Arbitrat bojkotojnë të gjitha ndeshjet sportive që do të zhvillohen këtë javë në stadiumet shqiptare. Vendimi vjen pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit ndërkombëtar i FIFA-s, Lorenc Jemini, në përfundim të ndeshjes Laçi-Kastrioti, 1-1. Ky i fundit u dhunuar të hënën në fushën e lojës nga tifozët dhe drejtues të klubit të ekipit të Laçit.
Sipas arbitrave vendimi për të bojkotuar ndeshjet është një mënyrë për të sensibilizuar opinionin publik dhe aktorët e futbollit që ngjarje të tilla të mos përsëriten më në stadiumet tona.
Një ditë më parë Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit dënoi ashpër skuadrën e Laçit, të cilës iu hoqën gjashtë pikë dhe i pezullohet fusha deri në fund të sezonit, pas rrahjes barbare të gjyqtarit, në përballjen e së hënës ndaj Kastriotit.
Në bazë të këtij vendimi, ekipi i Laçit duhet të zhvillojë të gjitha ndeshjet e mbetura brenda këtij sezoni në fushë asnjëanëse dhe pa tifozë, ndërsa bien në renditje nga vendi i gjashtë në të 11-tin, në kuotën e dhjetë pikëve.
Gjithashtu, Komisioni i Disiplinës vendosi për ndëshkimin e presidentit Pashk Laska dhe zyrtarëve të klubit, Ardian Laska dhe Kastriot Rama, me 24 muaj pezullim nga aktivitetet futbollistike dhe 500 mijë lekë gjobë.