Zbardhen të tjera detaje nga dëshmia e të dyshuarit si vrasës me pagesë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Julian Sinanaj ka rrëfyer para oficerëve të policisë se ai ka kryer edhe vrasjen e një biznesmeni tjetër në vend, emrin e të cilit nuk e ka thënë.
Sipas ekspertëve, 31-vjeçari ka kërkuar që të sigurohet se nuk do t‘i ndodhë asgjë, përpara se të flasë dhe të nxjerrë detaje të tjera. Gjatë rrëfimit të tij, Sinanaj është shprehur se ai ka pranuar që të ekzekutojë edhe një biznesmen tjetër, për të cilin nuk ka dhënë shumë detaje. Gjithçka është zbuluar në sajë të një videoje që disponon organi i akuzës, ku shihet qartë skema e një ekzekutimi. Burime nga grupi hetimor sqarojnë se gjatë momentit të arrestimit, Sinanajt i është sekuestruar edhe një kartë me pamje filmike, në të cilat shfaqet dukshëm edhe njëri prej ekzekutimeve që i dyshuari si vrasës me pagesë ka kryer në vendin tonë.
Burime pranë këtyre ekspertëve sqarojnë se në njërën prej këtyre videove, pamjet nuk janë shumë të qarta, por tek ato shihet vetëm Julian Sinanaj, i cili i afrohet një makine me xhama të zinj. Sipas të njëjtave burime, në këtë video, 31-vjeçari afrohet tek xhami dhe qëllon drejt saj në një distancë shumë të shkurtër. Por, në video nuk duket personi që qëllohet, pasi pamjet janë shumë të paqarta. Për këtë arsye, grupi hetimor i ka mëshuar fort faktit për të mësuar të vërtetën rreth këtij ekzekutimi, dhe para dy ditësh ka dhënë detaje të reja rreth kësaj ngjarjeje. Sipas Sinanajt, personi që qëllohet në këtë video është një biznesmen, për të cilin ka marrë porosi për ta vrarë.