Daniel Godelli, peshëngritësi shqiptar që mban titullin e kampionit të botës kërkon mbështetje nga gjithë shqiptarët, për t’i shkuar deri në fund betejës me antidopingun.
Në një postim në Facebook, Godelli thotë se dopingu nuk është pjesë e tij dhe se rezultatet në këtë fushë i ka arritur me punë dhe mund.
“Falenderoj të gjithë njerëzit që më kanë mbështetur dhe vazhdojnë të më mbështesin. Flas në emër të gjithë ekipit kombëtar të Peshëngritjes dhe kolegëve të mijë që ndjejnë të njëjtin siklet. Jemi të vetëdijshëm që jemi një shtet i vogël dhe i varfër, duhet të kuptoni që një kampion bote për shtetin tonë është shumë më e madhe se një investim që bëjnë shtetet e tjera dhe jam i mërzitur vetëm për një gjë, që ndoshta shumë njerëz ndjehen të zhgënjyer nga unë dhe kolegët e mi. Sot ju bëj një kërkesë nga gjithë komuniteti i peshëngritjes: Të na mbështesni deri në momentin e fundit sepse dopingu nuk është pjesë e jona, këto rezultate i arritëm me mund dhe djersë, ju falenderoj dhe dua një mbështetje si kur isha para garës. Mos e bëni për mua por për flamurin shqiptar”, shkruan ai.