Home Sport Brazili mposht Kolumbine, ndeshet ne gjysemfinale me Gjermanine

Brazili mposht Kolumbine, ndeshet ne gjysemfinale me Gjermanine

663
0

Brazil-Gjermani-kryesoreBrazil-Gjermani. Kjo është gjysmëfinalja e parë e Botërorit 2014, e zbuluar pas dy përplasjeve të së premtes. Dy skuadrat në fjalë kanë fituar minimalisht në cerekfinalet e luajtura respektivisht ndaj Kolumbisë dhe Francës. Mat Humels i ka mjaftuar skuadrës së Joakhim Lëvit për të mposhtur “gjelat” e Deshampit, me një gol të hershëm, ndërkohë që thuajse në të njëjtën mënyrë ka shkuar ndeshja edhe për “Selecao”. Kapiteni i “Sambas”, Tiago Silva, do të shënonte golin e hershëm të ndeshjes ndaj Kolumbisë në minutën e 7-të, për t’u dhënë qetësinë e duhur të tijve në vazhdim dhe për të administruar si duhet këtë avantazh, i cili është dyfishuar në minutën e 69-të nga David Luiz. Lojtari më i mirë për vendësit në këtë përplasje amerikano-jugorësh ka kthyer në supergol një goditje dënimi në distancën e më shumë se 20 metrave. Nuk mund të mungonte në listën e shënuesve të kësaj ndeshjeje as goleadori më i mirë i këtij Botërori, James Ridriguez, i cili ka ngushtuar shifrat në 2-1 nga pika e penalltisë në minutën e 80-të, duke e kthyer fundin e ballafaqimit në një makth të vërtetë për brazilianët. Ky triumf i dërgon mikpritësit e Botërorit në gjysmëfinale të tij. Një përplasje e madhe mes brazilianëve dhe gjermanëve, një finale e parakohëshme, që ngërthen interesin e sportdashësve anembanë globit.
Sa i përket ndeshjes së mbrëmjes, Brazili ka zhvilluar ndoshta lojën më të mirë në këtë Kupë të Botës. Përballë një kundërshtari që kishte mahnitur me paraqitjen e vet, pa asnjë humbje deri dje në “Brazil 2014”, skuadra e Skolarit është shfaqur kompakte, e pakalueshme në mbrojtje dhe e rrjedhshme në ndërtimin e aksioneve. Natyrisht, goli i shpejtë, që erdhi pas një vendosjeje të gabuar të prapavijës kolumbiane, u ka ardhur në ndihmë brazilianëve, të cilët janë cliruar dhe kanë fituar siguri në vetvete. Pjesa e dytë ka qenë më kërkuese për kolumbianët, që nuk janë pajtuar me disavantazhin, por përpjekjet e tyre nuk janë finalizuar. Përkundrazi, kanë marrë goditjen fatale në minutën e 69-të, kur David Luiz ka realizuar një supergol nga goditja e dënimit, në një distancë prej më shumë se 20 metrash. James Rodrigues ka shënuar golin e nderit për kolumbianët në minutrën e 80-të, por ai i ka shërbyer më shumë vetë atij, sepse kryeson listën e shënuesve më të mirë të këtij Botërori, me 6 gola. Skuadra e Pekermanit largohet me kokën lart nga Botërori, duke ia lënë “skenën” për pjesën më të nxehtë të kompeticionit “Selecaos”. Kombëtarja e Skolarit duket se tashmë i ka “ndezur motorrët” dhe është gati për sprintin final. Testi i radhës do të jetë Gjermania, e cila ka pretendime maksimaliste në këtë turne.

BRAZIL-KOLUMBI 2-1
Golat: T.Silva 7’, D.Luiz 69′ / Rodriguez 80′ (pen)
BRAZILI: Júlio César, Maicon, Thiago Silva, David Luiz, Marcelo, Fernandinho, Paulinho (Hernanes 86′), Oscar, Fred, Hulk (Ramires 83′), Neymar (Henrique 89′). Trajner: Luiz Felipe Scolari
KOLUMBIA: D.Ospina, M.Yepes, C.Zapata, P.Armero, C.Zúñiga, C.Sánchez, F.Guarín, J.Cuadrado (J.Quintero 80′), J.Rodríguez, T.Gutiérrez (C.Bacca 70′), V.Ibarbo (A.Ramos 46′). Trajner: J.Pekerman
Gjyqtare: Carlos Velasco, Roberto Alonso, Juan Yuste
Kartonë të verdhë: T.Silva 64′, H.Sezar 78′ / J.Rodrigues 68′, M.Yepes 72′

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here