Home Andrea Stefani Dritëhijet e Ilir Metës dhe “antikorrupsioni” i Berishës

Dritëhijet e Ilir Metës dhe “antikorrupsioni” i Berishës

670
0

Këto ditë gazeta RD ka nisur një sulm kundër Ilir Metës duke marrë shkas nga një pritje sa masive aq edhe luksoze që organizoi me rastin e ditëlindjes së tij. Po thuhet se disa qindra mijë euro u harxhuan në këtë festim (Lulzim Basha e quajti provokim) me rreth 600 të ftuar. Një show që po kritikohet jo vetëm nga gazeta RD duke u përkufizuar, në thelb, si një orgji festive që shfaqet edhe më pa sens në sfondin e varfërisë që karakterizon jetën e shumë shqiptarëve. Nga vijnë gjithë këto para?- vërdalloset pyetja në opinion. Dhe mund ta marrësh lehtë me mend se shumë nga përgjigjet që rëndom njerëzit japin priren ta gjejnë shpjegimin te korrupsioni apo konfliktet e interesit. Po ndërkaq, reagimi i opozitës berishiste nxit edhe një pyetje tjetër: Pse tani ky sulm i PD kundër Metës, sulm që nuk mund të niste pa aprovimin e Berishës? Vallë qe çadra 200 metroshe e ditëlindjes ajo që ia hapi sytë Berishës dhe klanit të tij për të kuptuar befas se Meta qenka i korruptuar?! Një analizë e fakteve na dëshmon se nuk është fare kështu dhe se autokratin Berisha nuk e shqetëson fare korruptimi i Metës. Thjesht ai kërkon ta përdorë “antikorrupsionin” kundër Metës për të përçarë koalicionin PS-LSI dhe për t’i hapur edhe një herë shansin e pushtetit autokratizmit të tij edhe më të korrutptuar. Është instinkti i pushtetit dhe aspak sensi i të drejtës dhe shtetit.

***

Që Sali Berisha ka qenë vite më parë koshient për atë që sot e denoncon si korrupsion të Metës, faktohet në deklarimet e bëra prej Berishës kur Ilir Meta ishte Kryeministër i qeverisjes socialiste. Në një konferencë shtypi në korrik të vitit 2000 Berisha deklaronte: “Një gjë është e sigurt, qeveria Meta 2 do të jetë më kusare, më e korruptuar, më antipopullore se qeveria Meta 1…dhe këtë e bazoj në faktin që me këto ndryshime Ilir Meta shtie në dorë të gjithë tenderët e mëdhenj të vendit. Ndiqni pak përpjekjet djallëzore të këtij kryekusari që nuk njeh as ligj dhe as moral për t’u pasuruar me shpejtësi, sesi vepron me ministritë e tenderëve”. Dhe megjithëse i qartë për të gjitha këto, Berisha nuk pati asnjë vrasje ndërgjegjeje kur në vitin 2009 ftoi në qeveri atë që e denonconte si “kryekusarin që nuk njeh as ligj dhe as moral”. Gjë që provon se kur është fjala për të qëndruar në pushtet Berisha nuk njeh as ligj dhe as moral. Por ka edhe më. Në vitin 2001 po Berisha ka deklaruar se “Meta është njeriu që e ndërtoi pushtetin e tij mbi krimin, trafiqet dhe korrupsionin e organizuar”. Kur e kishte me sinqeritet ky autokrat me shqiptarët, kur e shpallte Metën mafioz apo kur e shpallte zëvendëskryeministër? Ose shpifës ose pragmatizëm kriminal. Këto janë dy përkufizimet që mund t’i bëhen Berishës në këtë rast.

***

Nevoja për të pafundësuar pushtetin e tij, fakti qe nuk i kish fare votat për të marrë një mandat të dytë, e bëri Berishën që të bëjë aleancë me Metën. Kështu u krijua qeveria e “integrimit” PD-LSI që ia zgjati jetën autokratit edhe 4 vjet në pushtet, duke bërë që sundimi i tij t’i afrohet rrezikshëm edhe një mandati të tretë. Dhe nëse kjo do të ndodhte në zgjedhjet e 23 qershorit, demokracisë në Shqipëri do t’i vinte fundi. Një mandat i tretë për Berishën do kish pasur po atë efekt shfarosës mbi demokracinë shqiptare që pati Rajhu III i Hitlerit mbi demokracinë gjermane të Republikës së Vajmarit. Por ishte pikërisht largimi i beftë i Metës nga qeveria “Berisha” që garantoi rotacionin deri në atë moment, të bazuar në një aritmetikë të pasigurt përqindjesh avantazhi për opozitën, avantazh që bëhej edhe më i pasigurt për shkak të shkallës së lartë të manipulimit të zgjedhjeve. Kanë mbetur ende mister shkaqet e vërteta se pse e bëri, por dihet që vetë Berisha u pataks nga kjo lëvizje që nuk e priste. Koha do t’i zbulojë, por është e qartë që sot se ne ia detyrojmë vazhdimësinë e shansit të demokracisë, pikërisht “kryekusarit që nuk njeh as ligj dhe as moral”.

***

Për një sërë shkaqesh që nuk mund të analizohen në një artikull të shkurtër, demokracisë i lindi në vitin 2013 po ashtu nevoja që të bashkëpunonte me Metën pikërisht kundër autokratizmit berishist. Edhe pse i sapodalë nga një videoskandal korruptiv spektakolar, Meta mbetej politikani që me pozicionimin e tij do t’i jepte shans ose autokratizmit në pushtet ose demokracisë. Në vitin 2005 ia dha këtë shans autokratit Berisha duke e rrezikuar seriozisht demokracinë. Në vitin 2013 ia dha këtë shans demokracisë duke mundësuar ndërrimin e një pushteti që kërcënonte të përjetësohej. Prandaj Berisha e sulmon kaq egër Metën. Por edhe për faktin se po i shuhen shpresat që Meta të luajë kalin e Trojës së autokratizmit në barkun e qeverisë “Rama”.

***

Duket Edi Rama u ndërgjegjësua për këtë peshë specifike që zinte Meta në peshoren e politikës, në balancën e humbjes apo fitores. Dhe zgjodhi të fitojë duke bërë aleancë me Metën. Ramën nuk e shtyu drejt Metës virtyti, por nevoja. Një aleancë që mund të përngjasojë në dukje me aleancën e Berishës me Metën, por që në thelb, është krejt e ndryshme. Sepse aleanca Berisha-Meta ushqeu autokratizmin, ndërsa ajo Rama-Meta rihapi shansin e demokracisë dhe rotacioneve të mëtejshme që e shoqërojnë atë. Aleanca Berisha-Meta do të ishte fundi. Aleanca Rama-Meta është fillimi. Një aleancë që e mbështetën si një të keqe më të vogël edhe ata që aspironin rotacionin e pushteteve përkundër betonimit të autokratizmit. Në atë kohë, Mustafa Nano, përballë skrupujve moralë të shfaqur aty këtu në media, këshilloi aleancën e PS me “të gjithë qelbësirat” po të qe nevoja, por vetëm të largohej Berisha nga pushteti. Autori i këtyre radhëve ka publikuar artikullin “Me Stalinin kundër Hitlerit” për të theksuar të njëjtën nevojë dhe domosdoshmëri për shpëtim nga rreziku i një autokratizmi që po betonohej në pushtet. Kemi qenë të ndërgjegjshëm se do të ishte një aleancë jo tërësisht e pastër, por e domosdoshme. Më mirë të përçahej qeveria Berisha-Meta sesa votat e të majtës aq të nevojshme për rotacionin. Por ka një dilemë tjetër që këmbëngul: A do të trashëgojë edhe qeverisja e sotme pisllëkun e aleancës Rama-Meta? Ose e formuluar ndryshe: A mundet Meta, një politikan me të kaluar mjaft të kompromentuar, të pengojë luftën kundër korrupsionit aq jetike për demokracinë? Ekuacioni është me shumë të panjohura, por një përgjigje e thjeshtë dhe optimiste mund të jetë kjo: Aleanca me diktatorin e egër Stalin nuk i pengoi aleatët perëndimorë të luftojnë me sukses Hitlerin në favor të demokracisë! Të rëndësishme janë termat e aleancës. Ato nuk i dimë.

“Shqip”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here