Ministri i jashtëm Ditmir Bushati është takuar në Departamentin Amerikan të Shtetit, me ndihmëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland. Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar arritjet e Shqipërisë në fusha të ndryshme, si dhe forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Ministri Bushati e njohu znj. Nuland mbi zhvillimet më të fundit në vend, ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbylljen e reformës në drejtësi, si një reformë me efekt të drejtpërdrejtë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e klimës së biznesit dhe sundimit të së drejtës në ekonomi.
Znj. Nuland nga ana e saj vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për konsolidimin e shtetit të së drejtës në vend si dhe shprehu mbështetjen për përmbylljen sa më shpejtë të reformës në drejtësi.
Bushati dhe Nuland diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, dhe sfidat me të cilat përballet rajoni i Ballkanit.
Më pas, ministri i jashtëm Ditmir Bushati është takuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me zv. Këshilltaren Avril Haine, ku diskutuan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Bushati raportoi për masat e sigurisë të ndërmarra nga Shqipëria në përballimin e sfidës globale, luftën kundër ISIS.
Vizitën në SHBA, shefi i diplomacisë shqiptare e mbylli me fjalën në dy forume të politikës së jashtme, organizuar nga The Brookings Institution dhe Atlantic Council.
Referimi iu kushtua rrugëtimit euroatlantik të Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor, sfidave të Europës sot dhe përballimi i tyre.