Home Aktualitet Dënimi për Kostandin Xhuvanin, Halimi: Vendimi i papranueshem

Dënimi për Kostandin Xhuvanin, Halimi: Vendimi i papranueshem

475
0

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e cilësoi të papranueshëm vendimin e Gjykatës së Tiranës për vendosjen e masës së sigurisë “2 vjet burg” për Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes së Partisë Socialiste Luiza Xhuvani, i akuzuar për vrasje.

Pas inspektimit të dosjes, ministri Halimi dërgoi në Prokurorinë e Përgjithshme, Presidencë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë raportin e plotë të ecurisë së politikës penale dhe të dënimit.

Ministri Halimi i kërkon presidentit Topi dhe kryeprokurores Ina Rama të ushtrojnë kompetencat për inicimin e procedimit disiplinor për prokurorin e çështjes, si dhe për drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës.

“Një politike penale që kërkon vetëm 2 vjet burgim, ndaj agresorëve të jetës së qytetarëve është e papranueshme.”- theksohet në rezultatet e inspektimit.

Ministri ia dërgoi raportin edhe gjyqtarit të çështjes, duke i dhënë të drejtën të paraqesë pretendimet e tij lidhur me konstatimet procedurale të gjetura gjatë procesit gjyqësor.

Vendimi

Gjykata e Tiranës dënoi me 2 vite burg Kostanidin Xhuvanin, djalin e deputetes Luiza Xhuvani dhe regjisorit Gjergj Xhuvani, i cili më datë 12 shkurt 2011 vrau me armë shtetasin Alfred Musabelliu. Në vendimin e Gjykatës, i cili mban datën 14 nëntor 2011, dënohet me 14 muaj dhe Albi Zela, mbi të cilin rëndonte vetëm akuza e “moskallëzimit të krimit”. Kostandin Xhuvani u arrestua vetëm 3 muaj pas kryerjes së krimit pas negociatave të vazhdueshme të policisë dhe të familjarëve për dorëzimin e tij, pasi menjëherë pas vrasjes ju fsheh policisë.

Ngjarja
Në datën 12 shkurt 2011, rreth orës 07:30 të mëngjesit, në rrugën “Ali Visha”, në banesën private në pronësi të Sh.Zela, Kostandin Xhuvani ka vrarë me armë zjarri pistoletë për motive të dobta Alfred Musabelliun dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktima së bashku me dy shokët e tij, A.G. dhe P.P. ka shkuar në banesën e Albi Zelës për t’u sqaruar lidhur me një konflikt që kishin pasur më parë me njëri-tjetrin. Pasi ka hyrë në banesë, Musabelliu është takuar me të dhe me Konstandin Xhuvanin, ndërsa dy shokët e tij kanë qëndruar jashtë banesës. Pasi janë takuar, viktima dhe Albi Zela kanë filluar të konfliktohen me njëri-tjetrin. Aty ka ndërhyrë edhe Konstandin Xhuvani, i cili menjëherë ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe ka qëlluar Alfred Musabelliun në kokë, nga pjesa e përparme, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme.
Pasi kanë dëgjuar të shtënat A.G. dhe P.P. janë larguar me vrap të frikësuar. Në këtë moment Konstandin Xhuvani dhe Albi Zela kanë dalë jashtë nga shtëpia dhe i kanë ndjekur nga pas, ku Konstandini ka qëlluar me pistoletë, ndërsa Albi me gurë.

Nga hetimi i prokurorëve dhe policisë është zbuluar se pas vrasjes, 22-vjeçari Kostandin Xhuvani është larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin me targa DR 60.. A, kurse Albi Zela është larguar dhe ka shkuar në banesën e dajës së tij, ku edhe është kapur më pas nga policia. Ndërkohë, menjëherë pas ngjarjes, Kostandin Xhuvani u arratis për tu dorëzuar 3 muaj më pas negociatash intensive mes të afërmve të tij dhe policisë së Tiranës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here