Kryeministri Sali Berisha ka uruar të gjithë ata persona, të cilët me përkushtim të madh ndaj Zotit, agjeruan muajin e madhërueshëm të Ramazanit.
“Shpreh nderimin tim më të thellë për udhëheqësit shpirtëror të kombit shqiptar, udhëheqësit e të gjitha besimeve, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, në ndërtimin e besimeve fetare, nisur nga kushtet dhe rrethanat më të vështira, më të paprecedente”, u shpreh Berisha.
Ndër të tjera në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në një hark kohor të shkurtër, ata ia dolën të ngrejnë vlerat hyjnore, të ndërtojnë besimet e mëdha të shqiptarëve në harmoni me njëri-tjetrin, në tolerancë, në bashkëpunim.
“Ç`ka përbën dhe virtytin më të madh, të këtij shpirti, kombi dhe të këtyre qytetarëve”, theksoi kryeministri.
Më herët edhe ambasadori i SHBA-së, në Tiranë, Aleksandër Arvizu zhvilloi një vizitë në selinë e komunitetit mysliman në Tiranë, me rastin e Fiter Bajramit.