Rrugët e kryeqytetit do të survejohen nga dhjetëra kamera, të cilat prej ditës së hënë do të instalohen në vende jo të dukshme. “Për një Tiranë të sigurtë europiane’ është projekti, për survejimin me kamera të hapësirave publike në Tiranë, që u prezantua sot nga Ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Projekti ka për qëllim rritjen dhe menaxhimin e rendit dhe sigurisë publike, pasi përmes kamerave do të evidentohen personat që kryejnë vepra penale në rrugë, madje do të ketë shumë mundësi që të parandalohen krime të ndryshme.
Ministri Basha tha se ky sistem do të mbulojë të gjitha hapësirat publike në Tiranë dhe do të mundësojë parandalimin dhe dokumentimin e veprave penale.
“Është një projekt historik i cili do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm për rendin publik e sigurinë e qytetarëve, të fëmijëve, prindërve, biznesit nëpër banka, por në tërësi në integrimin e të gjithë shërbimeve që ofron sot pushteti qëndror dhe që duhet apo që do të ofrojë pushteti vendor.”- tha Ministri Basha.
Sipas përfaqësuesve të policisë së shtetit, me anë të kamerave do të dokumentohen dhe do të merret informacion mbi lëvizjen e qytetarëve dhe të mjeteve për të parandaluar ngjarje dhe shkelje të ligjit.
Sistemi i kamerave të vëzhgimit do të mbulojë rrugët, bulevardet, sheshet dhe hapësirat publike në Tiranë, duke u përqendruar më tepër tek institucionet shtetërore dhe ato të biznesit.
Kamerat natyrisht që do të vendosen në vende jo të dukshme me qëllim që të mos pikasen nga qytetarët.
Fondi për blerjen e pajisjeve të nevojshme dhe instalimin e sistemit që do të realizojë survejimin e ambienteve publike në kryeqytet u akordua pak muaj më parë nga qeveria. Policia e shtetit do të nisë punën për vënien në jetë të projektit. Kamerat do të instalohen në zonat më kryesore të Tiranës, po një rëndësi e veçantë do t’u kushtohet ambienteve pranë institucioneve, bankave dhe kompanive të biznesit.
Në fund të takimit ministri Basha i pyetur nëse ‘Për një Tiranë të sigurtë europiane’ përbën dhe sloganin e tij si kandidat për kreun e bashkisë së Tiranes, nuk ka preferuar t’u pergjgijet gazetareve.
PS: BASHA MINISTER I DESHTUAR, TURP NESE DO KANDIDOJE PER BASHKINE?
Në replikë Përfaqësuesja e PS Megi Ajtyresa akuzoi Ministrin Lulzim Basha si ministrin më të dështuar në krye të policisë, dhe si përgjegjësin e vrasjeve të 21 janarit
“Ministri që duhet të shkojë para gjyqit për vrasjet e 21 janarit dhe që mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për manipulimet me shifrat dramatike të kriminalitetit në vend, foli sot për video survejimin e Tiranës, ndërkohë që Tirana dhe e gjithë Shqipëria kërkojnë largimin e tij, të Saliut dhe të krejt koalicionit të turpit pasi e kanë parë në video kusarinë e tyre të pashoqe.
Përfaqësuesja socialiste e quajti “turp” kandidimin e Bashës për postin e kryetarit të Bashkisë dhe “në qoftë i vërtetë ky turp, atëherë ky do të ishte rasti më i shkëlqyer për kryeqytetasit që të dënojnë me një votë dërrmuese Saliun dhe koalicionin e turpit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë!”