Një mori ngjarjesh të rënda në vendin tonë përfshirë këtu vrasje, rrëmbime personash apo përdhunime seksuale me të mitur kanë bërë që dy nga ministrat e qeverisë Berisha, ai i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu të paraqesin drafte në Kuvend për ashpërsimin e masva të dënimit për autorë të veprave të ndryshme penale.
Në draftin e dorëzuar në Kuvend nga ministrja Bregu, kërkohet një rritje e masës së burgimit për personat që dhunojnë dhe abuzojnë deri në marrëdhënie seksuale me fëmijë që ende nuk kanë mbushur moshën 14 vjeç. Sipas Bregut, referuar dhe ngjarjeve të fundit që kanë tronditur opinionin publik shqiptar propozohet që pedofilizmi të ndëshkohet nga 7-15 vite që ka qenë më parë në 28-40 vite ose me burgim të përjetshëm.
“Në këtë projektligj krimi makabër i pedofilisë, kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur e që s‘kanë mbushur 14 vjeç, dënohej me burgim nga 7-15 vjet. Me votimin e këtij Kodi bëhet nga 28- 40 vjet deri në burgim të përjetshëm. Për monstrat ka vetëm një dënim: më maksimalin që njeh ligji ynë”, thotë Bregu në propozimet e saj.
Ndër të tjera, sipas ministres së Integrimit, në kod duhet të përfshihen dhe masa ndëshkimore lidhur me ngacmimet seksuale në rrjetet sociale. “Të shtohet si një parim i Kodit Penal, “interesi më i lartë i fëmijëve”. Në Shqipëri, me përjashtim të Kodit të Familjes, ka një mungesë referimi për parimin e interesit më të lartë të fëmijëve.
Nenit 102 t’i shtohet një paragraf me përmbajtje si më poshtë vijon: “Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, pa pëlqimin e njërit prej tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Nenit 121/a ku parashikohet dënimi për “Përndjekjen” (ngacmimin fizik etj, kjo jo vetëm e lidhur me dhunën në familje), t’i shtohet si vepër penale dhe ngacmimi nëpërmjet mjeteve të komunikimt elektronik, përfshi internetin e njohur si cyber-stalking”, thuhet në draftin e ministres Bregu.
Ndërkohë që në draftin e saj, ministrja Bregu propozon ashpërsim të dënimeve edhe në raste të tjera siç janë vrasjet me dashje të personave të afërt, kryerjes së një krimi gjatë ose pas dhënies së urdhrave gjyqësor të mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe të dënime më të rënda në raste të dhunës në familje kur ato kryehen në prezencë të fëmijëve.
Një sërë ndryshimesh të rëndësishme ka paraqitur dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi përsa i përket rreptësimit të dënimeve në Kodin Penal për vepra të ndryshme krimi. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë pritet që të propozohet se duhet të rritet maksimalja e burgimit 25 vite dhe të bëhet 38 vite e deri te burgimi i përjetshëm, ku më parë ka qenë 25 vite.
“Për disa krime të kryera me dashje dhe me rrethana rënduese, dënimi prej 25 vjetësh që ne kemi si dënim maksimal për këtë lloj dënimi, është i ulët. Mendoni dikë që ka vrarë një zyrtar, një polic, një grua, një fëmijë, dhe autori është vetëm 20 vjeç! Diapazoni nga 25 vjet burgim deri në dënimin burgim i përjetshëm është shumë i madh, ndaj ky diapazon duhet të ngushtohet.
Ne kemi parashikuar se për disa krime dënimi minimal nuk mund të jetë më i vogël se 28 vjet burgim dhe për disa të tjerë jo më pak se 38 vjet. Vrasja e funksionareve publike, vrasja e fëmijeve, vrasja për gjakmarrje dhe hakmarrje si dhe vrasja e gruas, apo krimi brenda familjes”, thotë Halimi.
Sipas tij duhet rritur minimumi edhe i krimit për mbajtjen e armëve, djegien e pyjeve apo aksidentet me makinë me pasojë vdekjen, ku kohët e fundit janë shtuar shumë në në vendin tonë. Lidhur nga ngjarjet e fundit, edhe vetë kreu i qeverisë ka garantuar ndëshkim maksimal për autorët e veprve të ndryshme, të cilat në të shumtën e rasteve janë me pasojë vdekjen.
Ndryshimet në Kodin Penal që janë propozuar nga qeveria, pritet që të shqyrtohen në Kuvend dhe më pas të kalojnë për votim në seancë plenare. Kjo paketë ndryshimesh kërkon për miratim një shumicë të cilësuar votash nga deputetët në Parlament.
Dy ministrat, që janë dhe propozuesit e këtyre ndryshimeve në Kodin Penal, kërkojnë konsensus nga opozita pasi ndryshimet që janë bërë, sipas tyre i shërbejnë shoqërisë dhe pretendohet që të ulet krimi në vend.
Kjo do të jetë një tjetër sfidë në Kuvend nga mazhoranca për opozitën, ku ende kanë mbetur pezull edhe votimi i tre ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me administratën gjyqësore, reformën parlamentare si dhe nëpunësin civil.