk është stërvitur as dje te Lacio. Sakaq, nisur nga ndeshja e kupës, Cana ka pohuar se do ta vlerësojnë maksimalisht, kjo edhe për faktin se çelestët janë mbajtësit e trofeut. “Kupa është e jona dhe për të na eliminuar ose për ta fituar do duhet që më parë të na mundin ne. Ne kemi shumë besim në vetvete dhe besojmë se do bëjmë një ndeshje të mirë edhe ndaj Napolit. Do të jetë një përballje e vështirë, pasi takojmë një skuadër që po kalon një moment pozitiv në kampionat. Nëse do arrijnë të kalojnë ata, do u bëjmë komplimentet tona, por hë për hë nuk duam assesi të dorëzohemi”, – ka thënë Cana në një prononcim për mediat italiane. Takimi Napoli- Lacio do të luhet ditën e mërkurë në stadiumin “San Paolo” dhe fituesi do të përballet në gjysmëfinale ndaj Romës. Në këtë këndvështrim pritet një tjetër derbi, këtë herë në Kupën e Italisë.

VLERËSIMET E MEDIAS PËR ETRIT BERISHËN
“Gazzetta dello sport”: nota 6.5 – “Surpriza e formacionit të Rejas. Bën mirë në pjesën e parë, nuk arrin të evitojë dot golin e Lorentes në të dytën dhe më pas neutralizon një aksion të Tevezit”.
“Corriere dello sport”: nota 7 – “Eviton në të paktën dy raste gola të sigurt, nuk u ndje për asnjë çast mungesa e Marketit”.
“Il messaggero”: nota 6.5 – “Në fushë për shkak të jodisponibilitetit të Marketit, por nuk gabon, duke treguar gjithë klasin e tij, sidomos në pjesën e parë ndaj Lorentes. Pa faj në golin e barazimit”.
“Corriere della sera”: nota 6.5 – “Fat për Lacion që ka një zëvendësues të tilë për Marketin. Edhe një herë tregoi se është i sigurt në ndërhyrjet e tij, ashtu sikundër bëri në të paktën dy raste në pjesën e parë, pas gjuajtjeve të Lorentes”.
“La Repubblica”: nota 6.5 – “Lojë shumë e mirë e portierit lacial, i cili shpëton rezultatin në disa raste. Nuk mund të bëjë asgjë në momentin e golit të Lorentes”.

VLERËSIMET E MEDIAS PËR LORIK CANËN 
“Gazzetta dello sport”: nota 6 – “Vuan shumë me Lorenten, por ia del që ta neutralizojë në pjesën më të madhe. Nuk ndihmohet sa duhet nga Biava në rastin e golit të barazimit”.
“Corriere dello sport”: nota 6 – “Lorente i krijon shumë probleme, por gjithsesi arrin të jetë deciziv në mjaft raste”.
“Il messaggero”: nota 6.5 – “Dylufton me Lorenten, i cili mundohet ta vërë në vështirësi. Është një duel i bukur dhe shqiptari ia del në të gjitha rastet. Sa keq që në rastin e golit të barazimit kishte lënë Lorenten për të markuar Tevezin”.
“Corriere della sera”: nota 6.5 – “Reja ndryshon mendim dhe e hedh në fushë në një mbrojtje me tre lojtarë. Dhe shqiptari nuk zhgënjen. Mbyll mirë hapësirat dhe nuk kursehet edhe në spërkata të njëpasnjëshme, nga të cilat merr edhe duartrokitjet e publikut”.
“La Repubblica”: nota 6 – “Një ndeshje e mirë, paçka se në rastin e golit të pësuar mund edhe të kishte qenë disi më i kujdesshëm”.

Shënon Gashi, Armando Sadiku “ndalet” nga tifozi nudist
Shkëlzen Gashi vijon të tregojë një formë të mirë sportive në këtë fillimviti, përderisa po shënon vazhdimisht në miqësoret që po luan Grasshopersi. Edhe dje mesfushori me tipare ofensive arriti të gjente rrugën e rrjetës në fitoren 3-1 të skuadrës së tij ndaj Vil, ekip i Kategorisë së Dytë ku aktivizohet edhe Gjelbërim Taipi. Gashi shënoi golin e tretë, i cili vulosi edhe fatin e këtij takimi. Para tij kishin shënuar Marko Muslin në minutën e 5-të për miqtë dhe më pas Salatiç (16′) e Kalifa (18′) kishin shënuar për Grasshopersin. Ndërkohë fitore ka realizuar dje edhe Zyrihu i Burim Kukelit dhe Armando Sadikut, 4-0 ndaj Lokarnos. Ky ka qenë edhe ekipi i parë i sulmuesit kuqezi kur u transferua nga Elbasani në Zvicër. Dje ndërkaq ai u aktivizua vetëm në pjesën e dytë, duke mos arritur të shënojë asnjërin nga katër golat. Por takimi, përtej goleadës, u përfol më së shumti për futjen në fushë të një tifozi nudo. Ishte minuta e 83-të kur Zyrihu ishte në një aksion, pikërisht me Sadikun, kur tifozi u lëshua nga tribuna dhe pasi kaloi sigurimin, përshkoi gjithë fushën e lojës. Një gjë e tillë natyrisht bëri që të ndërpritej për një çast loja dhe të duartrokitej edhe nga tifozët e tjerë të paktë në këtë ndeshje. Skena të tilla ndodhin shpesh në stadiume nëpër Europë, ku tifozë të ndryshëm e gjejnë këtë si mënyrën më të mirë për të dhënë mesazhet e tyre globaliste.

Basha luan 8 minuta, Mustafi titullar
Migjen Basha luajti vetëm 8 minuta në fitoren e djeshme të Torinos 1-0 në fushën e vet ndaj Atalantës. Edhe pse mesfushori ishte menduar në fillim si titullar, në mënyrë surprizë trajneri Ventura preferoi të luante me dyshen Farnerud-El Kadouri. Pikërisht këtë të fundit zëvendësoi Basha në minutën e 82-të. Sakaq titullar ka luajtur dje Shkodran Mustafi te Sampdoria. Mbrojtësi me prejardhje nga Gostivari i Maqedonisë, i cili pritet t’u bashkohet së shpejti kuqezinjve, bëri një ndeshje të mirë në barazimin 1-1 me Bolonjën. Për vendësit shënoi Gabiadini, ndërsa në shtesë barazoi Diamanti me penallti.

Kaçe titullar në fitoren e PAOK-ut
Ergys Kaçe ka luajtur më në fund si titullar në kampionatin grek me PAOK-un, në ndeshjen e djeshme që kjo skuadër fitoi në fushën e vet 4-1 ndaj Verias. Golat u shënuan nga Sekou Oliseh (1′), Maduro (5′) dhe Salpingidis (13′, 65′) për vendësit, ndërsa për miqtë shënoi Goncalves (56′). Kaçe luajti gjatë gjithë takimit, duke dhënë një kontribut të madhe në këtë fitore, e cila e mban PAOK-un në vendin e dytë me 48 pikë, 8 më pak se Olimpiakosi kryesues. Kaçe nuk luante një ndeshje si titullar në kampionat që nga 1 shtatori 2013 në përballjen PAOK-Panionios 4-1. Më pas ai u pezullua nga klubi dhe vetëm dje ka luajtur sërish si titullar.

Ujkani: Kjo, ndeshja ime e sezonit
Palermo nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola me Modenën në ndeshjen e së shtunës, por edhe këtë e arriti falë Samir Ujkanit. “Nuk mund të them se ishte ndeshja ime më e mirë që nga koha kur luaj te Palermo, por e sigurt që ishte më e mira e këtij sezoni. Jam i kënaqur pasi në Serinë B çdo ndeshje është e rëndësishme. Modena bëri një ndeshje të madhe, ndërsa ne ishim paksa të pafat në disa episode. Gjithsesi, për mendimin tim është një pikë e rëndësishme”, – është shprehur Ujkani në përfundim të takimit të së shtunës. Portieri luajti si titullar, duke shkëlqyer, aq sa në fund të gjitha duartrokitjet e “Renco Barbera”- s ishin të gjitha për të.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here