Home Politike BE mohon serish statusin.

BE mohon serish statusin.

754
0

beKëshilli i Ministrave të Bashkimit Europian njeh progresin e bërë dhe përpjekjet e intensifikuara nga qeveria e re, por perspektiva e qartë për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nuk është dhjetori, por do të jetë muaji qershor. Për këtë Shqipëria duhet të punojë mirë dhe është në dorë të saj që statusi të meritohet. Ishte ky mesazhi sot nga Brukseli për vendimin mbi Shqipërinë për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian u mblodhën sot në Bruksel lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë.
“Statusi për Shqipërinë. Do kthehemi në qershor për këtë”, ishte vendimi i  ministrave të jashtëm të BE-së në një konferencë për shtyp.

“Presim që Shqipëria të punojë mirë. Është në dorën e Shqipërisë për të marrë statusin në qershor”, u shpreh eurokomisioni Fule gjatë konferencës për shtyp.

Fule më tej vlerësoi hapat që ka kryer shteti shqiptar në rrugën drejt integrimit si dhe konsensusin e arritur nga klasa politike. “Shqipëria ka bërë hapa impresiv përpara, sidomos reforma e integrimit në shumë fusha, nga shtatori nuk ka shumë, por qeveria dhe parlamenti i ri kanë treguar se kanë mundësi për të mbajtur një konsensus politik. Bëhet fjalë për konsensusin dhe siç e thashë në shënimet e mia është çështje kohe dhe Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe do vijojë me reformat dhe kjo çështje do zgjidhet në të ardhmen”.

“Nuk ka kushte të reja, por statusi nuk do të jepet direkt”
Jo kushte të reja përvec atyre ekzistuese, megjithatë BE do të vijojë të mbajë nën mbikëqyrje punën me reformat, ecurinë me to dhe dialogun në klasën politike shqiptare. Këto theksoi lidhur me Shqipërinë sot Fule në konferencën për shtyp në Bruksel mbi cështjen e zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Nuk do ketë një status që do jepet direkt, është cështje kohe. E kam bërë të qartë, pozitën e Këshillit të BE që Shqipëria ka ecur përpara dhe që vendet anëtare gjithashtu duhet të plotësojnë. Sigurisht janë dhe ato 3 cështjet e rëndësishme, që sic janë nuk ka kushte shtesë dhe kjo është e rëndësishme për gjithë vendet anëtare. Dhe së dyti, ka pasur vlerësim dhe mirënjohje për punën e bërë dhe ajo dallohet dhe në një prej paragrafëve që është specifik për progresin e bërë nga Shqipëria dhe elementi i tretë është parashikueshmëria që është e rëndësishme për pjesën më të madhe të vendeve anëtare dhe që i referohet takimit të ardhshëm të BE në Qershor që bazohet në raportin e komisionit. Unë mund të flas më tepër, kam qenë në Shqipëri para pak kohësh dhe për të nisur dialogun për prioritetet kyçe dhe kam njohur një dialog si me qeverinë ashtu dhe me opozitën, lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, dhe jam i befasuar për bashkëpunimin me mes tyre dhe unë besoj fort se këto angazhime do vazhdojnë. Jemi në rrugë të duhur për këtë takim të Qershorit”.

Stefan Fule ne Twitter: Njihet progresi, por statusi ti jepet ne Qershor Shqiperise. Serbia, nis negociatat me BE
Ora 19:00-Eurokomisioneri Stefan Fule konfirmon se Shqiperia do e marre statusin ne muajin Qershor te vitit 2014.
“Njihet progresi domethënës e përpjekjet e qeverisë së re. Perspektivë e qartë për statusin në qershor”, shkruan Fule ne Twitter duke konfirmuar në këtë mënyrë se vendimi për statusin e vendit kandidat për vendin tonë është shtyrë, ashtu sic kishte kërkuar Holanda dhe Danimarka.
Ndërkohë duket se ky takim ka qenë me pozitiv për Serbinë e cila ka marrë një datë për nisjen e negociatave e cila do të jete 21 Janari.

Statusi për Shqipërinë, 5 vende propozojnë qershorin 2014
Ora 16:20-Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë të ndarë në qëndrimet lidhur me propozimin e Komisionit europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, pavarësisht se të gjithë njohin përparimin e bërë.

Ndërsa shumica e tyre janë në favor, burime diplomatike i thanë Zërit të Amerikës, se pesë shtete anëtare Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Holanda dhe Danimarka, kanë propozuar në mbledhjen e pasdites së sotme një ndryshim në tekstin e projekt përfundimeve, ku kërkojnë që Statusi të jepet qershorin e ardhshëm.

“Këshilli mirëpret veprime të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe angazhimin e qeverisë së re për të intensifikuar përpjekjet në këtë fushë. Këshilli shpreson të marrë një vendim lidhur me dhënien e statusit të kandidatit Shqipërisë në qershor 2014, në varësi të miratimit nga Këshilli Evropian, me kusht që Shqipëria ta vazhdojë përparimin inkurajues të arritur deri tani”, lexohet në tekstin e propozuar nga 5 shtetet anëtare ku janë dhe ato me peshën me të madhe në Bashkimin Europian.

Ajo që bie në sy në këtë propozim është se kërkohet edhe që Komisioni europian të paraqesë një tjetër raport për Shqipërinë, pavarësisht se ai ka deklaruar se vendi i ka përmbushur detyrimet e tij ndaj Brukselit për cështjen e Statusit.

“Këshilli do të shqyrtojë, mbi bazën e një raporti që do të paraqitet nga Komisioni në muajin qershor, zbatimin e qëndrueshëm të strategjive për luftën kundër korrupsionit dhe reformën juridike, të legjislacionit të miratuar kohët e fundit si dhe të prirjes në vazhdim për hetimet dhe ndjekjet ligjore aktive, duke përfshirë ato në fushën e krimit të organizuar”, përfundon teksti i propozuar, i cili parashikohet të shoqërohet me debate gjatë mbledhjes së pasdites së sotme dhe komplikon dukshëm situatën.

Javën e shkuar tetë vende anëtare, përmes një letre drejtuar presidencës lituaneze të BE-së dhe Përfaqësues së lartë për politikën e Jashtme, Catherine Ashton, u shprehën në favor të Statusit për Shqipërinë duke vlerësuar se ajo i kishte përmbushur detyrimet e saj.

Vendimi përfundimtar duhet të merret nga Këshilli Europian, i përbërë nga kryetarët e shteteve dhe kryeministrat e vendeve anëtare, por që pritet të pasqyrojë të njëjtat qëndrime të ministrave të jashtëm.

MINISTRI DANEZ: VENDIMI PER SHQIPERINE MUND TË SHTYHET
Ora 13:40 – Ministri i Çështjeve Europiane të Danimarkës, Hækkerup deklaroi se vendimi për Shqipërinë mund të shtyhet për në muajin qershor.

“Pozicioni i Danimarkës është se Shqipëria ka bërë progres, por ne kërkojmë të shohim rezultate. Nuk e kemi vendosur nëse ky vendim do të shtyhet për në qershor, por ne jemi afër qëndrimit të Holandës”,- deklaroi Hækkerup.

MINISTRI I JASHTËM I HOLANDËS: NUK KEMI MARRE VENDIM PER SHQIPERINË
Ora 10:40 – Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Frans Timmermans, para fillimit të mbledhjes së Këshillit u shpreh se Holanda ende nuk ka marrë një vendim për Shqipërinë.
“Nuk kemi marrë vendim për Shqipërinë. Presim ta diskutojmë me koleget e tjerë gjatë mbledhjes”, tha Timmermans.

BILDT: SHPRESOJ TË KEMI NJË VENDIM POZITIV PËR SHQIPËRINË
Ora 10:32 – Ndërkohë më herët përpara fillimit të mbledhjes pro dhënies së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë janë shprehur Carl Bildt, ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Alexander Stubb, ministri i Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Jashtme të Finlandës dhe Jean Asselborn, ministër i Punëve të Jashtme të Luksemburgut.

“Shpresoj të kemi një vendim pozitiv për Shqipërinë. Gjithsesi nuk jam i sigurt sepse e di që janë disa vende që kanë rezerva për këtë çështje. Nuk kam pasur ende ndonjë bisedë me Ministrin e Jashtëm të Holandës, por mendoj të flas rreth Shqipërisë. Çështja është se statusi kandidat është një term jo shumë i qartë dhe për këtë arsye ndoshta ka konfuzione kur vjen momenti për të dhënë një gjykim. Fakti qëndron se gjykimi në këtë rast duhet të jetë objektiv, sepse Shqipëria ka bërë një punë të mirë duke filluar që nga zgjedhjet e fundit, të qershorit 2013 si dhe nisja e punës nga qeveria e re. Mendoj se Shqipëria duhet shpërblyer për këtë”,- u shpreh Bildt.

MINISTRJA KROATE: MBËSHTESIM FORT KANDIDATURËN E SHQIPËRISË
Ora 10:05 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Vesna Pusic, para fillimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së deklaroi se Kroacia mbështet fort kandidaturën e Shqipërisë.

“Kroacia është iniciatore e letrës që rekomandon dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, pasi sipas nesh Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme për marrjen e statusit. Ne morëm mbështetjen e disa vendeve për këtë letër, të cilat e reflektuan qëndrimin e tyre edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Jashtëm. Le të shohim se ç’do të ndodhë sot, por për sa i përket Kroacisë, ne mbështesim fort kandidaturën e Shqipërisë dhe do të punojmë në këtë drejtim për ta mbështetur këtë vendim”,- u shpreh Pusic.

BE JEP SOT VENDIMIN PËR SHQIPËRINË, SLLOVENIA: JEMI OPTIMIST
Ora 08:47 –
 Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhen sot për të marrë vendim lidhur me propozimin e Komisionit Evropian për statusin e Shqipërisë. Pas mbledhjes së ministrave të jashtëm të BE-së do të ketë një edhe konferencë për shtyp për vendimit e marra dhe atëherë, Shqipërisë do t`i komunikohet nëse do t`i jepet ose jo statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Ndërkohë 8 vende anëtare të Bashkimit Europian i kanë kërkuar Lituanisë si vend që mban Presidencën e radhës së BE si dhe Komisioneres së lartë për politikë të jashtme, Katherine Ashton, që Shqipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat.

Letra e firmosur nga Ministrat e Jashtëm të 8 vendeve të Unionit është dorëzuar të shtunën, para se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian të marrë vendimin për dhënien apo jo të statusit të vendit kandidat për vendin tonë.

Kryediplomatët e 8 shteteve, Italisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë, Irlandës dhe Sllovenisë shprehen të bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Karl Erjavec deklaroi se pret që e marta të jetë një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Serbinë, duke u shprehur optimist për mundësinë që vendi ynë të marrë sot statusin kandidat për në BE.

Agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, duke iu referuar burimeve brenda BE-së shkruan se Shqipëria do të mund ta marrë statusin kandidat vitin e ardhshëm.

GJERMANIA: VENDIMI PËR STATUSIN? TË KUJDESSHËM
Ora 07:30 –
 Një delegacion i Bundestagut gjerman përfundoi të premten e kaluar një vizitë zyrtare në Shqipëri. Delegacioni kryesohej nga deputeti i Unionit Krsitian demokrat(CDU), Gero Storjohann, i cili në një intervistë të dhënë për “Deutsche Welle”-n ka theksuar se Gjermania do të jetë e kujdesshme në marrjen e vendimit sa i takon dhënies ose jo të statusit të vendit kandidat në BE, Shqipërisë.
Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mbetet një sfidë për t’u fituar. Opinioni publik e ka perceptuar deri më tani luftën kundër korrupsionit si luftë kundër “peshqve të vegjël” ndërkohë që të korruptuarit e fuqishëm i percepton si “të paprekshem” nga drejtësia. Cila është përvoja e kuadrit ligjor, të hartuar nga ligjvënësit gjermanë, lidhur me luftën ndaj korrupsionit në administratën publike, në rradhët e zyrtarëve dhe politikanëve të lartë?
Korrupsioni është një fenomen që e mban peng shoqërinë dhe duhet të luftohet vazhdimisht që të arrihet drejt eliminimit të tij. Korrupsioni ekziston në shumë vende të botës dhe ka shfaqje të ndryshme. Ka vende ku ai ekziston sepse punonjësit e administratës publike janë të paguar keq dhe nuk shohin mundësi tjetër për të përballuar jetesën, për të mbijetuar. Sesa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri nuk kam informacion, por ajo që di është se ekzistojnë struktura për ta luftuar atë. Ndërkohë që edhe Komisioni Europian e mban nën vëzhgim Shqipërinë lidhur me këtë fenomen negativ dhe ka dhënë rekomandime për ta luftuar atë. Mendoj se klasa politike dhe shoqëria civile duhet të zhvillojnë një koncept të vetin për të luftuar me sukses korrupsionin. Ky është një proces, nuk realizohet nga sot, nesër.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, adresoi ditët e fundit një padi ndaj parardhësit të saj, ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, për shpërdorim të fondeve publike. Paditë ndaj ministrave për shpërdorim fondesh publike dhe korrupsion nuk kanë munguar në Shqipëri por çështjet janë mbyllur për afate proceduriale pa arritur që ata të shpallen të pafajshëm ose fajtorë nga drejtësia. Çfarë do të shmangte përsëritjen e kësaj skeme dhe bërjen drejtësi?
Krijimi i një sistemi drejtësie dhe gjyqësori të pavarur nga politika. Apeli im është pikërisht krijimi i një sistemi të tillë pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet besimi i qytetarëve ndaj drejtësisë, prosperiti dhe mirëqenia.
Këshilli Europian i BE do të vendosë të pranojë ose të mos pranojë propozimin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. A do të jetë vota e Gjermanisë një votë pozitive?
Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur pasi Gjermania është duke përgatitur qëndrimin e saj për këtë çështje. Dihet që 6 shtete, anëtare të BE, kanë vështirësi lidhur me vendimarrjen e tyre për t’i dhënë statusin e vendit kandidat për anëtarësim Shqipërisë. Në këtë kontekst Gjermania nuk është problem kryesor për Shqipërinë. Gjithsesi, qëndrimi i Gjermanisë është i kushtëzuar nga vendime të mëparshme psh. për Rumaninë. Janë këto raste që e bëjnë Gjermaninë të jetë më e kujdesshme në marrjen e vendimit. Shpresoj që Shqipëria pas reformave që ka realizuar të mund ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim pasi Shqipëria është pjesë e Europës, çështja është se kur? Nuk jam i sigurtë se çfarë vendimi do të marrë Gjermania pasi ai do të merret në zyrën e Kancelares Federale. Ndërkohë që Bundestagu ka një përbërje të re deputetësh dhe pres me mjaft interes vendimin që do të merret.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here