Home Aktualitet Departamenti Amerikan i Shtetit kritika per gjyqesorin

Departamenti Amerikan i Shtetit kritika per gjyqesorin

565
0

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar dje raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2010. Në këtë raport 25 faqesh ndër të tjera, kritikat më të rënda janë për gjyqësorin. Në raport theksohet se presioni politik, intimidimi, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara shpesh kanë penguar gjyqësorin që të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase. Duke mos u mjaftuar me kaq, në raport thuhet se emërimet politike në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese kërcënojnë të rrezikojnë pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave. Sa i përket mediave në Shqipëri kanë qenë aktive, megjithatë ka pasur raste direkte dhe indirekte të presionit politik mbi mediat, duke përfshirë edhe kërcënimet ndaj gazetarëve.
Zgjedhjet
Raporti i DASH ndalet edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas raportit vihet në dukje se edhe OSBE-ODIHR deklaroi se edhe pse pjesa më e madhe e angazhimeve u plotësuan, ato nuk përmbushen standardet më të larta për zgjedhjet demokratike. “Në qershorin e vitit 2009 vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare në të cilat vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it vlerësuan se shënuan progres në raport me zgjedhjet e shkuara por nuk realizuan potencialin e plotë për përmbushjen e standardeve të OSBE-së. Ndërsa Partia Socialiste në opozitë votoi për certifikimin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe përfundimtare, nisi një bojkot i parlamentit në shtatorin e vitit 2009, duke kërkuar një hetim për dyshimet mbi zgjedhjet. Bojkoti vazhdoi deri në fund të vitit”, thuhet në raport.
Të drejtat e njeriut
Në raport thuhet se edhe nuk ka të dhëna të përfshirjes së qeverisë në ndonjë vrasje arbitrare, vrasjet e dy figurave politike, anëtarit të Partisë Socialiste Fatmir Xhindi dhe anëtarit të kristian-demokratëve Aleks Keka janë nën hetim, por ende nuk janë zgjidhur si çështje. Sakaq aty shënohet se policia në shumë raste ka keqtrajtuar të shoqëruar në dhomat e izolimit gjatë marrjes në pyetje ashtu sikurse ka të dhëna për dhunime të të burgosurve. “Korrupsioni në polici dhe pandëshkueshmëria vazhdojnë të mbeten problem. Korrupsioni në qeveri mbetet problem serioz dhe i pazgjidhur. Diskriminimi ndaj grave, fëmijëve, homoseksualëve dhe minoriteteve është një tjetër problem ashtu sikurse çështja e trafikimit të personave”, thuhet në raport.
Dik Marti
Mes të tjerash, në raportin e DASH përmendet edhe raporti i Këshillit të Evropës, i hartuar nga anëtari i saj Dik Marti për trafikim organesh nga ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi. Duke rikujtuar hetimet e zhvilluara nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte, raporti rikujton gjithashtu se hetimet kanë përfunduar pa gjetjen e dëshmive.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here