Banka e Shqipërisë i kishte besuar një bixhozçiu tre çelësat e Thesarit të Shtetit. Ardian Bitraj, njeriu që ka vjedhur shuma të konsiderueshme lekësh nga Thesari i Shtetit ka qënë personi që mbante tre çelësat kryesorë të kasafortës ku mbahen lekët e shtetit shqiptar.
Tre kopjet e çelësave, mbaheshin prej tij gjatë orarit zyrtar dhe jo zyrtar të punës, duke krijuar mundësi që ai të vidhte paratë thuajse çdo ditë nga kasaforta. Sipas rregullores këto tre çelësa duhet të mbaheshin nga Bitraj dhe dy specialist të tjerë, dhe pasi të mbyllej orari zyrtar i punës, çelësat e kasafortës duhet të mbylleshin në një kasafortë tjetër, me qëllim shmangien e çdo mundësie për vjedhjen e parave të Thesarit të Shtetit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, duke ia lënë çelësat parave të shtetit një bixhozxhiu. Momentalisht për këtë ngjarje janë arrestuar 6 persona ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit.
Lekët me thasë
Sipas prokurorisë së Tiranës, Dhimitër Davidi kishte si detyrë të vëzhguesit-operator. Ai mbikqyrte kamerat e sigurisë dhe raportonte për çdo anomali. Nga ana e prokurorisë së Tiranës është kryer kqyrja e kamerave të sigurisë, nga të cilat rezulton se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e shtetasit Ardian Bitraj, i cili mbushte thasë plastikë me kartmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar. I pandehuri kryesor, Ardian Bitraj, pasi i merrte para me thasët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave.
Bixhozxhiu me çelësa
Detyra e punonjësve të arkës stok është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Gjithashtu, për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës përgjegjësi, i cili ishte Ardian Bitraj dhe dy specialistë. Këto tre çelësa janë mbajtur të gjithë nga i pandehuri Ardian Bitraj, i cili më pas ka kryer veprimtarinë kriminale të vjedhjes. Po ashtu, specialistët e arkës stok kanë pasur për detyrë që, në përfundim të ditës së punës, këto çelësa t’i vendosnin në një kasafortë. Por ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme, këto çelësa janë mbajtur nga i pandehuri Ardian Bitraj. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/tre–el-sat-e-thesarit-i-mbante-bitraj-lek-t-i-mbushte-me-thas–230385.html#sthash.R8GqE1kv.dpuf