“Shkaktar i aksidentit është Çim Peka” – Kështu ka deklaruar sot, avokati i Emiljano Pelushit në gjykatë, lidhur me aksidentin e pak ditëve më parë në Mullet, ku pas përplasjes së makinës së tij, gjeti vdekjen Fleura Kola dhe u aksidentua gazetari Çim Peka, që udhëtonte me të në makinën tjetër.
Gjykata e Tiranës dha sot masën e sigurisë “arrest me burg”, për Pelushin, por avokati i tij është shprehur se do ta apelojë vendimin pasi, sipas tij, shkaktar i aksidentit ka qënë Peka. Vendimi, Pelushit, i është komunikuar në Spitalin e Traumës.
AKSIDENTI ME 19 SHKURT
Mbrëmjen e 19 shkurtit, një 29-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa gazetari Çim Peka dhe një tjetër person janë plagosur në Tiranë, si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në zonën e Mulletit, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Për pasojë ka humbur jetën 29-vjeçarja Fleura Kola, vajza e ish-ambasadorit tonë në Romë, Llesh Kola, ndërsa janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve, gazetari Çim Peka dhe shtetasi Emiljano Pelushi. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se automjetet e përfshira në aksident janë një “Benz” me targë AA 099 GB që drejtohej nga Peka dhe një “Audi” me targë AA 566 HP, e drejtuar nga Pelushi. Dy të plagosurit u dërguan menjëherë në spital, jashtë rrezikut për jetën.