Home Aktualitet Deshmitaret e vrasjes ne Durres: “U tmerruam kur pame makinen te digjej”

Deshmitaret e vrasjes ne Durres: “U tmerruam kur pame makinen te digjej”

706
0

durres-vrasjeAjo që na panë sytë mbrëmjen e së enjtes ishte horror. Është pak të them që burra, gra e fëmijë u tmerruan jo vetëm nga shpërthimi dhe djegia e makinës, por edhe nga era e mishit të djegur që ishte shpërndarë gjithandej. Ishte e pamundur që të ndërhynim për të shpëtuar personat që ndodheshin në automjet. Trupat e tyre u nxorën nga policia pas afro dy orësh”. Kështu deklaroi dje Afrim Pasha, dëshmitari okular i ngjarjes ku shpërtheu në flakë makina tip ‘Mercedez Benz’ me targa AA 930 BJ brenda së cilës ndodheshin trupat e pajetë të Shaban Babasit dhe Albert Kasallës.

Ishte 45-vjeçari Pasha, banues në ish-Kënetë të Durrësit, i cili sinjalizoi policinë për ngjarjen makabre. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Pasha rrëfeu momentet e tmerrit dhe panikun. Ai deklaroi se policia dhe zjarrfikësit mbërritën 45 minuta me vonesë në vendin e ngjarjes, atëherë kur makina ishte djegur dhe dy personat që gjendeshin në të ishin shkrumbuar. Ndërkohë, 45-vjeçari në emër të të gjithë banorëve të ishkënetës i bën apel policisë që të marrë masa, pasi në këtë zonë mblidhen të gjithë personat me precedentë penalë dhe që janë të rrezikshëm për komunitetin.

Afrim ju e lajmëruat policinë e Durrësit për automjetin që kishte marrë flakë?

Pashë një makinë që shpërtheu në flakë. Digjej e gjitha. Ka qenë ora 22:00 e së enjtes kur lajmërova në numrin 129, se një makinë kishte shpërthyer në flakë dhe se kishte njerëz brenda. Në atë moment disa burra të lagjes erdhën me vrap tek makina me qëllim që tu jepnin ndihmë personave që ishin brenda. U afruam, por flakët ishin të mëdha dhe nuk mund të ndërhynim. U tmerruam të gjithë.
A dëgjuat shpërthim?
Po. Ishte shpërthim i fuqishëm. Ishte serbatori i makinës, që shpërtheu. Ne menduam fillimisht se kishte tritol. U afruam pamë një njeri në sediljen e pasme, por nuk mund t’i jepnim ndihmë. Digjej vaji e karburanti i makinës. E keqja ishte që fëmijët na u tmerruan. U përhap era e mishit të djegur dhe asnjë prej banorëve nuk flinte më gjumë. Ishte e rëndë, pasi ne nuk e dinim që ata ishin të vrarë. Menduam se ishin djegur të gjallë dhe kjo na shqetësoi shumë.
A kishit mundësi të ndërhynit vetë?
Jo vetëm që mjeti ishte në flakë, por kishim frikë se do të prishnim provat për policinë. Apo mund të na merrnin ne për të dyshuar. Prandaj nuk ndërhymë.
A patë ndonjë makinë tjetër që të largohej?
Jo ne dolëm kur shpërtheu në flakë automjeti ku ndodheshin dy viktimat.
Po policia dhe zjarrfikëset kur erdhën?
Erdhën me shumë vonesë. Policia erdhi 40 minuta me vonesë, ndërsa zjarrfikësja edhe më vonë. Kur erdhi policia, ajri përreth dhe në një distancë të konsiderueshme kundërmonte erë mishi të djegur. U tmerruan fëmijët nga ajo çfarë pamë e dëgjuam. As për zjarrfikësen s’kishte punë kur mbërriti, sepse makina ishte djegur pothuajse e gjitha.
Çfarë ndodhi më pas?
Më pas kanë mbërritur shumë forca policie. Ishte situatë shumë e keqe, pasi nuk po mundeshin të hapnin derën e makinës. Në fillim hapën bagazhin dhe aty gjetën një person të shkrumbuar. Ekspertët e policisë kanë punuar gati 2 orë me leva e sopata derisa arritën të shqyenin derën e automjetit dhe nxorën një tjetër person të shkrumbuar tërësisht. Gjatë gjithë natës, policia ka qëndruar në vendngjarje. Ndërkohë që të gjithë banorët e lagjes nuk kanë mbyllur sy nga tmerri i ngjarjes makabre.
Cili është apeli juaj si banor i zonës?
I lutemi shtetit, qeverisë, policisë të na ndihmojë. Se në këtë lagje po vijnë kriminelët më të rrezikshëm. Rruga nuk është hapur prej tre vjetësh për këmbësorët. Këtu ku u dogj makina mblidhen të gjithë drogaxhinjtë e Durrësit dhe të gjithë çiftet që bëjnë seks. Ne i bëjmë apel policisë të bllokojë rrugën e të mos lejojë të vijnë këtu persona me precedent penalë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here