Qëllohet për vdekje me armë zjarri shoku i ngushtë i Elton Deliut, i vrarë në vitin 2008-të teksa njihej nga policia si kontingjent i trafikut të drogës.
Admirim Sako është qëlluar 3 herë me pistoletë teksa hipte në mjetin e tij tip “BMW” me targë AA 975 BR. Atentati ka ndodhur pranë lokalit të 40-vjecarit në afërsi të Gjykatës së Tiranës, kur një person është afruar dhe e ka qëlluar. Më pas autori është larguar në drejtim të rrugës “Myslym Shyri”, teksa i plagosuri u dërgua në Spitalin Ushtarak ku dhe ka gjetur vdekjen.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat po hetojnë në lidhje me tentativën për vrasje, teksa pritet që filmimet e siguruara nga kamerat e sigurisë të lokalit të ndihmojnë hetimet dhe identifikimin e autorit.
Sipas policisë, Sako i cili ka disa objekte në pronësi rezulton të jetë shoku i ngushtë i Elton Deliut dhe administronte pronat e pasuritë e tij të sekuestruara në dhjetor të vitit të kaluar.
Elton Deliu, i njohur për trafik të lëndëve narkotike, u vra në dhjetor të 2008-ës së bashku me nënën e tij.
SEKUESTRIMI
Pas 6 muajsh hetime, Policia e Tiranës në bashkëpunim me prokurorinë ka sekuestruar në total 50 hektarë truall në komunën Kashar, tre ambiente biznesi bar-kafe në kryeqytet, tre llogari bankare në shumën prej 290 mijë dollarësh, një apartament në Tiranë dhe 5 automjete të markave të ndryshme, të cilat në total kapin vlerën e 5 milionë eurove. Sipas policisë së kryeqytetit, këto pasuri dyshohet se janë produkte të veprimtarisë kriminale të trafikut të lëndëve narkotike të kryer nga Elton Deliu, që nuk jeton më, dhe 40-vjeçarit Admirim Sako.
Gjykata e Tiranës ka firmosur më 27 dhjetor urdhrin për ekzekutimin e vendosjes së sekuestros preventive, me kërkesë të organit të akuzës. Gjykata urdhëronte sekuestrimin e 56.400 metra katrorë sipërfaqe toke në Tiranë dhe Durrës, 5 lokale, tre prej të cilëve në kryeqytet, 4 apartamente në Tiranë dhe një vilë në Durrës, 8 automjete dhe një furgon të blinduar, si dhe llogari në dy banka, nëpërmjet të cilave janë kryer transaksione në vlerat 650 mijë euro dhe 954 mijë dollarë. Në njoftimin zyrtar të prokurorisë theksohet se në sekuestro preventive janë vendosur edhe 20 llogari bankare në emër të Elton Deliut, nënës së tij Fluturës, Admirim Sakos dhe shtetasve A. Çaushi dhe A. Musaraj.
Sipas prokurorisë, një pjesë e këtyre pasurive ishin regjistruar në emër të Elton Deliut, që njihej ndryshe me pseudonimin “Kuqi” dhe rrjetit të tij familjar dhe shoqëror, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe sipas organit të akuzës dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i Deliut.