Home Aktualitet Banda e tritolit, i penduari rrefeu krimet, policia nuk e mori seriozisht

Banda e tritolit, i penduari rrefeu krimet, policia nuk e mori seriozisht

518
0

shperthimKam frikë se ai do më vrasë. Dua të tregoj krimet, por policia më merr për të çmendur”. Tejet i shqetësuar, me një veshje që linte për të dëshiruar, një djalë rreth 30 vjeç, trokiti në dyert e “Gazetës Shqiptare”, për të rrëfyer për veprimtarinë kriminale, të një bande, pjesë e së cilës ishte edhe vetë. Atë ditë nuk e dija se njeriu që ishte penduar, është i njëjti me “të penduarin” e drejtësisë shqiptare N.Gj., i cili pak ditë më parë u vu në prangat e policisë dhe rrëfeu të gjitha krimet që kishte bërë banda e tij, me në krye të dyshuarin si vrasës serial Julian Sinanaj.

N.Gj ditën që trokiti në derën tonë kishte shkuar në Policinë e Durrësit për të bërë një denoncim ndaj një personi shumë të rrezikshëm, i cili e kërcënonte prej disa kohësh se do e vriste. Por, paradoksali i kësaj historie është fakti se askush nuk e kishte marrë në konsideratë denoncimin e bërë nga i penduari N.Gj, duke e konsideruar si të çmendur. Mbase policia po ta kishte marrë seriozisht atë ditë denoncimin, mund të ishte parandaluar edhe vrasja e biznesmenit Xhemal Çela, i cili u hodh në erë në 23 janar, 6 ditë pas denoncimit që N.Gj kishte bërë në Policinë e Durrësit. Por, sipas “të penduarit”, në Policinë e Durrësit askush nuk e kishte marrë seriozisht këtë person, i cili i ndodhur përballë kësaj situate vendosi që të tregojë historinë e tij në “Gazetën Shqiptare” dhe “News 24”, si e vetmja mundësi për të jetuar.
Takimi me të penduarin
Ora shënon 19:55 minuta, data 17 janar, kur më thërrasin në redaksi se jashtë më kërkonte dikush. Dal në korridor dhe tek sekretaria shikoj një person që në pamje të parë të jepte përshtypjen e një njeriu pak të çuditshëm, ashtu siç ishte edhe historia e tij, të cilën do e mësoja pak më vonë. I jap dorën dhe fjala e parë që i them është “Më kërkuat? Si mund t`ju ndihmoj?” Dhe personi që kisha përballë, i cili nuk ishte më shumë se 30 vjeç më thotë: “Kam frikë për jetën time dhe të familjes sime”. Pas u mundova ta qetësoj pak, ulem me të diku dhe i kërkoj të më tregojë historinë e tij.
Biseda me të penduarin
Nuk ishte hera e parë që unë takoja njerëz të cilët duan të rrëfejnë në gazetë historitë e tyre me shpresën se do gjejë zgjidhje. Por, N.Gj nuk ishte si të tjerët, ai ishte njëkohësisht i frikshëm, por edhe shumë i frikësuar, madje aq shumë sa edhe emrin e tij kishte frikë ta tregonte.
-Më thuaj, pse ke kaq frikë?
N.Gj:-Kam frikë se ai njeri do më vrasë.
-Qetësohu dhe më thuaj çfarë ka ndodhur?
N.Gj:-Sot në mëngjes kam trokitur në Policinë e Durrësit për të denoncuar një person se më ka kërcënuar se do më vrasë. Por, në komisariat më morën për të çmendur dhe askush nuk e mori kallëzimin tim. Prandaj unë erdha sot këtu tek ju, sepse nuk di se ç`të bëj tjetër.
-Pa merak, po më thuaj. Kush është ky personi që do t`ju vrasë?
N.Gj:-Nuk ua them dot emrin, sepse ai më vret.
-Ju si e keni emrin?
N.Gj:-Nuk mund t`ua them se nëse e merr vesh ai, më vret.
-Pse kërkon t`ju vrasë ky person?
N.Gj:-Para një viti bashkë me atë jam përfshirë në një vrasje në Vlorë dhe unë padashje jam bërë bashkëpunëtor.
-Si jeni bërë bashkëpunëtor?
N.Gj:-Nuk mund t´u them më shumë. Por, tani ky person më kërkon që unë ta ndihmoj për vrasjen e një biznesmeni në Durrës dhe unë nuk dua. Por, ai më kërcënon dhe unë kam frikë se do më vrasë mua dhe familjen time. Unë kam një fëmijë të vogël.
-Kush është ky biznesmen?
N.Gj:-Nuk mund t`ua them emrin. Unë dua të tërhiqem nga kjo histori dhe prandaj shkova në polici që ta denoncoj, por policia nuk më mori parasysh. Unë erdha këtu tek ju që t`i tregoj policisë se nuk do lë gur pa lëvizur për të shpëtuar jetën time.
E pyeta pafund për historinë e tij, por për çdo fjali që thoshte kishte frikë dhe nuk jepte detaje. Pasi diskutuam bashkë dhe vendosëm se cilat ishin fjalët që do thoshte para kameras së ‘News 24’, pasi çdo fjalë duhej të peshohej mirë, operatori nisi regjistrimin. Në këtë moment, N.Gj e merr në telefon një funksionar i lartë i Policisë së Durrësit dhe kur i penduari i tregon se ku ishte dhe se çfarë po bënte, funksionari i tha, “Eja në Durrës se do e zgjidhim këtë situatë”. Pas kësaj, N.Gj u largua dhe vetëm pak më vonë do arrestohej nga policia si i përfshirë në një bandë kriminale, ndërsa ai personi që do e vriste, ishte pikërisht i dyshuari si vrasës serial, Julian Sinanaj.

I penduari N.GJ.: Me Sinanajn u prishëm për hakun e një “porosie”

I penduari” N.Gj, ka pranuar ditën e djeshme para oficerëve të policisë se ai ka qenë vetëm furnizuesi dhe sekseri me lëndë eksplozive i bandës kriminale të shkatërruar dy ditë më parë, ndërsa eksperti i montimit të tyre ka qenë 31-vjeçari, Julian Sinanaj. Ka qenë konflikti mes këtyre të dyve, ai që ka sjellë edhe zbulimin e të gjithë anëtarëve të bandës së eksplozivëve. Burime policore bëjnë me dije se disa kohë para se të arrestoheshin, Julian Sinanaj i kishte premtuar N.Gj. një apartament pas një pune të mbaruar, të cilin nuk ia kishte dhënë.

Kjo ka qenë arsyeja se pse, N.Gj. i ka deklaruar 31-vjeçarit se nuk pranonte që të punonte bashkë me atë dhe pas kësaj Sinanaj e ka kërcënuar se do e vriste. Pas këtij kërcënimi, N.Gj. e ka denoncuar në polici dhe pas kësaj policia e ka vënë në pranga Julian Sinanaj, para pak ditësh në zonën “21 Dhjetori”, ku me vete i është gjetur edhe një armë e mbushur, si dhe dy granata. Por, pas verifikimeve të kryera nga policia, ka rezultuar se pjesë e grupit ka qenë edhe N.Gj, i cili është arrestuar dhe pasi ka vendosur që të tregojë lidhjet e grupit, policia e ka marrë në mbrojtje. Nga ana tjetër, edhe vetë Sinanaj ka rrëfyer para grupit hetimor vrasjet që ka kryer, pasi atij i është gjetur me vete edhe një aparat fotografik, me të cilin fotografonte viktimat. Edhe i penduari tjetër, N.Gj, ka rrëfyer para grupit hetimor listën e personave që ishin në listë për t`u bërë viktima, radhën e të cilëve e kishte një biznesmen nafte nga Durrësi.

“Çudia”, Berisha e dinte…
Që ish-kryeministri Berisha ka ende të besuar të tij në Policinë e Shtetit kjo merret me mend lehtë. Por, që ai di detaje të hetimit për bandën e tritolit, ngjan pak “e çuditshme”. Ja çfarë tha dje Berisha në parlament: “Nga informacionet që kam dhe ju e dini që unë i kam informacionet e sakta, ky person shkoi të depononte në polici. Ka qenë në takim edhe një nga zv/drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Por dëshminë e tij nuk e kanë marrë seriozisht dhe i thanë çfarë i ke këto. Ai u ka thënë se do shkoj të jap intervistë në media. Dhe në momentin që ai do fliste në media e kthyen nga rruga”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here