Kryeministri shqiptar, Sali Berisha është shprehur i kënaqur me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
Pas një takimi me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti ai tha se, pas luftës së vitit 2001 të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshëm në Maqedoni.
“Bashkimi Demokratik për Integrim është përfaqësuesja kryesore e shqiptarëve në Maqedoni dhe që pas luftës së drejtë të vitit 2001, të drejtat e shqiptarëve janë përmirësuar dukshem. Eshtë shënuar progres thelbësor në rritjen e peshës politike të shqiptarëve në jetën politike në Maqedoni,” deklaroi Berisha.
Berisha përshëndeti mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 5 qershorit dhe dialogun brenda partive politike shqiptare.
Dy liderët shqiptar përshëndetën arritjen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Maqedonisë për lëvizje të lire të qytetarëve me letërnjohtim në të dy anët e kufirit dhe u angazhuan për liberalizim maksimal të kufijve, përfshirë edhe lehtësimin e kontrolleve kufitare në vetëm një pikë të vetme kufitare.
Ahmeti dhe Berisha ranë dakort rreth formimit të një këshilli koordinues për shënimin e vitit të shqiptarëve, 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë si festë e të gjithë shqiptarëve.
Gjithashtu në takim bashkëbiseduesit gjithashtu u angazhuan që bashkarisht të bëjnë përpjekje për jetësimin e Koridorit 8 dhe rrugës së Arbërit bashkë me lidhjen hekurudhore midis dy vendeve.