Tetë persona të zhdukur dhe dy të mbijetuar, ky është bilanci i tragjedisë detare që ndodhi rreth orës 01:00, pak pas mesnates, 20 milje larg vijës bregdetare te Durrësit. Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur rreth orës 23:00 të së merkurës, me rreth 200 udhëtarë në bord, është nisur nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe 20 milje larg portit, në ujërat ndërkombëtare është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”, me një kapacitet 3500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi. Anija tregtare me flamur maltez është fundosur në det për rreth 2 minuta ndërsa ne bord ndodheshin 10 pjestarëve të ekuipazhit me shtetësi turke. Trageti duket se nuk ka pësuar dëme dhe ka qëndruar në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, ndërkohë që ka lajmëruar Portin e Durrësit për tragjedinë.
Kapiteneria e Portit bëri me dije se dy anëtarë të ekuipazhit të anijes turke janë shpëtuar, ndërkohë që 8 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Burime nga spitali Rajonal i qytetit të Durrësit thanë se, Ahmet Bau 37 vjeç dhe Ahmet Setik, 54 vjeç, të dy nga Stambolli, ndodhen në spitalin rajonal të qytetit, jashtë rrezikut për jetën.
Në det vijojnë operacionet e kërkim – shpëtimit për pjesëtarët e ekuipazhit të cilët rezultojnë ende të zhdukur.
Kërkimet u shtrinë në tokë edhe në det, ndërkohë mesditen e sotme Roja Bregdetare e Durrësit dha urdhërin për ndërprerjen e operacionit të kërkim –shpëtimit për shkak të mos gjetjes së asnjë shenje nga personat e mbytur, ndërkohë kërkimet rinisën pasdite. Nga të dhënat e para dyshohet se 8 nga 10 anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur, ose momentalisht konsiderohen të humbur.
(Me poshte lajmi i ndjekur ore per ore)
RINISIN KËRKIMET PËR GJETJEN E TRUPAVE TË MARINARËVE TURQ
Ora 15:45-Kanë rinisur kërkimet në detin Adriatik për gjetjen e 8 trupave të marinarëve turq të humbur pas përplasjes së anijes së tyre me tragetin e linjës, Durrës-Bari. Lajmi konfirmohet nga Kapiteneria e Portit të Durrësit që bëjnë me dije se drejt vendit të ngjarjes është nisur anija ushtarake ‘Iliria’. Kërkimet në det ishin ndërprerë 3 orë më parë.
NDËRPRITET OPERACIONI I KËRKIM-SHPËTIMIT
Ora 12:12 Mosgjetja e asnjë shenje nga personat e mbytur në ujrat e detit të Durrësit ka bërë që operacioni i kërkim shpëtimit të ndërpritet
Urdhri për ndërprerjen e operacioneve është dhënë nga roja bregdetare e Portit te Durrësit ndërkohë nuk deklarohet se kur mund të rinisë operacioni.
Strukturat që morën pjesë në operacionin e sotëm ishin të shumta, si anija e madhe e rojes kufitare shqiptare ‘Iliria’, më e madhja dhe me kapacitete të mjaftueshme për dete me 6-7 ballë, një anije bregdetare, 1 motoskaf i policisë kufitare të Durrësit, një motoskaf i Guradia Di Financa, por edhe trageti i cili është përlasur me anijen tregtare turke. Ndërkohë në mëngjes rreth orës 6:00 të mëngjesit mësohet se operacioneve detare i janë bashkangjitur edhe operacionet ajrore nëpërmjet dy helikopterëve.
KONFIRMOHEN 8 TË ZHDUKUR
Ora 12: 12 Informacione të reja vijnë nda qyteti bregdetar Durrësit ku vijojnë kërkimet për personat e mbytur nga përpasja e sotme e tragetit të udhëtarëve dhe anijes tregtare turke. Komanda Portuale e Durrësit ka lënë të lirë tragetin e linjës Durrës-Bari të udhëtojë drejt Italisë, ndërkohë informacioni i dytë ka të bëjë me numrin e të zhdukurve. Konfirmohet se nuk janë 5 të zhdukur, por 8 persona.
TRAGETI MERR URDHER TË UDHËTOJE
Ora 11: 26 Trageti i linjës Durës-Bari i është dhënë leja për të udhëtuar në drejtim të Italisë. Kapiteni i përgjithshëm i Porteve, Edmond Doracaj, tha se trageti që ishte përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit do të vijojë lundrimin drejt portit të Barit (Itali), ndërsa në vendngjarje vazhdojnë përpjekjet për të gjetur trupat e personave të mbytur ose të mbijetuar. Sipas kapitenit Doracaj, shanset e shpëtimit të ndonjerit prej 8 marinarëve të humbur janë shumë të vogla.
NISIN HETIMET
Ora 10:45 Një grup specialistësh të flotës shqiptare kanë nisur hetimet. Mësohet se nga hetimet sot të arrihet në përfundimin nëse trageti ka ndryshuar kursin kur është njoftuar se do të mund të kishte një përlasje të mudshme me anijen tregëtare. Në grupin hetimor parashikohet të jenë edhe specialistë të huaj.
ALIZOTI: MË PAS DO ZBARDHEN SHKAQET
Ora 10: 35 Prefekti i Durrësit i cili po drjeton dhe operacionin e kërkim-shpëtimit rikonfirmon faktin se para orës 6:00 kërkimi bëhej vetëm në det dhe pas kësaj ore ka vijuar kërkimi intensiv edhe nga ajri. Prefekti thekson se operacioni është i vështirë dhe në det nuk janë vënë re gjurmë nga pasagjerë të humbur.
“Vijon opeacioni i kërkim shpëtimit, para orës 06:00 kishte vetem në det, tani ka dhe ne ajër. Deri në momentin që flasim shikohen dërrasat kanë mbetur nga anija dhe jelekë shpëtimi. Organet kompetente do zbardhin ngjarjen. Për momentin deti llogaritet të jetë 4-5 ballë që vështirëson disi punën, por nuk e bën të pamundur operacionin e kërkim-shpëtimit.
VIJON OPERACIONI I KËRKIM SHPËTIMIT NGA AJRI DHE TOKA
Ora 9:45- Operacioni i kërkim shpëtimit vijon ende nga ajri dhe toka në ujrat detare të portit të Durrësit rreth 20 milje larg vijës bregdetare, vend ku në orët e para të mëngjesit të sotëm u përplasën trageti i linjës Durrës- Bari dhe anija tregtare turke.Nga operacionet në det janë vënë në dispozicion 6 anije të rojes bregdetare dhe 1 anije detare. Ndërkohë nga ajri dy helikopter të minsitrisë së Bredshme po bëjnë patrullimin e gjithë vijës bregdetare në kërkim të personave që rezultojnë të zhdukur.
Mësohet se nga kërkimet paraprake janë gjetur pjesë të anijes turke të fundosur, dhe xhupa të shpëtimit të ekuipazhit bënë me dije Kapiteneria e Portit të Durrësit. Ndërkohë shpresat për gjetjen e personave të tjerë janë të pakta për shkak të temperaturave të ulëta që kanë vijuar në orët e para të mëngjesit dhe vështirësive që paraqet detit, i cili sot është 4 ballë.
RRËFIMI RRËNQETHËS I NJËRIT NGA TË MBIJETUARVE
Ora 8:45 “Ne udhëtonim nga Rusia drejt Malit të Zi, në orën 7:00 të mëngjesit ne duhet të kishim mbërritur në destincion, por anija u mbyt, gjithcka ndodhi rreth orës 1:00 të natës. U deshën vetëm dy minuta që anija të fundosej, nuk pashë të tjerë të mbijetuar. Kam thirrur nëse kishte njeri nga anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Por, askush nuk u përgjigj përvec personit tjetër të mbijetuar.”,- rrëfen ai duke u munduar të kujtojë momentet e fundosjes.
“Trageti ‘Ankara’ u përplas me anijen tonë, ajo ishte një anije e vogël, kur ne u përplasëm kishim sinjal alarmi të ndezur. Kemi qëndruar pezull në det vetëm një minutë, pastaj pamë që anija u fundos. Pashë që brenda anijes ishin 5 nga shokët e mi. Kur anija po fundosej ishte presioni i ajrit që më nxorri jashtë. Kjo bëri të shpëtoja, gjithcka ndodhi shumë shpejt. Shpresoj më gjithë shpirt të gjejnë shëndoshë ë mirë pjesën tjetër të ekuipazhit. Tre apo katër persona të tjerë ishin jashtë anijes dhe besoj se do të gjenden më lehtë”,- vijon rëfimin e tij shtetasi turk.
MJEKËT: TË MBIJETUARIT JANË MIRË
Ora 8:30 Drejtori i Spitalit të Durrësit konfirmon se gjendja e 2 të mbijetuarve janë në gjendje të mirë shëndetësaore, ndërkohë thekson se shtetasve turk do i ofrohet dhe ndihmë psikologjike për shkak të shokut që kanë pësuar.
“Në parametrat paraprak që ekipi mjekësor i bëri në cast, janë të dhëna të mira. Megjithatë gjendja e tyre do të ndiqet dhe do të shihet edhe gjendja e tyre psikologjike. Nga të dhënat paraprake mund t’ju them se personat e mbijetuar janë Ahmet Secik 54-vjec dhe Ahmet Bau 38-vjec të dy nga Stambolli. Për kohën se sa do të qëndrojnë në spital është ekipi mjekësor që do të vendosë për gjendjen e tyre, por unë me prefektin u iteresuam dhe janë mirë dhe ndjehen mirë”,- konfirmon drejtori i Spitalit të Durrësit Taulant Baku.
TRAGETI I SHPETON PERPLASJES, NIS OPERACIONI I SHPËTIMIT
Ora 7:00 Menjëherë pas tragjedisë detare është informuar porti i Durrësit. Ndërkohë mësohet se nga përplasja, trageti në të cilin ndodheshin 196 pasagjerë nuk ka pësuar asnjë dëm, dhe ka dhënë ndihmën e parë për ekuipazhin e anijes tregtare, që kanë përfunduar në det të hapur.
Mësohet se anija ushtarake ‘Iliria’, një skaf i policisë dhe katër motovedeta, janë nisur në drejtim të vendngjarjes për ti dhënë ndihmë ekuipazhit të anijes turke.
Edmond Doraci, kapiten i Portit të Durrësit ka bërë me dije se 3 persona rezultojnë të vdekur, ndërkohë që 5 të tjerë rezultojnë të zhdukur, janë të gjithë pjesë e ekuipazhit të anijes tregtare turke.
Doraci, konfirmon se anija Patrulluese “01”, ka nxjerrë në port dy të mbijetuar.
Ora 02:00-Trageti “Ankara”, i cili ishte nisur rreth orës 23:00 të së merkures, me rreth 200 udhëtarë në bord nga Porti i Durrësit drejt Barit rreth 20 milje larg portit, në ujërat ndërkombëtare është përplasur me anijen tregtare “Reina 1”, me një kapacitet 3500 ton, e cila lundronte nga një port rus drejt Malit të Zi.
Anija tregtare me flamur maltez është fundosur shumë shpejt nga goditja e fortë, ku deri tani mësohet se kanë shpëtuar dy nga marinarët që ndodheshin në këtë anije. Ahmet Secik dhe Ahmet Bau, janë dy marinarët turq të cilët i kanë mbijetur tragjedisë detare, ndërkohë që mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.
Pritet që të nisin operacionet e shpëtimit nga ajri ku të zhdukurit do të kërkohen nëpërmjet helikopterëve, kjo për shkak se deti mund t’i ketë largur në një distancë më të largët se vendngjarja.